Ndërlidhjet

Arrestohet presidenti i klubit turk pasi e grushtoi gjyqtarin


Gjyqtari Halil Umut Meler i shtrirë në tokë në fund të ndeshjes së Superligës së Turqisë mes MKE Ankaragucu dhe Caykur Rizespor, pasi u sulmua nga presidenti i klubit vendas, 11 dhjetor 2023.
Gjyqtari Halil Umut Meler i shtrirë në tokë në fund të ndeshjes së Superligës së Turqisë mes MKE Ankaragucu dhe Caykur Rizespor, pasi u sulmua nga presidenti i klubit vendas, 11 dhjetor 2023.

Presidenti i një klubi të futbollit në Turqi është arrestuar, pasi e kishte grushtuar një gjyqtar pas një ndeshjeje të ligës elitare të futbollit turk të hënën.

Presidenti i MKE Ankaragucu, Faruk Koca, vrapoi në fushë dhe e goditi gjyqtarin Halil Umut Meler, menjëherë pasi ekipi i tij e kishte pranuar një gol të barazimit 1:1 në minutën e 97-të kundër Caykur Rizesporit.

Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Yilmaz Tunc, tha se Koca dhe dy persona të tjerë janë arrestuar për “lëndimin e një zyrtari publik”.

Të gjitha ligat e futbollit turk janë pezulluar.

Ministri i Sportit dhe Rinisë i Turqisë, Osman Askin Bak, e viziton gjyqtarin Halil Umut Meler, i cili u shtri në spital pasi u godit me grusht nga presidenti i klubit MKE Ankaragucu, Faruk Koca, në Ankara. 12 dhjetor 2023.
Ministri i Sportit dhe Rinisë i Turqisë, Osman Askin Bak, e viziton gjyqtarin Halil Umut Meler, i cili u shtri në spital pasi u godit me grusht nga presidenti i klubit MKE Ankaragucu, Faruk Koca, në Ankara. 12 dhjetor 2023.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se incidenti është “plotësisht i papranueshëm” dhe se dhuna “nuk ka vend në sportin apo shoqërinë tonë”.

“Pa gjyqtarë nuk ka futboll. Gjyqtarët, lojtarët, tifozët dhe stafi duhet të jenë të sigurt për ta shijuar lojën”, tha ai.

Koca njoftoi më vonë në një komunikatë për media se ka dhënë dorëheqje si president i klubit dhe ka kërkuar falje për veprimet e tij.

“Pavarësisht se ka e madhe ishte padrejtësia apo sa i gabueshëm ishte [referimi], asgjë nuk mund ta legjitimoj, apo shpjegoj dhunën që e ushtrova unë”, tha Koca.

Çfarë ndodhi?

Skuadra vendase Ankaragucu kishte kaluar në epërsi 1:0 në fillim të ndeshjes së Superligës turke të hënë, dhe pastaj një lojtar i saj u përjashtua nga loja me karton të kuq në minutën e 50-të. Caykur e barazoi në 1:1 rezultatin në fund të ndeshjes dhe kjo e shkaktoi një rrëmujë të madhe pasi përfundoi ndeshja.

Pasi u rrëzua në tokë, Meler u godit disa herë derisa ishte i shtrirë në tokë. Ai pësoi lëndime, përfshirë një thyerje të vogël në fytyrë.

Meler, 37 vjeç, është njëri nga gjyqtarët më të mirë të Turqisë dhe ai gjykon ndeshje ndërkombëtare të futbollit për FIFA-n.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG