Ndërlidhjet

Pse zhvendosja e palestinezëve në Gazë alarmon OKB-në dhe arabët


Kampi për personat e zhvendosur në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, ku shumica e civilëve janë strehuar ndërsa vazhdojnë luftimet mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, 12 dhjetor 2023.
Kampi për personat e zhvendosur në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, ku shumica e civilëve janë strehuar ndërsa vazhdojnë luftimet mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, 12 dhjetor 2023.

Reuters

Urdhrat e Izraelit për banorët e Rripit të Gazës, që të zhvendosen në jug të vendit, drejt kufirit me Egjiptin, teksa kryen ofensivën ushtarake, si dhe përkeqësimi i situatës humanitare, kanë rritur shqetësimet në Kombet e Bashkuara dhe në mesin e arabëve.

Palët shqetësohen se diçka e tillë rrit rrezikun për zhvendosje të palestinezëve përtej kufirit.

Izraeli e mohon se ka plane për t’i shtyrë palestinezët në Gadishullin Sinai të Egjiptit, teksa çon përpara synimin për shkatërrim të Hamasit, pas sulmeve të grupit palestinez, më 7 tetor, në tokën izraelite.

Hamasi, grup radikal që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Çfarë qëndron mbrapa shqetësimeve?

Palestinezët i përndjek për kohë të gjatë ajo që e quajnë “Nakba” apo katastrofa, kur 700.000 prej tyre janë zhvendosur prej shtëpive, kur është krijuar Izraeli, më 1948.

Shumë prej tyre janë nisur në vendet fqinje arabe, përfshirë Jordaninë, Sirinë dhe Libanin, ku një pjesë e madhe e paraardhësve kanë vazhduar të jetojnë nëpër kampe refugjatësh.

Disa kanë shkuar në Gazë.

Izraeli e mohon pretendimin se atëherë palestinezët janë shpërngulur me dhunë.

Konflikti i fundit ka rezultuar me bombardime të pashembullta izraelite dhe ofensivë tokësore në Gaza, duke shkatërruar zonat urbane nëpër enklavë.

Palestinezët dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, kanë thënë se tashmë nuk ekzistojnë zona të sigurta për t’u strehuar në Gazë.

Çfarë ka ndodhur gjatë konfliktit?

Para se Izraeli të niste ofensivën tokësore në Gazë, autoritetet e shtetit u kanë thënë palestinezëve që të largohen prej veriut të Gazës për në zonat e sigurta në jug.

Teksa ofensiva është zgjeruar, Izraeli u ka thënë atyre që të largohen drejt qytetit Rafah, në kufi me Egjiptin, shteti i vetëm, përveç Izraelit, që ndan kufi me këtë enklavë.

Gaza është 40 kilometra e gjatë dhe disa kilometra e gjerë.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 85 për qind e 2.3 milionë njerëzve në Gazë – një prej zonave me popullsinë më të dendur në botë – tashmë janë zhvendosur prej shtëpive të tyre, dhe janë në një zonë edhe më të dendur afër kufirit me Egjiptin.

Çfarë ka ndodhur në incidentet e kaluara në kufi me Gazën?

Deri më tani nuk ka pasur precedent që njerëzit janë shpërngulur në masë prej Gazës, kur ka pasur konflikte apo rritje tensionesh me Izraelin, ndonëse asnjëri prej konflikteve të dekadave të fundit nuk ka qenë kaq i ashpër.

Megjithatë, ka pasur incidente kur është thyer kufiri i Gazës me Egjiptin, ndonëse ata që e kanë kaluar kufirin, qindra apo mijëra, nuk kanë kërkuar strehim apo leje për qëndrim në Egjipt.

Pas tërheqjes së Izraelit nga Rripi i Gazës më 2005, palestinezët e kanë thyer gardhin kufitar.

Në një rast, palestinezët e kanë shkatërruar edhe barrierën me beton për të krijuar një vrimë kaluese.

Hamasi e ka thyer ndalesën sërish më 2008, duke e sfiduar një bllokadë të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti, pasi grupi e ka marrë kontrollin e Rripit të Gazës, më 2007, prej Autoritetit Palestinez, që e udhëheq një pjesë të Bregut Perëndimor.

Kufiri ka qëndruar i hapur për rreth 10 ditë, derisa autoritetet e Egjiptit e kanë nisur punën.

A mund të ndodhë një zhvendosje e madhe në këtë konflikt?

Shumë palestinezë brenda Gazës kanë thënë se nuk do të largoheshin, edhe nëse do të mundnin, sepse frikësohen që diçka e tillë mund të rezultojë me zhvendosje e përhershme, sikurse më 1948.

Egjipti, në anën tjetër, ka qenë i ashpër në mbajtjen e kufirit të mbyllur, përveç për largimin e të huajve, personave me dy shtetësi dhe disa personave tjerë nga Gaza.

Egjipti dhe vendet tjera arabe kundërshtojnë ashpër secilën përpjekje për t’i shtyrë palestinezët drejt kufirit.

Megjithatë, shkalla e këtij konflikti eklipson krizat tjera në Gazë, dhe situata humanitare është duke u thelluar çdo ditë e më shumë, duke i lënë palestinezët pa ushqime e ujë të mjaftueshëm dhe me pak spitale operative.

Çfarë po thonë shtetet arabe dhe OKB-ja?

Qysh prej ditëve të para të konfliktit, qeveritë e vendeve arabe, sidomos vendet fqinje të Izraelit, Egjipti dhe Jordania, kanë thënë se palestinezët nuk duhet të largohen prej tokës së tyre, ku mëtojnë të krijojnë shtetin e tyre në të ardhmen, që përfshin Bregun Perëndimore dhe Gazën.

Sikurse palestinezët, ato vende shqetësohen se çfarëdo lëvizje masive drejt kufirit mund t’i dëmtojë edhe më shumë idetë për “zgjidhje me dy shtete” – që nënkupton krijimin e shtetit të Palestinës përkrah atij të Izraelit – dhe më pas vendet arabe duhet të merren me pasojat.

Me përkeqësim të situatës humanitare, zyrtarë të lartë të OKB-së, e kanë rritur shkallën e shqetësimit.

“Pres që rendi publik të shkatërrohet krejtësisht në kohë të shkurtër, dhe që një situatë e rëndë të nënkuptojë epidemi dhe rritje të presionit për zhvendosje masive në Egjipt”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 10 dhjetor.

Philippe Lazzarini, udhëheqës i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë UNRWA, ka shkruar për të përditshmen amerikane Los Angeles Times, më 9 dhjetor, se “zhvillimet që kemi duke parë, janë dëshmi për tentimet për t’i shtyrë palestinezët drejt Egjiptit, pavarësisht nëse ata qëndrojnë atje, apo gjejnë strehim në ndonjë vend tjetër”.

Çfarë kanë thënë Qeveria izraelite dhe politikanët e saj?

Qeveria izraelite ka thënë se po u kërkon palestinezëve që të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm përkohësisht, për sigurinë e tyre, mirëpo komentet e disa politikanëve tjerë – përfshirë disa të afërt me Qeverinë – kanë rritur shqetësimet e palestinezëve dhe arabëve për Nakba të re.

I pyetur për ofensivën e ushtrisë izraelite dhe zhvendosjen e banorëve të Gazës, ministri izraelit i Bujqësisë, Avi Dichter, ka thënë për Channel 12 të Izraelit, më 11 nëntor se, “kjo është Nakba e Gazës, në aspektin operativ nuk mund të niset luftë ashtu siç dëshiron ushtria brenda Gazës, derisa masa është në mes të tankeve dhe ushtarëve”.

Dichter është anëtar i partisë Likud, të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe është ministër i kabinetit të sigurisë.

Pasi ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayaman Safedi, ka thënë më 10 dhjetor se ofensiva e Izraelit është “përpjekje sistematike për të zbrazur Gazën dhe njerëzit e tij”, zëdhënësi i Qeverisë izraelite Eylon Levy, i ka quajtur komentet “akuza të rreme”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG