Ndërlidhjet

Palestinezët përpiqen t'i mbijetojnë kapitullit të ri të luftës në jug të Gazës


Një grua palestineze pas sulmeve ajrore izraelite në kampin e refugjatëve në Han Junis, në jug të Rripit të Gazës. 7 dhjetor 2023.
Një grua palestineze pas sulmeve ajrore izraelite në kampin e refugjatëve në Han Junis, në jug të Rripit të Gazës. 7 dhjetor 2023.

Associated Press

Naseem Hassan, një mjek palestinez 48-vjeçar në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Han Junis, tha se ishte bërë e pamundur ecja nëpër spitalin Nasser, me njerëz të shtrirë kudo.

Disa pacientë, të tmerruar ose gjysmë të vetëdijshëm, rënkonin, flinin, dhe vdisnin në dyshemetë me gjak, tha ai.

Në spitalin me 350 shtretër, stafi i tij ka luftuar për të përballuar një fluks prej mbi 1.000 pacientësh.

Pa fasha, plagët e pacientëve janë infektuar rëndë, thanë Mjekët pa Kufij.

"Kur e mendoj për një moment, filloj të qaj", tha Hassan përmes telefonit, duke u përpjekur të dëgjohej nga britmat e mjekëve dhe infermierëve që kishin mbetur.

"Është një gjë e mirë që jam shumë i lodhur për të menduar”, tha ai.

Më 7 dhjetor, monitoruesit e Kombeve të Bashkuara thanë se spitali mori furnizimet e para që nga 29 nëntori. Organizata Botërore e Shëndetësisë dërgoi furnizime për kujdesin emergjent në zonë për rreth 4.500 pacientë.

Ditët e fundit, tanket izraelite kanë vërshuar në jug të Gazës, duke filluar me qytetin Han Junis. Është hapja e një kapitulli të ri të zymtë në një luftë që ka vrarë tashmë mbi 17.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, dhe ka zhvendosur 1.9 milion njerëz, sipas Kombeve të Bashkuara.

Lufta - e cila shpërtheu kur militantët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer më shumë se 240 të tjerë - ka dëmtuar rëndë ose shkatërruar deri në 36 për qind të të gjitha ndërtesave në të gjithë territorin, sipas analizave të imazheve satelitore të disponueshme publikisht nga programi evropian i vëzhgimit të Tokës, Copernicus, të marra të mërkurën.

"Vuajtjet janë vërtet apokaliptike", tha Khaled Abu Shaban, 38 vjeç, një ndihmës pranë Han Junisit.

Granatimet intensive të Izraelit kanë detyruar zgjedhje të vështira, tha ai.

A duhet të dalë në supermarket, në rrezik për t'u vrarë? Apo duhet t'i lë vajzat e tij të vogla të flenë të uritura dhe të etura?

Ai tha se fëmija 7-vjeçar brohoriti të mërkurën kur solli në shtëpi një domate.

“Është e papranueshme që ne po kërkojmë ujë dhe çdo gjë që mund të përtypim në shekullin e 21-të”, tha ai.

Betejat në rrugë dhe bombardimet e rënda kanë bllokuar dërgimin e furnizimeve nga grupet e ndihmës për në Han Junis, tha OKB, ku familjet e uritura ndonjëherë ndodhen në rrugë, larg nga magazinat e mbushura me ushqime.

Të martën, turma të dëshpëruara sulmuan një magazinë ku ndihma ushqimore për dy ditë ishte grumbulluar para shpërndarjes, tha agjencia e OKB-së për ndihmë për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA. Njerëzit rrëmbyen çfarë mundën dhe vrapuan me thasë me miell.

"Lufta e urisë ka filluar," tha Nawras Abu Libdeh, një punëtor në Han Junis, nga organizata humanitare Ndihma Mjekësore për Palestinezët, duke shtuar se “kjo është më e keqja e të gjitha luftërave”.

Në Gazën qendrore, banorët thanë se mijëra palestinezë vërshojnë mbi kamionët e ndihmave në momentin që ata mbërrijnë, duke bërtitur për ushqim dhe duke grisur pako.

"Ka 8.000 njerëz në këtë strehë dhe çdo perime zhduket para se ta shoh, sepse njerëzit kapin gjithçka kaq shpejt," tha Mazen Junaid, një baba i gjashtë fëmijëve që iku në qytetin qendror të Deir al-Balahut, nga veriu i Gazës.

Turmat, tha ai, e bëjnë të vështirë frymëmarrjen dhe lëvizjen.

Çmimet e ushqimeve bazë janë bërë të papërballueshme, thanë banorët. Një qese me miell, sipas tyre, tani kushton rreth 121 dollarë. Sheqeri, i cili mungon në supermarkete, kushton rreth 10 dollarë në tregun e zi. Kafe, vezë, biskota – këto lukse janë zhdukur.

"Ka uri, nuk ka asgjë: Nuk ka miell, nuk ka ujë," tha Etimad Hassan, i cili fle së bashku me 21 anëtarë të familjes në një tendë të vogël në Deir al-Balah.

"Ne nuk jemi kafshë. Pse na futin në tenda si qentë? Të paktën na garantoni një vend strehimi”, tha ajo duke ju dridhur zëri.

Ka pak ose aspak trajtim në dispozicion për 14 për qind të popullsisë së Gazës që vuan nga diabeti, presioni i lartë i gjakut dhe sëmundje të tjera kronike të zemrës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Persona që vuajnë nga astma nuk gjejnë inhalatorë. Diabetikët nuk gjejnë insulinë,” tha Ebraheem Matar, një mjek në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në Deir al-Balah.

"Pacientët me hipertension nuk gjejnë bllokues të receptorëve”, shtoi ai.

Junaid tha se i kalon ditët e tij duke kërkuar ushqim në rrugë dhe duke pastruar farmacitë dhe klinikat shëndetësore për ndonjë ilaç anti-inflamator, për të zbutur dhimbjet e tij të kokës. Ai shkoi në pesë farmaci, të enjten, dhe u kthye në shtëpi pa asgjë.

"Ne nuk e filluam këtë luftë," tha ai.

Dhjetëra mijëra palestinezë në Gazë janë nisur për në qytetin jugor të Rafahut, në kufi me Egjiptin. Ushtria izraelite dërgoi mesazhe paralajmëruese evakuimi mijëra civilëve në Han Junis.

Mjerimi shtrihet në horizontin e qytetin kufitar jugor. Mijëra njerëz flenë në të ftohtë jashtë. Të tjerët bëhen bashkë kudo që gjejnë hapësirë.

"Ju gjeni njerëz të zhvendosur në rrugë, në shkolla, në xhami, në spitale," tha Hamza Abu Mustafa, një mësues shkolle në Rafah.

Skena kaotike shihen në strehimoret e OKB-së në Rafah.

Zyra humanitare e OKB-së tha të mërkurën se kushtet jo të mira higjienike kanë çuar në raste të zgjebeje dhe diarresë, duke ngritur frikën se sëmundje më serioze mund të përhapen së shpejti. Punonjësit e ndihmës kanë raportuar shpërthime të sëmundjes së mëlçisë, hepatitit A.

Në spitalin Nasser, muret dridhen nga bubullima e betejave që shpërthejnë aty pranë.

Mjeku Hassani tha se gruaja e tij, katër vajzat e vogla dhe djali iu lutën që t'iu bashkohej në rrugën e tyre për në Rafah.

Por, Hasan ka refuzuar, duke u zotuar se do të vazhdojë me rutinën e zymtë që e lodhë dhe e ndjek më shumë çdo ditë.

“Pacientët e mi vijnë këtu sepse besojnë në të drejtën ndërkombëtare. Ata vijnë në spitale për kujdes dhe siguri”, tha ai.

"Unë nuk do t'i lë ata edhe nëse tanket e shkatërrojnë këtë spital”, shtoi ai.

Përgatiti: Gentiana Kadrija

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG