Së paku dy persona janë vrarë si pasojë e bombardimeve ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Herson, të martën në mëngjes, thanë zyrtarët lokalë.
Guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin, e publikoi një video të pasojave të sulmit, ku shiheshin trupat e dy personave të vdekur në një rrugë në qendër të qytetit, si dhe gjak pranë vrimave në rrugë të shkaktuara nga bombardimet.
“Mjekët që arritën shpejt në vendin e ngjarjes kanë mundur vetëm t’i shpallin të vdekur ata”, tha Prokudin duke folur për dy viktimat.
Shefi i administratës së qytetit të Hersonit, Roman Mrochko, shtoi se u sulmua edhe një godinë mjekësore, ku mbetën të plagosur lehtë katër mjekë.
Sulmet ruse në qytetin e portit në lumin Dnjepër janë bërë të zakonshme prej se ushtria ukrainase e çliroi atë vitin e kaluar. Vrasjet e civilëve në këtë pjesë raportohen pothuajse çdo ditë.
Për shkak të dimrit dhe palëvizshmërisë së vijës së frontit prej mbi 1.000 kilometra të gjatë, të dyja palët i kanë përdorur bombardimet ajrore për t'i bërë trysni ushtrive të njëra-tjetrës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’iu drejtohet sonte përmes një videoje senatorëve amerikanë, për shkak të frikës se përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar Rusinë mund të dështojnë nëse ajo nuk e ka mbështetjen e vazhdueshme nga Perëndimi.
Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë kërkesën e Shtëpisë së Bardhë prej gati 106 miliardë dollarësh për t’i financuar luftërat në Ukrainë, Izrael dhe nevojat e tjera të sigurisë.