Ndërlidhjet

Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup, në mesin e të dyshuarve edhe babai i saj


Libri i zisë për 14-vjeçaren, Vanja Gjorçevska, në gjimnazin "Pestaloci" ku mësonte ajo. Shkup, 4 dhjetor 2023
Libri i zisë për 14-vjeçaren, Vanja Gjorçevska, në gjimnazin "Pestaloci" ku mësonte ajo. Shkup, 4 dhjetor 2023

Policia dhe prokuroria maqedonase të hënën kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi, si dhe të një personi tjetër me inicialet P.ZH, 74 vjeç nga qyteti i Velesit. Njëri nga personat e arrestuar është edhe babai i vajzës.

Lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, që besohet të jetë edhe autori i krimit, është arratisur nga Maqedonia e Veriut.

Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën në Shkup, ndërsa ai 74-vjeçarit është gjetur në Veles.

Vanja Gjorçevska, 14 vjeçe, ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë.

“Lidhur me të dyja rastet janë të dyshuar pesë persona dhe për tre prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, njëri ndodhet në arrati jashtë shtetit. Ndërsa, personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike... Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë konferencës për shtyp për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, Shkup. 4 dhjetor 2023.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë konferencës për shtyp për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, Shkup. 4 dhjetor 2023.

Ai ka thënë se policia do të bëjë gjithçka të mundur për nxjerrjen para drejtësisë të autorit kryesor të krimit. Fjala është për personin me inicialet L.P nga Shkupi, i njohur në opinion si drejtues i lëvizjes “E treta”.

“Do të bëjmë gjithçka që ky person apo kjo monstër sapo të shkel në tokën tonë, të vihet para drejtësisë”, ka thënë Spasovski.

Kreu i MPB-së bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast, është i përfshirë babai i saj, i cili, siç është shprehur Spasovski, i ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.

“Motivi për këtë rast është përfitimi, me ç’rast një nga personat në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, kanë organizuar dhe kryer aktin me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur që më pas të gjithë të keni përfitime”, ka thënë Spasovski.

Nxënësit dhe qytetarët kanë vendosur lule dhe janë shkruar në Librin e zisë për Vanja Gjorçevskën, në gjimnazin ku ajo mësonte.
Nxënësit dhe qytetarët kanë vendosur lule dhe janë shkruar në Librin e zisë për Vanja Gjorçevskën, në gjimnazin ku ajo mësonte.

Sipas policisë, viktima tjetër nga Velesi nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të papastruara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal.

“Sa i përket viktimës tjetër, burrit të moshuar nga Velesi, ai nuk ka asnjë lidhje me vajzën e mitur, por [është vrarë] për shkak të raporteve të papastruara me një nga të dyshuarit, kurse automjeti i tij [74 -vjeçarit] është shfrytëzuar për ta marrë dhe vrarë vajzën. Automjeti është djegur dhe më pas është vrarë personi nga Velesi”, ka thënë Spasovski.

Një grua duke shkruar në Librin e zisë për 14-vjeçaren që u gjet e vrarë.
Një grua duke shkruar në Librin e zisë për 14-vjeçaren që u gjet e vrarë.

Për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin në Maqedoninë e Veriut, prokurori publik Gavrill Bubevski tha se do të ketë “dënime të rrepta” bazuar në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.

“Motivi është përfitimi, por kur bëhet gjatë rrëmbimit, atëherë motivi është vrasja e pastër. Vrasja e të miturve, por edhe motive të tilla parashikojnë dënimet më të rënda”, ka prokurori Bubevski.

Lidhur me vrasjen e 14-vjeçares, e cila u raportua e zhdukur, ka pasur reagime të shumta në opinion, duke kërkuar nga organet shtetërore masa të shpejta.

Kishte edhe reagime që vrasjes i jepnin motive etnike, andaj edhe pati nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe kjo bëri që Ministria e Punëve të Brendshme që në fillim të theksojë se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë me përkatësi etnike maqedonase.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG