Ndërlidhjet

Stoltenberg: NATO do të bëjë atë që duhet për të siguruar stabilitetin në Ballkan


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nëntor 2023.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nëntor 2023.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa premtoi se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, deklaroi shefi i aleancës veri-atlantike para takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të martën.

“NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, porositi Stoltenberg.

Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 nëntor kanë diskutuar ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

Takimet do të vazhdojnë edhe më 29 nëntor.

Gjermania planifikon të dërgojë në Kosovë edhe 150 ushtarë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, përmendi se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin.

“Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. NATO-ja, por edhe BE-ja, është një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock.

Diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajon ajo i cilësoi si tejet të rëndësishme. Sipas ministres Baerbock, perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme sepse ky paraqet “sigurim jetësor”.

Ajo paralajmëroi se Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it gjatë vitit tjetër.

Më 27 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ka paralajmëruar se në takim do diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.

Sipas agjencisë Associated Press, dhuna mes Kosovës dhe Serbisë ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

Pas sulmit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator, NATO ka forcuar tashmë praninë e saj ushtarake në Kosovë – e krijuar pas fushatës së bombardimeve kundër Serbisë në vitin 1999 – me rreth 1.000 trupa shtesë dhe armatime më të rënda, duke e çuar trupat e saj në Kosovë në 4.500.

Tani po shqyrtohet mundësia që numri i shtuar i ushtarëve të jetë afatgjatë, si dhe që ushtarët të kenë aftësi të shtuara ushtarake.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kurse më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas konfrontimit me protestuesit në Zveçan pasi kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë.

Debati për rajonin do të mbahet të mërkurën pasdite, ndërsa në takim do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG