Ndërlidhjet

Mjekët e luftës në Ukrainë tejkalojnë sfidat për të shpëtuar jetë


Një ushtar i plagosur ukrainas në një pikë të stabilizimit, para se të dërgohet në një spital për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Një ushtar i plagosur ukrainas në një pikë të stabilizimit, para se të dërgohet në një spital për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Ishte ende krejtësisht errësirë kur Mykyta Zavilinskyi u zgjua në orën 04:00 të mëngjesit dhe ngarendi në bazën e njësisë së tij për të evakuuar një ushtar të plagosur në fushëbetejë në rajonin e Donbasit.

Ushtari, që nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm, kishte disa plagë nga copëzat e predhave dhe kishte humbur shumë gjak.

Me plagë në këmbë dhe gjoks, lidhja e këmbës së tij me fasha ishte e pamundur, prandaj punëtorët mjekësorë ia shtypën plagët me duart e tyre.

Shoferi i makinës së tyre të llojit Mitsubishi, po udhëtonte me shpejtësi prej 150 kilometrash në orë, duke kaluar përmes zjarrit rus për në një vend më të sigurt. Teksa dielli nisi të dilte, monitorët brenda makinës treguan se niveli i oksigjenit të pacientit ishte rritur dhe rrahjet e zemrës kishin rënë.

Shumica e ushtarëve pësojnë lëndime nga shpërthimet e minave dhe zjarri i artilerisë.
Shumica e ushtarëve pësojnë lëndime nga shpërthimet e minave dhe zjarri i artilerisë.

“Partneri im dhe unë e shikuam njëri-tjetrin dhe e kuptuam se gjendja e pacientit ishte stabilizuar”, tha Zavilinskyi, 33 vjeç, duke rikujtuar evakuimin e tij të parë mjekësor nga vija e frontit në fund të prillit të vitit 2022. Ai e përshkroi këtë moment si “një prej momenteve më emocionuese” të jetës së tij.

Që atëherë, ai ka marrë pjesë në mbi 200 evakuime së bashku me anëtarët e tjerë të Batalionit mjekësor Hospitallers, që është një organizatë ukrainase e përbërë nga profesionistë shëndetësorë vullnetarë. Me ushtrinë ruse që po krye ofensiva në disa segmente të vijës së frontit, të gjatë prej 1.200 kilometrash, dhe me afrimin e luftimeve intensive gjatë dimrit, ai është i sigurt se e presin edhe shumë evakuime të tjera.

Heronj pa furnizime

Për më shumë se 20 muaj luftë kundër pushtimit rus, mijëra mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë ukrainas kanë shpëtuar jetë në mes të luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Për popullin, ata janë bërë simbol i këmbënguljes dhe shpresës. Por, në realitet mjekët e luftës në Ukrainë përballen me probleme të mëdha, që çuan me shkarkimin e komandantes së forcave mjekësore, Tetyana Ostashchenko, nga presidenti Volodymyr Zelensky, më 19 nëntor.

Këtij vendimi i parapriu zhgënjimi në rritje për furnizimet e pakta, akuzave për korrupsion dhe mungesën e trajnimit të mjaftueshëm mjekësor. Skandali më i zhurmshëm sillej rreth pajisjeve të lira, me kualitet të dobët për lidhjen e plagëve, pasi ato kryesisht ishin të prodhuara në Kinë. Por, pajisje të tilla për ushtarët e plagosur janë jetë a vdekje.

Më 31 korrik, ligjvënësja opozitare, Solomiya Bobrovska, tha se komanda e forcave mjekësore nuk kishte blerë pajisje për ndihmën e parë në vitin 2023, dhe ato që ishin ofruar përmes ndihmës ndërkombëtare, nuk ishin kontrolluar siç duhet.

Ostashchenko hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si të pavërtetë. Ajo tha se problemet me të cilat përballet Ukraina nuk kanë precedent në kohën moderne. Në të njëjtën kohë, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë u zotua se do të ndërmarrë “disa hapa dhe ndryshime organizative, të dizajnuara për të zgjidhur problemet në fushën e mjekësisë taktike”.

Mjekët e luftës duke stabilizuar gjendjen e një ushtari të plagosur ukrainas.
Mjekët e luftës duke stabilizuar gjendjen e një ushtari të plagosur ukrainas.

Por, efektet e këtyre ndryshimeve duket se kanë qenë të pamjaftueshme dhe Ostashchenkos iu desh t’ia dorëzonte komandën Anatoliy Kazmirchukut, i cili deri sa mori postin e komandantit të forcave mjekësore kishte udhëhequr spitalin ushtarak në Kiev.

Përmes një video-adresimi, duke arsyetuar këtë ndryshim, Zelensky tha se shoqëria, veçmas komuniteti i mjekëve të luftës, kërkojnë “nivel të ri të furnizimeve mjekësore për ushtarët tanë”.

Zelensky tha se ndryshimet ishin të nevojshme.

“Nga fashat për lidhjen e plagëve, që janë të kualitetit të lartë, e deri te digjitalizimi i plotë dhe transparencë në furnizime, nga trajnime të kualitetit të lartë deri te komunikimi i sinqertë me mjekët e luftës që janë në njësi që funksionojnë mirë dhe në mënyrë efikase”, tha ai.

Në pikën e stabilizimit

Sigurimi i ndihmës së duhur të parë dhe evakuimi i shpejt nga fushëbeteja – në mënyrë ideale duhet të ndodhë brenda të ashtuquajturës ‘orë të artë’ kur gjasat për ndërhyrje mjekësore dhe kirurgjikale janë më të larta për të parandaluar vdekjen – janë vendimtare për të shpëtuar jetën e ushtarëve.

Pasi të plagosurit të largohen nga betejat, shpesh pas shumë orësh duke pritur për ndihmë, ata sillen në një pikë të stabilizimit ku mjekët përpiqen t’i mbajnë gjallë derisa të arrijnë që t’i dërgojnë në spital.

“Shumica e pacientëve arrijnë këtu në gjendje të rëndë, shpesh në prag të vdekjes”, tha për Radion Evropa e Lirë, Oleksiy Marchenko, 42 vjeç. Ai këtë deklaratë në mesin e nëntorit, gjatë një vizite në një pikë të stabilizimit pranë Bahmutit, qytetit të shkatërruar në rajonin e Donjeckut, që ra nën kontrollin e mercenarëve rusë të Wagnerit dhe forcave të tjera në maj, pas muajsh luftime të ashpra.

Mjeku Oleksiy Marchenko, në një pikë të stabilizimit afër Bahmutit.
Mjeku Oleksiy Marchenko, në një pikë të stabilizimit afër Bahmutit.

Që kur Ukraina çliroi në shtator fshatrat e Klishçivijvkës dhe Andrivijkës në pjesën jugore të periferisë së Bahmutit, forcat ruse janë përpjekur që të marrin iniciativën në këtë zonë, duke kryer sulme të rregullta me këmbësori dhe granatime.

Mesatarisht, 50 ushtarë të plagosur dërgohen çdo ditë në pikën e stabilizimit, po ndonjë ditë aty dërgohen edhe deri në 200 ushtarë, tha Marchenko, duke shtuar se 80 për qind e të plagosurve kanë plagë nga shpërthimet e shkaktuara nga minat ose nga zjarri i artilerisë. Para se të bisedonte me REL-in, atë ditë ai kishte kryer tri operacione, përfshirë amputimin e këmbës së një ushtari.

“Ajo çfarë më ka lënë më shumë përshtypje është se qindra ushtarë që kanë ardhur këtu tri herë, por ata ende kthehen për të luftuar përkrah bashkëluftëtarëve të tyre”, tha ai.

Arsye për optimizëm

Disa mjekë i thanë REL-it se ka arsye për optimizëm, pavarësisht realitetit të zymtë të luftës shkatërruese.

Kolegu i Marchenkos, Volodymyr Veselovskyi, 36 vjeç, i tha REL-it se ekipi prej 20 mjekësh, që punonin bashkë me të, e kishin përmirësuar ndjeshëm mënyrën e punës që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Ai tha se rezultatet e kalimit nga kujdesi shëndetësor i stilit sovjetik, në standardet e NATO-s, tashmë është i dukshëm.

Dhjetëra fasha me të cilat lidhen plagët për të parandaluar gjakderdhjen, e të cilat janë për një përdorim të vetëm, ishin varur për t’u tharë në këtë pikë të stabilizimit. Por, në përgjithësi ky objekt ka pajisje moderne dhe është i furnizuar mirë me materiale. Shumica e furnizimeve vijnë nga vullnetarët dhe donatorët, tha Veselovskyi, duke shtuar se mbështetja e shtetit po bëhet gjithnjë e më e fuqishme.

Por, më parë nuk ka qenë situata e njëjtë. Katarzyna Daniszewska, mjeke polake dhe udhëheqëse e grupit vullnetar, Awangarda që ka ndihmuar mjekët dhe ekipet e evakuimit që nga nisja e pushtimit, tha se mjekësia e luftës në Ukrainë “po zhvillohet shumë shpejt”.

Alla Molochko dhe Oleksiy Mykhailyuk nga organizata bamirëse MAOS, organizatë që transporton çdo ditë tri pacientë nga Dobasi në Dnipro.
Alla Molochko dhe Oleksiy Mykhailyuk nga organizata bamirëse MAOS, organizatë që transporton çdo ditë tri pacientë nga Dobasi në Dnipro.

Shumica e ndryshimeve pozitive, megjithatë, janë nxitur nga impulset e ushtarëve dhe njësive të tyre në përpjekje për të rritur shanset për mbijetesë, tha ajo.

Daniszewska ka kaluar disa muaj duke punuar në disa pika të stabilizimit, përfshirë edhe në një pikë afër Bahmutit, gjatë kohës kur në atë qytet kanë ndodhur luftimet më intensive.

“Në fillim ka pasur mungesë të pajisjeve edhe për marrjen e gjakut dhe tani transfuzioni i gjakut është standard”, tha ajo.

Në shtator, pas muajsh negociata midis Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe komandës së forcave mjekësore, Qeveria u dha mjekëve të luftës, madje edhe atyre pa diploma, leje që të kryenin transfuzion të gjakut përpara shtrimit në spital të ushtarëve të plagosur. Ky vendim gjerësisht është parë si një njohje simbolike e rritjes së profesionalizimit të tyre.

“Çdo muaj, njësi dhe brigada të veçanta po bëhen gjithnjë e më të vetëmenaxhueshme”, tha Daniszewska, duke shtuar se ajo vazhdon të jetë e impresionuar me moralin e lartë të ushtrisë pavarësisht luftës rraskapitëse.

Numri i madh i të plagosurve

Përderisa luftës nuk po i shihet fundi, numri i ushtarëve të plagosur që evakuohen nga fushëbeteja, shpëtohen në pikat e stabilizimit dhe trajtohen në spitale duket se nuk ndalet.

As Ukrainas, as Rusia nuk publikon informacione lidhur me viktimat nga radhët e tyre, por sipas vlerësimeve jozyrtare amerikane, që janë raportuar nga New York Times në mes të gushtit, afër 70.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 100.000 deri në 120.000 të tjerë janë plagosur. Ndërkaq, Rusisë është raportuar se i janë vrarë 120.000 ushtarë dhe 170.000 deri në 180.000 të tjerë janë plagosur.

Zelensky së fundi ka thënë se humbjet e Ukrainës janë “pesë herë më pak” sesa ato të Rusisë, por ai po ashtu ka lënë të kuptohet se qindra ushtarë ukrainas vriten apo plagosen çdo ditë gjatë periudhave kur ka luftime intensive.

*Video: Një spital fushor në Ukrainë

Një ditë në një spital fushor të Ukrainës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Në kohën kur REL-i vizitoi mjekët në fushëbetejë, një ekip mjekësor i organizatës së ndihmës, MOAS, që transporton rastet më të rënda nga pikat e stabilizimit për në spitale, po evakuonte një person të plagosur rëndë. Ushtari i plagosur kishte shkelur në një minë tokësore dhe këmba e tij ishte coptuar dhe gjysma e trupit i ishte djegur.

E rrethuar nga monitore që bënin zhurmë dhe pajisje të tjera mjekësore, mjekja Alla Molochko, që po e trajtonte këtë ushtar, tha se ai do të shpëtojë, por e pret një periudhë e gjatë rehabilituese. Autoambulanca me të cilën po evakuoheshin po lëvizte me shpejtësi prej 130 kilometrash në orë, në mënyrë që i plagosuri të dërgohej në spitalin në Dnipro. Pas evakuimit, ky ekip mjekësor u kthye në bazën e tyre në Donbas pasi ka edhe ushtarë të tjerë të plagosur rëndë që duhet të evakuohen.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG