Ndërlidhjet

Lideri sllovak e quan konflikt të ngrirë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës


Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i ri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është një konflikt i ngrirë që nuk mund të zgjidhet duke dërguar armë për forcat e armatosura ukrainase.

Fico ka ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën pasi Qeveria e tij u betua më 25 tetor.

Pas takimit me homologun e tij çek, Petr Fiala, në Pragë më 24 nëntor, Fico tha se ai do të preferonte që pala ruse dhe ukrainase të uleshin në tavolinën e negociatave. Megjithatë, lideri sllovak nuk tregoi se si mund të arrihej kjo.

Fico udhëtoi në Pragë në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit pasi u zgjodh kryeministër. Liderët e të dyja shteteve, që më herët ishin pjesë e një shteti të quajtur Çekosllovaki, tradicionalisht vizitojnë njëri-tjetrin, pasi të zgjidhen në postet udhëheqëse shtetërore. Sllovakia dhe Republika Çeke kanë raporte të mira edhe pas ndarjes në dy shtete më 1993.

Çekia është një mbështetëse e madhe e Ukrainës dhe i ka dhuruar Kievit armë të rënda dhe armatime të tjera.

“Nuk ka dyshim që ne kemi pikëpamje të ndryshme për disa çështje”, tha Fiala.

Fico tha se respekton pozicionin çek dhe përsëriti se Sllovakia është e gatshme që t’i japë Ukrainës ndihmë humanitare dhe ndihmë tjetër.

Ai tha se nuk sheh asnjë arsye që të vizitojë Kievin, por njoftoi se do të bisedojë në telefon me homologun e tij ukrainas, Denys Shmyhal, lidhur me nevojat e Ukrainës para stinës së dimrit.

Fico u rikthye në pushtet dhe për herë të katërt do të shërbejë si kryeministër i Sllovakisë, pasi partia e tij, Smer fitoi zgjedhjet parlamentare më 30 shtator, me një platformë pro-ruse dhe anti-amerikane.

Fico ka formuan qeverinë me një parti të majtë dhe një parti ultra-nacionaliste.

Sllovakia, shtet me 5.5 milionë banorë, gjendet në kufi me Ukrainën. Ky shtet ka qenë një mbështetës i madh i Kievit pas nisjes së pushtimit nga Rusia shkurtin e vitit të kaluar, duke i dhuruar armë Ukrainës dhe duke hapur kufijtë për refugjatët që ikin nga lufta.

Përveç ndaljes së dërgesave me armë, Fico po ashtu ka shprehur kundërshti për sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe ka thënë se dëshiron që të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG