Një zjarr i ka përfshirë disa zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e së martës. Nuk raportohet për persona të lënduar, sipas Policisë së Kosovës.
Zjarrfikësit, policia dhe prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes, njoftuan autoritetet.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se "nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave".
Zjarri kaploi disa nga zyrat në katin e dytë të ndërtesës së Institutit, si dhe pjesën e çatisë mbi to.
Policia e Kosovës tha se zjarri në dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u raportua në orën 8:00 të martën.
Policia doli menjëherë në vendin e ngjarjes dhe tha se zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin.
Nuk dihet se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin në ndërtesën e këtij Instituti.
Policia tregoi se i ka nisur tashmë hetimet “për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjekoligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.
Detyrat e tij përfshijnë, po ashtu, sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive.