Ndërlidhjet

Rebelët huthi të Jemenit e rrëmbejnë një anije të ndërlidhur me Izraelin


Një anëtar i grupit huthi duke e mbajtur armën gjatë një marshi në Jemen në mbështetje të palestinezëve më 18 nëntor 2023.
Një anëtar i grupit huthi duke e mbajtur armën gjatë një marshi në Jemen në mbështetje të palestinezëve më 18 nëntor 2023.

Rebelët huthi të Jemenit e kanë kapur një anije mallrash të ndërlidhur me Izraelin në një rrugë të rëndësishme tregtare në Detin e Kuq të dielën, duke i rrëmbyer 25 anëtarët e ekuipazhit, njoftuan zyrtarët.

Kjo i ka rritur shqetësimet se tensionet e larta rajonale për shkak të luftës mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, Hamas, po nxisin një konflikt të ri detar.

Rebelët huthi, të cilët mbështeten nga Irani, thanë se e rrëmbyen anijen për shkak të lidhjeve të saj me Izraelin dhe se anijet të cilat janë të ndërlidhura apo nën pronësinë e izraelitëve do të jenë cak i tyre derisa të përfundojë lufta e Izraelit kundër udhëheqësve të Hamasit në Gazë.

“Të gjitha anijet që i takojnë armikut izraelit, apo të cilat kanë lidhje me të, do të jenë cak legjitim”, thanë rebelët huthi.

Mohammed Abdul-Salam, kryenegociatori dhe zëdhënësi i grupit huthi, tha më vonë në një komunikatë se izraelitët e kuptojnë vetëm “gjuhën e forcës”.

“Kapja e anijes izraelite është hap praktik i cili dëshmon seriozitetin e forcave të armatosura të Jemenit për betejën detare, pavarësisht kostos. Ky është fillimi”, shtoi ai.

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e fajësoi grupin huthi për sulmin ndaj anijes së ndërlidhur me një miliarder izraelit, e quajtur Galaxy Leader. Ajo tha se në bord nuk ishte asnjë izraelit.

Operatori japonez i kësaj anijeje, NYK Line, tha se ajo nuk po barte asnjë ngarkesë në kohën e rrëmbimit. Ekuipazhi përbëhej nga filipinas, bullgarë, rumunë, ukrainas dhe meksikanë, tha NYK.

Japonia e dënoi rrëmbimin e kësaj anijeje të hënën. Sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno, tha se Qeveria po bën gjithçka për ta siguruar lirimin e hershëm të ekuipazhit përmes bisedimeve me rebelët huthi.

Rebelët huthi thanë se po i trajtojnë anëtarët e ekuipazhit “në përputhje me vlerat e tyre islamike”, por nuk shpjeguan se çfarë nënkupton kjo.

Zyra e Netanyahut e ka dënuar rrëmbimin e anijes duke e quajtur “akt terrorist iranian”. Ushtria e Izraelit e cilësoi atë si “incident shumë i rëndë me pasoja globale”.

Zyrtarët izraelitë ngulën këmbë se anija është pronësi britanike dhe nën udhëheqje japoneze. Megjithatë, sipas të dhënave për pronësinë në bazën e të dhënave publike të transportimit, ajo është në pronësi të kompanisë Ray Car Carriers, e themeluar nga Abraham “Rami” Ungar, i cili njihet si njëri prej burrave më të pasur në Izrael.

Ugari tha për Associated Press se nuk ishte në dijeni për incidentin dhe se nuk mund të komentonte sepse po priste të dhënat.

Një anije e ndërlidhur me të ishte goditur nga një shpërthim më 2021 në Gjirin e Omanit.

Mediat Izraelite e patën fajësuar Iranin asokohe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG