Qeveria e Kosovës i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se është në dijeni të një kërkese për mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe përgjigja e saj do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në hartim e sipër të përgjigjes, do të analizohen edhe marrëveshjet e Brukselit, të arritura mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
"Përmbajtja dhe detajet e kërkesës do të analizohen dhe përgjigjja jonë do të jetë gjithmonë në dritën e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës, respektimit të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës sipas nenin 2 të Marrëveshjes Bazike të Brukselit 27 shkurtit, dhe praktikave evropiane të bashkëpunimit ndërshtetërore për votim jashtë vendit për qytetarët me shtetësi të dyfishtë".
Zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë, se më 3 nëntor, misioni në Kosovë e ka pranuar kërkesën prej Qeverisë së Serbisë që të përfshihet në mbledhjen e votave të banorëve të Kosovës me dy shtetësi, për zgjedhjet në Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme për 17 dhjetor të këtij viti.
Në përgjigje është thënë se OSBE-ja e ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë për këtë kërkesë, dhe se mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore për OSBE-në që të përfshihet në një organizim të tillë zgjedhor.
“Misioni e ka informuar Qeverinë e Kosovës për këtë kërkesë dhe në parim është gati për t’i mbledhur votat sipas kushteve të njëjta, bazuar në praktikat e së kaluarës. Këto kushte përfshijnë miratimin prej dy palëve dhe ofrimin e sigurisë përfshirë prej Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë e mbledhjes së votave nga OSBE-ja në Kosovë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë deri vitin e kaluar.
Më 2022, zyrtarë të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje patën thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.
Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.
Në janar të atij viti Kuvendi i Kosovës pati miratuar edhe një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Vendet e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës) dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur disa herë se Kosova nuk dëshiron t’ua pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve të Kosovës me dyshtetësi, por që nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe prej vitit 2011 është e angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.