Ndërlidhjet

Macroni i bën thirrje Izraelit ta ndalë vrasjen e grave dhe foshnjave në Gazë


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu (djathtas) gjatë një konference me presidentin e Francës, Emmanuel Macron në Jerusalem, 24 tetor 2023.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu (djathtas) gjatë një konference me presidentin e Francës, Emmanuel Macron në Jerusalem, 24 tetor 2023.

Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për BBC-në të premten vonë.

Macroni tha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.

“De fakto – sot, civilët po bombardohen – de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Macroni.

Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në qefinë të bardhë, fëmijët paguajnë çmimin e luftës në Gazë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:11 0:00

Por, ai shtoi se, derisa Franca e njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur “ne i bëjmë thirrje atyre t’i ndalin këto bombardime” në Gazë.

I pyetur nëse do të donte që liderët e tjerë – përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe – t’i bashkohen kërkesës së tij për armëpushim, Macron tha: “Shpresoj se do ta bëjnë”.

Izraeli është përballur me thirrje të mëdha për t’u vetëpërmbajtur në luftën tashmë njëmujore me grupin ekstremist, Hamas, por thotë se militantët e këtij grupi, të cilët e sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë e rrëmbyen njerëz, do ta shfrytëzonin armëpushimin për ta rimarrë veten.

Në një reagim ndaj Macronit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se liderët botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, e jo Izraelin.

“Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gazë do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe çdo kund në botë”, tha Netanyahu.

Intervista e Macronit për BBC-në u transmetua një ditë pasi u mbajt një konferencë humanitare për Gazën në Paris.

Macroni tha se “konkluzionet e qarta” të të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në këtë konferencë janë se “nuk ka zgjidhje tjetër mos një pauze humanitare së pari, pastaj kalimi te një armëpushim, i cili do të mundësonte mbrojtjen... e të gjithë civilëve të cilët nuk kanë asgjë të bëjnë me terroristët”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200.

Paraprakisht, zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona u vranë nga Hamasi gjatë sulmeve në jug të Izraelit, gjë që nxitën luftën në Gazë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG