Ndërlidhjet

“Si askush në botë”: Mjerimi i fëmijëve në Gazë


Gazë. Nëntor, 2023.
Gazë. Nëntor, 2023.

Prej se Izraeli ka nisur sulmet hakmarrëse kundër grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës më 7 tetor, numri i trupave të vegjël, të mbështjellë me qefinë të bardhë e të rrethuar nga britmat e të qarat e të afërmve, ka shkuar duke u rritur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë më shumë se 4.500 fëmijë të vrarë në pak më shumë se një muaj luftë.

“Kishte vetëm dy muaj e gjysmë. Çfarë ka bërë? A ka vrarë? A ka plagosur dikë? A ka rrëmbyer dikë? Ata ishin fëmijë të pafajshëm brenda shtëpisë së tyre”, tha një baba palestinez për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ai humbi katër fëmijët e tij, më të madhin 14 vjeç, dhe gruan, pasi një sulm ajror i Izraelit goditi shtëpinë e tyre në veri të Gazës.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit thotë se ka në shënjestër militantët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe akuzon grupin ekstremist për fshehjen e luftëtarëve dhe armëve në zonat e banuara.

Hamasi, i cili kontrollon Gazën, ka nxitur reagimin e ashpër të Izraelit, pasi i pari ka sulmuar territorin e tij, duke vrarë mbi 1.400 veta dhe dukemarrë afro 240 pengje.

Në pesë javë sulme në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore atje, janë vrarë mbi 10.000 njerëz - gati gjysma e tyre fëmijë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se Gaza po shndërrohet në vend-varrezë për fëmijët.

“Operacionet tokësore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe bombardimet e vazhdueshme po godasin civilë, spitale, kampe refugjatësh, xhami, kisha dhe objekte të OKB-së, përfshirë strehimore. Askush nuk është i sigurt”, ka thënë Guterres.

Reagimet e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë një të përbashkët: thirrjen për armëpushim të menjëhershëm.

Jason Lee, drejtor për Territoret Palestineze i grupit Save the Children, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se fëmijët në Gazë po paguajnë një çmim të madh të konfliktit dhe se të gjitha palët duhet t’i përmbushin obligimet për mbrojtjen e tyre.

“Situata në Gazë është e rëndë dhe po përkeqësohet. Tani jemi në një kohë kur çdo 10 minuta vritet një fëmijë dhe çdo pesë minuta lëndohet një fëmijë. Dhe këto janë lëndime që ndryshojnë jetë”, ka thënë Lee.

Save the Children, me selinë qendrore në Londër, ka vlerësuar në një raport se vetëm në tri javët e para të luftës, numri i fëmijëve të vrarë në Gazë ka tejkaluar numrin total të të vrarëve në të gjitha zonat e konfliktit në botë, në çdo vit nga viti 2019 e këndej.

Por, nëse jo sulmet, shkaktare mund të bëhen edhe sëmundjet. Kombet e Bashkuara dhe grupi bamirës britanik, Oxfam, kanë paralajmëruar se kolapsi i shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve, si pasojë e rrethimit të Gazës, mund të çojë në shpërthime masive të kolerës dhe sëmundjeve të tjera infektuese. Dhe, në rrethana të tilla, fëmijët dhe foshnjat do të jenë në rrezik të lartë.

Rregullat e pranuara ndërkombëtarisht të konfliktit të armatosur janë mishëruar në Konventat e Gjenevës në vitin 1949 dhe, sipas tyre, fëmijët duhet të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë njerëzore.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Gazë gati gjysma e popullsisë 2.3 milionë banorëshe janë fëmijë nën 18 vjeç. Shumica e atyre që kanë lindur nga viti 2007, kur Hamasi ka marrë kontrollin, nuk kanë dalë nga Gaza kurrë, për shkak të një bllokade të Izraelit, të vendosur në po të njëjtin vit.

Shumica janë rritur në varfëri, pak kanë pasur qasje të rregullt në kujdes të duhur shëndetësor, arsim ose ujë të pastër. Dhe, lufta aktuale vetëm se ka nxjerrë edhe një herë në pah se sa të cenueshëm janë ata.


Jess Ghannam, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se për fëmijët në Gazë, praktikisht, nuk ka asnjë vend të sigurt.

I specializuar për efektet psikologjike të konfliktit të armatosur te fëmijët, Ghannam thotë se katastrofa që po shpaloset në Gazë, nuk është parë ndonjëherë në epokën moderne.

...ka vërtet gjëra të tmerrshme dhe traumatike që po ndodhin në botë, por asgjë nuk krahasohet me atë që po përjetojnë fëmijët në Gazë".

“Dhe, të jem i sinqertë, është jashtëzakonisht e vështirë dhe e dhimbshme të jesh dëshmitar i këtyre niveleve të vdekjeve dhe shkatërrimeve që kanë përfshirë palestinezët që jetojnë në Gazë. Është e tmerrshme, e neveritshme dhe fatkeqe që nuk ka ndonjë lëvizje në komunitetin global, në nivelin qeveritar, për ta ndaluar këtë”, thotë Ghannam.

Përmes një deklarate të përbashkët, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Kanadasë kanë bërë thirrje për “respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë, përfshirë edhe mbrojtjen e civilëve”. Por, sipas raportimeve të autoriteteve lokale, atje vazhdon të ndodhë e kundërta.

Psikiatri Ghannam, i cili ka vizituar Gazën dhjetëra herë në dy dekadat e fundit, kujton se fëmijët atje kanë përjetuar tashmë disa luftëra mes Izraelit e Hamasit.

“Nëse je fëmijë që ke lindur pas vitit 2006 në Gazë, ti ke përjetuar së paku pesë sulme të mëdha ushtarake nga ushtria izraelite, me bomba që bien në komunitetin tënd. Ke parë vdekje dhe shkatërrime në komunitet dhe familje, si asnjë fëmijë tjetër në botë. Pra, nuk ka asgjë si kjo. Nuk ka asnjë krahasim në botë. Kjo është e trishtueshme, sepse ka vërtet gjëra të tmerrshme dhe traumatike që po ndodhin në botë, por asgjë nuk krahasohet me atë që po përjetojnë fëmijët në Gazë”, thotë Ghannam.

Ai tregon se trauma ka ndikim më të madh te një person kur ai nuk është në gjendje të largohet nga një situatë e rrezikshme. Për fëmijët thotë se trauma prek sistemin e tyre nervor në forma shumëdimensionale dhe ndikon te mënyra se si zhvillohen emocionalisht dhe si avancojnë në procesin e të mësuarit.

“Edhe nëse bombardimet ndalen sot, pasojat do të zgjasin gjatë gjithë jetës së tyre, por do të barten edhe te fëmijët dhe nipërit e tyre. Kjo është diçka që do të vazhdojë për shumë breza, për fat të keq”, thotë Ghannam.

Sipas një raporti të publikuar nga organizata Save the Children në vitin 2022, katër nga pesë fëmijë në Gazë jetojnë me depresion, pikëllim dhe frikë, ndërsa më shumë se gjysma luftojnë me mendime vetëvrasëse.

Një fëmijë, prindi i të cilit është plagosur, është vrarë ose është marrë peng, është i tronditur. Jeta e atij fëmije është marrë".

Sipas një tjetër studimi të publikuar në vitin 2020 në revistën “Frontiers in Psychiatry”, afër 90 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Gazë kanë përjetuar traumë personale dhe më shumë se 80 për qind kanë qenë dëshmitarë të traumave të të tjerëve.

Abigail Gewirtz, psikologe për fëmijë në Universitetin e Arizonës, thotë se mënyra se si një fëmijë përballet me traumën, lidhet drejtpërdrejt me nivelin e mbështetjes që ka nga prindi ose kujdestari. Nëse nuk e ka atë mbështetje, trauma tek ai bëhet edhe më e theksuar.

“Një fëmijë, prindi i të cilit është plagosur, është vrarë ose është marrë peng, është i tronditur. Jeta e atij fëmije është marrë. Nuk ka, padyshim, asgjë më të tmerrshme për një fëmijë sesa ndarja nga prindi ose humbja e tij. Dhe nuk ka asgjë më të tmerrshme për një prind sesa të dijë se fëmija i tij është diku larg pa të, ose i plagosur ose i vrarë”, thotë Gewirtz për Exposenë.

Ekspertët thonë se fëmijët në anën tjetër të konfliktit, në Izrael, janë të ekspozuar njësoj ndaj ngjarjeve traumatike, përfshirë sirena sulmesh apo shpërthime të papritura.

Në sulmin e Hamasit, më 7 tetor, autoritetet izraelite kanë thënë se janë vrarë edhe fëmijë e foshnje, ndërsa në mesin e pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga Hamasi janë, po ashtu, së paku 30 fëmijë.

Si Ghannam, ashtu edhe Gewirtz thonë se trauma dhe stresi që përjetojnë disa fëmijë në Izrael, nuk dallojnë nga ato që përjetojnë bashkëmoshatarët e tyre në anën tjetër të kufirit. Dallimi i vetëm është se fëmijët në Izrael kanë qasje në kujdes mendor, ata në Gazë kryesisht jo.

“Ne e dimë që fëmijët janë fleksibilë dhe kanë nevojë për disa gjëra për t’u shëruar nga ngjarjet traumatike. Në radhë të parë janë prindërit dhe kujdestarët që mund t’i mbështesin, të kujdesen për ta, t’i duan dhe t’iu ndihmojnë me rutinën e tyre”, thotë Gewirtz.

“Trauma është e vazhdueshme, me ditë, javë, muaj, vite e dekada. Dhe kur nuk ka infrastrukturë të kujdesit shëndetësor, kur mungon qasja në trajtim, trauma nuk ka asnjë mundësi të shërohet. Ky, në fakt, është dallimi kryesor midis fëmijëve palestinezë dhe fëmijëve izraelitë, të cilët kanë qasje në disa nga shërbimet më të mira të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën”, thotë Ghannam.

Të dy bashkëbiseduesit pajtohen se ajo që po ndodh me fëmijët në këtë konflikt, nuk është në interesin e askujt që do paqe midis izraelitëve dhe palestinezëve. Dhe një gjë është e sigurt, kostoja e kësaj lufte në fund do të matet edhe me jetët e këtyre fëmijëve - si atyre që humbën, ashtu edhe atyre që ndryshuan përgjithmonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG