Ndërlidhjet

Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave me Bosnjë e Hercegovinën, por me kushte


Flamuri i Bosnje e Hercegovinës dhe ai i Bashkimit Evropian - Fotografi ilsutruese nga arkivi.
Flamuri i Bosnje e Hercegovinës dhe ai i Bashkimit Evropian - Fotografi ilsutruese nga arkivi.

Komisioni Evropian (KE) rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës me BE-në kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t'i raportojë Këshillit deri në marsin e vitit 2024 për çdo progres të arritur.

"Ne njohim një sërë hapash pozitivë politikë dhe ligjorë. Përkushtimi i partive politike për qëllimin e anëtarësimit, pa dyshim, ka sjellë rezultate pozitive. Ka përparim në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, për shembull. Por, ne vërejmë me shqetësim edhe ligjet e ndryshme antikushtetuese të miratuara nga përfaqësuesit e entitetit Republika Sërpska”, tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në Bruksel të mërkurën.

Në raportin vjetor për Bosnjë e Hercegovinën, thuhet se kur Komisioni të vlerësojë se Bosnja dhe Hercegovina ka arritur nivelin e nevojshëm të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe veçanërisht ka përmbushur prioritetet kryesore, "Komisioni do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”.

“Bazuar në konkluzionet e Këshillit nga 2 dhjetori 2019, Komisioni fokuson raportet e tij vjetore në zbatimin e 14 prioriteteve kyçe të Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në dokument.

Më herët, gjatë diskutimeve për miratimin e paketës së zgjerimit për këtë vit dhe raporteve të progresit, brenda Komisionit Evropian (KE) është shfaqur mospajtim i thellë rreth idesë që KE-ja të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën.

Në takimet e shefave të kabineteve të komisionarëve të hënën dhe të martën nuk ishte arritur pajtim, prandaj kjo çështje ishte lënë për t’u vendosur personalisht nga komisionarët në takimin e kolegjit, të mërkurën.

Komisionarët nga Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia dhe disa vende tjera kanë insistuar se Komisioni duhet të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën, sepse me këtë hap do të ndihmohej procesi i reformave dhe stabiliteti i këtij vendi. Posaçërisht ky insistim është i lidhur me faktin se Komisioni propozon nisjen e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat në procesin e zgjerimit kanë hyrë 20 vjet pas Bosnjë e Hercegovinës.

Mirëpo, ka pasur shumë kundërshtime brenda Komisionit, duke argumentuar se vetë raporti i progresit për Bosnje e Hercegovinën konstaton se ky vend ka ngecur shumë në procesin e reformave dhe nuk i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian kur kishte rekomanduar statusin e vendit kandidat për Bosnje e Hercegovinën.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën rekomandime për nisjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa vendimin e marrin liderët e shteteve anëtare në Këshillin Evropian.

Bosnjë e Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit vitin e kaluar kur ky status u është dhënë edhe Ukrainës dhe Moldavisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG