Ndërlidhjet

Mundësi të ngrysura për pengjet në Gazë


Protestuesit mbajnë në duar fotografi të fëmijëve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë një tubimi në mbështetje të Izraelit. Pragë, Republika Çeke, 1 nëntor 2023.
Protestuesit mbajnë në duar fotografi të fëmijëve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë një tubimi në mbështetje të Izraelit. Pragë, Republika Çeke, 1 nëntor 2023.

Hera e fundit kur Hadas Kalderon ka folur me fëmijët e saj, vajzën 16 vjeçe dhe djalin 12 vjeç, ka qenë e shtuna e 7 tetorit.

Atë ditë, militantë të Hamasit kanë sulmuar vendbanime në pjesën jugore të Izraelit, kanë vrarë mbi 1.400 veta dhe kanë marrë 239 pengje.

Hadas, 56 vjeçe, ndau me Radion Evropa e Lirë bisedën e fundit me fëmijët e saj, përpara se të rrëmbeheshin bashkë me babanë e tyre.

“Mesazhi i fundit që kam marrë, ka qenë rreth orës 8:30 të mëngjesit. Më kanë thënë se po i dëgjojnë terroristët... Kemi kërcyer nga dritarja dhe po fshihemi në shkurre. Djali im, Erez, 12 vjeç, më ka shkruar: Mami të dua, rri e heshtur, mos lëviz”.

E gjendur në lokacion tjetër, Hadas i ka mbijetuar sulmit, ndërsa nëna dhe mbesa i janë vrarë. Thotë se mbi 80 të afërm dhe fqinj në vendbanimin e saj Nir Oz janë vrarë ose rrëmbyer. Për fëmijët e saj beson se janë gjallë.

“Edhe babai i tyre po ashtu. Jam e sigurt që ai po bën çmos për t’u kujdesur për ta si gjithmonë. Shpresoj të jenë bashkë. Shpresoj që t’i japin fuqi njëri-tjetrit. Shpresoj dhe e di se do të kthehen shpejt... Shumë shpejt”.

Qindra pengjet janë kapur nga Hamasi në qytetet kufitare me Gazën, në një festival muzikor në natyrë dhe në disa baza ushtarake. Ato përfshijnë civilë të moshave të ndryshme - në mesin e tyre 33 fëmije dhe një foshnje 9-muajshe - si dhe shërbyes ushtarakë.

Sipas Qeverisë izraelite, më shumë se gjysma e pengjeve besohet se kanë pasaporta të huaja dhe se vijnë nga 25 vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Argjentinën, Tajlandën dhe Rusinë.

Hamasi ka liruar deri më tash katër pengje, ndërsa ushtria izraelite ka bërë të ditur në fillim të kësaj jave se ka shpëtuar një.

Presioni mbi autoritetet për t’i kthyer robërit, është rritur. Me fotografitë e familjarëve të rrëmbyer në duar, dhjetëra njerëz kanë protestuar të mërkurën në Tel Aviv, duke bërë thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe për shpëtimin e pengjeve.

Shqetësimet e tyre janë rritur prej se ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet hakmarrëse në Gazë - territorin palestinez që kontrollohet nga grupi militant. Të premten e 27 tetorit, forcat izraelite kanë kryer bombardimet më të rënda në Gazë që nga shpërthimi i luftës, katër javë më parë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje, mbi 9.000 njerëz janë vrarë nga sulmet hakmarrëse izraelite.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit, i bindur se ofensiva ushtarake tokësore në Gazë do ta rrisë presionin mbi Hamasin për t’i liruar pengjet.

“Vlerësimi ynë i përbashkët, jo vetëm i anëtarëve të kabinetit, por i të gjitha forcave të sigurisë dhe ushtrisë, është se aksioni tokësor krijon mundësi për shpëtimin e pengjeve tona, sepse Hamasi nuk do t’i lirojë ato nëse nuk është nën presion. Thjesht, nuk do ta bëjë”, ka thënë Netanyahu.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka thënë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por ka shtuar se “pauza humanitare do të ishte një gjë e mirë për t’i nxjerrë pengjet”.

Marrja e pengjeve konsiderohet krim lufte. Është e ndaluar me Konventat e Gjenevës dhe ka, po ashtu, konventë të vetën ndërkombëtare.

Disa ekspertë kundër terrorizmit thonë se me keqardhje presin që shumë pengje të marra nga Hamasi, të vdesin.

“Kjo është një sfidë e përmasave që nuk janë parë më parë. Se si do të përfundojë kriza, është supozim i secilit, por derdhja e gjakut të pafajshëm është e sigurt se do të vazhdojë”, ka shkruar Bruce Hoffman, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, në ueb-faqen e këtij instituti.

Në prapaskenë janë disa vende, si SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, që po përpiqen të negociojnë lirimin e pengjeve. Administrata amerikane thotë vazhdimisht se po bën gjithçka të mundur, por nuk është shumë e qartë se çka.

Nancy Zarse, eksperte e negociatave për pengje dhe ish-konsulente e programit të FBI-së kundër ekstremizmit të dhunshëm, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se janë tri qasje që Izraeli dhe SHBA-ja mund të ndërmarrin: e para, të negociojnë drejtpërdrejt me Hamasin; e dyta, të negociojnë në mënyrë indirekte, përmes një pale të tretë; dhe e treta dhe ndoshta më e rrezikshmja, është operacioni i shpëtimit.

Asnjëra përpjekje nuk është më e lehtë, thotë ajo, marrë parasysh edhe specifikat e situatës.

“Duket se pengjet janë ndarë dhe se po mbahen në shumë lokacione. Kjo e bën më të vështirë përpjekjen për t’i gjetur të gjitha, nëse qëllimi është një operacion shpëtimi. Kjo, po ashtu, rrit mundësinë që tani keni të bëni me pengmarrës të ndryshëm që kanë kërkesa të ndryshme. Edhe pse Hamasi mund të ketë filluar si një grup - si një grup terrorist që merr pengje - tani terroristë të ndryshëm janë ndarë me pengjet e tyre. Ndjenjat e tyre mund të dalin në pah dhe të kemi kërkesa të shumta”, thotë Zarse.

  • Të gjitha episodet e rubrikës Expose mund t'i gjeni këtu

Vetë Hamasi ka thënë se i ka fshehur dhjetëra pengje “në vende të sigurta dhe në tunele të rezistencës”.

Grupi, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, besohet se përdor një rrjet të tuneleve nëntokësore - pjesa më e madhe e të cilit gjendet nën infrastrukturën civile - për të lëvizur pa u zbuluar.

Grupi, po ashtu, ka thënë se sulmet e Izraelit kanë vrarë tashmë disa pengje, edhe pse këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

  • Të gjitha informacionet për luftën Izrael-Hamas mund t'i gjeni këtu

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka thënë se grupi është i gatshëm t’i lëshojë pengjet në këmbim të armëpushimit dhe lirimit të të gjithë palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite - kërkesa që ushtria izraelite i ka hedhur poshtë tashmë.

“Banda arrogante izraelite duhet ta dijë se po mbytet në rërën e Gazës. Kjo do t’i kushtojë shumë, në të gjitha frontet, edhe me jetën e pengjeve, që janë të ekspozuar ndaj të njëjtit shkatërrim, sikurse populli ynë”, ka thënë Haniyeh.

Mijëra palestinezë mbahen në burgjet izraelite prej vitesh - shumë prej tyre të dënuar për kërcënime për sigurinë ose për përfshirje në terrorizëm.

Zarse thotë se çelës i suksesit të negociatave mund të jenë vetëm negociatorët e trajnuar mirë dhe të shkathët kulturalisht - pra, që janë në gjendje t’i menaxhojnë emocionet dhe të angazhohen me individë të kulturave të tjera. Në të kundërtën, dritarja e negociatave mund të mbyllet.

“Hamasi është mjaft rezistent. Qëllimi i deklaruar i kësaj organizate terroriste është shkatërrimi i plotë i Izraelit. Nuk ka shumë vend për kompromis këtu. Izraeli padyshim që nuk mund ta përballojë të shkatërrohet, dhe ndjen sikurse është i mbështetur për mur. Ne vetëm mund të shpresojmë se do të mbizotërojnë koka më të ftohta, se negociatat do të jenë efektive dhe se pengjet ose do të lirohen, ose do të shpëtohen. Kjo është sigurisht shpresa e fundit”, thotë Zarse.

Zarse shton se Hamasi, tani për tani, duket se nuk e ka përmbushur zotimin e tij për t’i ekzekutuar pengjet, në hakmarrje për sulmet ajrore të Izraelit në Gazë, dhe kjo, sipas saj, ofron të vetmen dozë optimizmi.

“Gjërat themelore që ndoshta nuk janë vendosur ende në tavolinë, por që absolutisht i ndikojnë negociatat, kanë të bëjnë me respektin. Palët nuk do të thotë se duhet të pajtohen, por duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, t’i respektojnë pozicionet e tyre, ta dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të nxjerrin një plan pozitiv - në kuptimin që nëse e bën këtë, pastaj kjo gjë e mirë do të të ndodhë”, thotë Zarse.

Çështja e izraelitëve në robëri shihet si thellësisht emocionale në Izrael. Në vitin 2006, militantët në Gazë kanë kapur ushtarin izraelit, Gilad Shalit, dhe e kanë mbajtur pesë vjet në robëri. Ai është këmbyer pastaj me më shumë se 1.000 të burgosur palestinezë - shumë prej të cilëve kanë qenë të dënuar për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.

Hamasi, po ashtu, ka mbajtur eshtrat e dy ushtarëve izraelitë të vrarë në luftën e vitit 2014, si dhe dy civilë izraelitë, që kanë hyrë atë vit në Gazë në këmbë dhe besohet se janë ende gjallë.

Pentagoni ka dërguar tashmë një ekip të forcave të Operacioneve Speciale në Izrael, për të ndihmuar me informacione të inteligjencës, në përpjekje për të zgjidhur krizën e pengjeve, që disa media perëndimore e kanë përshkruar si më të vështirën në historinë e Izraelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG