I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nënvizoi domosdoshmërinë që përveç Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i Kosovës, Serbia duhet të zbatojë të gjitha nenet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
“Por, ky [Asociacioni] nuk është i vetmi element që duhet të zbatohet. Serbia po ashtu ka shumë obligime të pazbatuara nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të ecë paralelisht, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të marrin atë për të cilën janë pajtuar”, tha Lajçak përmes një postimi në rrjetet sociale.
Duke iu referuar propozimit të fundit evropian për statutin për Asociacionin, që iu paraqit palëve më 21 tetor gjatë vizitës së “Pesëshes së Madhe”, Lajçak theksoi se ky propozim është një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me standardet më të mira evropiane “dhe nuk shkel vijat e kuqe të paraqitura nga palët”.
Lajçak konfirmoi se Kosova dhe Serbia kanë pasur komente dhe pyetje lidhur me propozimin evropian dhe tha se blloku evropian në javët në vijim do të sqarojë të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e palëve.
Ai paralajmëroi një takim midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
“Tani, fokusi duhet të jetë në avancimin e zbatimit të marrëveshjes pa parakushte dhe vonesa. Siç e kanë theksuar qartë liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm”, shkroi emisari evropian.
Më 26 tetor, liderët e tri shteteve kyçe të BE-së - Francës, Gjermanisë dhe Italisë – së bashku me përfaqësuesit e institucioneve të bllokut, zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pavarësisht përfshirjes së nivelit të lartë politik në përpjekjet për të zhbllokuar dialogun, palët nuk arritën të pajtoheshin për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët.
Kurti shprehu gatishmërinë që të nënshkruajë një Marrëveshje për normalizim, përfshirë edhe propozimin evropian për formimin e Asociacionit, por shtoi se Vuçiq nuk ishte i gatshëm. Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të zbatojë nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit që nuk përfshijnë respektimin e integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq arritën Marrëveshjen drejt normalizimit. Më 18 mars, në Ohër palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Megjithatë, marrëveshja nuk është nënshkruar nga palët, pasi presidenti serb ka refuzuar duke argumentuar se “Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova jo”.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Një ditë pas takimeve në Bruksel, Franca, Gjermania dhe Italia i kërkuan Serbisë që të njohë de facto Kosovën dhe që Kosova të formojë Asociacionin.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.