Ndërlidhjet

SHBA-ja i ndan me Izraelin mësimet e vështira nga lufta në Irak dhe Siri


Tanket e Ushtrisë së Izraelit zhvendosen pranë kufirit me Rripin e Gazës në jug të Izraelit, 13 tetor 2023.
Tanket e Ushtrisë së Izraelit zhvendosen pranë kufirit me Rripin e Gazës në jug të Izraelit, 13 tetor 2023.

AP

Mundësia që Ushtria e Izraelit ta nisë ofensivën tokësore nëpër lagjet e dendura urbane të Rripit të Gazës, ku militantët i përdorin civilët si mburoja njerëzore, sjell në mendje kujtime përvëluese të betejave vdekjeprurëse të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që luftoi kundër grupit ekstremist Shteti Islamik, në Irak dhe Siri.

Për Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin dhe liderët e tij ushtarakë, ato luftime të ashpra dhe mijëra civilët e vrarë nga sulmet ajrore dhe dyluftimet nëpër lagjet e Mosulit dhe Rakës, janë mësime që duhet të ndahen në një kohë kur Izraeli po përgatitet për një pushtim tokësor kundër Hamasit.

“Në bisedat tona me izraelitët, dhe siç e kemi bërë të shumë të qartë, ne po vazhdojmë ta theksojmë rëndësinë e uljes së numrit të viktimave civile dhe të garantimit... se gjërat si korridoret e sigurta duhet të mendohen mirë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, të martën.

SHBA-ja mund ta përshkruajë qartazi dhe hollësisht dëmin që u është shkaktuar civilëve. Gjatë rrethimit tetëmuajsh për ta çliruar Mosulin nga militantët islamistë, u vranë 10.000 njerëz, përfshirë së paku 3.200 civilë nga sulmet ajrore, zjarri i artilerisë apo predhave mes tetorit 2016 dhe rënies së Shtetit Islamik në korrik 2017, sipas një hetimi të Associated Press. Një numër pothuajse i njëjtë i civilëve u vranë apo u morën peng nga militantët dhe u përdorën si mburoja njerëzore për të ikur nga qyteti.

Në Mosul, shkatërrim dhe shpresë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Austin, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Charles CQ Brown, shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali Eric Kurilla, si dhe komandantët e tjerë të lartë të Ushtrisë Amerikane, kaluan kohë në rajon asokohe dhe e panë dhunën duke ndodhur.

Ata ishin të vetëdijshëm për përpjekjet për të hapur korridore humanitare dhe për vendimet për pauza operacionale derisa civilët ishin paralajmëruar të iknin. Prandaj, ata po bisedojnë me homologët e vet izraelitë pothuajse çdo ditë, po japin këshilla për sfidat e luftimeve në zona urbane, kërcënimet nga minat tokësore, bombat skaj rrugëve dhe përpjekjet për t’i mbrojtur civilët gjatë shkatërrimit të militantëve të fshehur nëpër shkolla, xhami e shtëpi.

“Ndarja e mësimeve që i kemi marrë për 20 vjet po bëhet me të gjitha nivelet e lidershipit [ushtarak]”, tha zëdhënësi i Brown, Jereal Dorsey.

Duke qenë e vetëdijshme për këtë prioritet, SHBA-ja e ka dërguar një ekip këshilltarësh ushtarakë në Izrael, përfshirë gjeneralin e marinës James Glynn - i cili ndihmoi në udhëheqjen e operacioneve speciale kundër grupit të Shtetit Islamik dhe, po ashtu, shërbeu në Fallujah gjatë disa prej luftimeve më të ashpra urbane gjatë kulmit të luftës në Irak - do të jetë në gjendje t’i këshillojë izraelitët si ta shmangin sa më shumë vrasjen e civilëve gjatë luftimeve nëpër zona urbane.

“Këta zyrtarë, përfshirë gjeneralin Glynn, kanë përvojë në luftimet në zonat urbane”, tha Ryder të martën.

“Ata janë atje përkohësisht me ekipin e tyre ushtarak thjesht për të biseduar rreth disa prej pyetjeve të rënda të cilat IDF-ja [Forcat Mbrojtëse të Izraelit] duhet t’i marrë parasysh teksa planifikon skenarë të ndryshëm”, shtoi ai.

Gjatë bisedimeve javën e kaluar me liderët e Qeverisë dhe Mbrojtjes së Izraelit në Tel Aviv, Austin e solli ndër mend përvojën e tij si lider i Komandës Qendrore Amerikane gjatë dy vjetëve të para të luftës për ta mposhtur grupin Shteti Islamik.

Ai foli për mësimet e marra, përfshirë të kuptuarit se bota po shikon, sipas burimeve që ishin të pranishme në takime.

Austin ishte i qartë, publikisht dhe privatisht, se, derisa izraelitët i planifikojnë operacionet ushtarake, përfshirë pushtimin e mundshëm tokësor të Gazës, ata duhet ta marrin parasysh sigurinë e civilëve.

“Janë disa mësime që i kemi mësuar të cilat me shumë kënaqësi do t’i ndanim me aleatët tanë këtu, sa i përket operacioneve efektive në terrenet e dendura urbane dhe krijimin e korridoreve të sigurta humanitare”, tha Austin.

Gjenerali i pensionuar i Ushtrisë Amerikane, Joseph Votel, i cili e mori drejtimin e Komandës Qendrore Amerikane më 2016 kur u pensionua Austini dhe i udhëhoqi operacionet, tha se mesazhi më i rëndësishëm për izraelitët – të cilin e kanë përçuar Austini, sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe presidenti Joe Biden – nuk është e rëndësishme ajo çfarë bën Izraeli në zotimin e tij për ta shkatërruar Hamasin, por mënyra sesi ushtria e bën atë.

“Rëndësi të vërtetë ka mënyra sesi e kryen këtë fushatë. Dhe, ata duhet ta bëjnë këtë në një mënyrë e cila pasqyron vlerat dhe shqetësimet e palestinezëve të pafajshëm, të cilët po mbahen peng nga Hamasi”, tha Votel.

Ai shtoi se ka shumë ngjashmëri dhe disa dallime kyçe mes misioneve të SHBA-së në Irak dhe Siri dhe pushtimit të mundshëm të Gazës nga Izraeli.

Hamasi, tha ai, është i armatosur më mirë, me eksplozivë më të sofistikuar dhe armë të tjera me të cilat e ka furnizuar Irani. Dhe, tunelet labirinte nën Gazë janë shumë më të zhvilluara dhe më të gjata se ato në Rakë.

Ushtarakisht, theksoi ai, Izraeli e ka një kundërshtar më të sofistikuar dhe të armatosur më mirë se Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Ai tregoi se SHBA-ja dhe koalicioni i aleatëve kishin më shumë kohë për t’u përgatitur për betejën për ta çliruar Mosulin. Derisa koalicioni e vazhdoi pushtimin drejt lumit Eufrat, i ndaloi operacionet disa herë në mënyrë që të takohej me liderët lokalë fisnorë në përpjekje për t’i larguar civilët nga vija e frontit të luftimeve.

Brutaliteti i gjithë kësaj është një gjë tjetër që i vjen ndër mend Austinit, bashkë me nevojën për t’i ndalur militantët të cilët janë futur thellë brenda zonave civile.

“Duke e luftuar ISIS-in ndjeva sikur ia kishim ngulur sytë djallit. Ishte vërtet djallëzore. Dhe, ajo që e kemi parë nga Hamasi, është djallëzi e një niveli tjetër. Pra, kjo është gjëja e parë që duhet ta kujtojmë dhe mendojmë”, tha Austin.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG