“Mami, të dua, rri e heshtur, mos lëviz” ishte mesazhi i fundit që Hadas Kalderon mori nga djali i saj gati 12 vjeç, Erez.
Militantët e Hamasit sulmuan mëngjesin e 7 tetorit shtëpinë e babait të tij në jug të Izraelit.
Erez po flinte aty bashkë me motrën Sahar, 16 vjeçe.
“Ju dua shumë, ju përqafoj shumë. Nuk e di nëse do të mbijetoni, jini të fortë”, shkroi Hadas në grupin e familjes në Whatsapp.
Përgjigje tjetër nuk mori kurrë.
“Ata bërtisnin Allahu Akbar”
Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, 56-vjeçarja përshkruan terrorin që përjetoi kur militantët e Hamasit u futën në vendbanimin e tyre, Nir Oz.
Shkuan nga shtëpia në shtëpi, duke masakruar fëmijë, gra e burra dhe duke marrë pengje.
Dy fëmijët e Hadasit bashkë me babanë e tyre u rrëmbyen, ashtu si edhe nëna e saj dhe një mbesë e saj.
Ditën e kërdisë, Hadas ishte vetëm në shtëpi.
U fut në dhomën e sigurt dhe, fillimisht, i dërgoi mesazh ish-bashkëshortit Ofir, duke i kërkuar që të ketë kujdes me fëmijët.
Pas pak minutash, militantët arritën edhe në shtëpinë e saj dhe u vunë zjarrin disa pjesëve.
“Unë nuk di arabisht, por ata bërtisnin Allahu Akbar”.
Derisa luftonte për jetën e saj, duke bllokuar derën e dhomës së sigurt, Hadas vazhdonte të shkëmbente mesazhe edhe në grupin e familjes.
Në një moment shkroi Erezi: “Po fshihemi në shkurre”.
Aty kuptoi se Ofir nuk do të mund t’i mbronte fëmijët nëse do të qëndronin në shtëpi, kështu që të gjithë ikën prej andej.
Hadas qëndroi tetë orë në dhomën e sigurt, derisa arriti ushtria izraelite.
“Pa rrymë, pa drita. Bateria e telefonit mbaroi. Pa ujë e pa ushqime”.
Me t’u shpëtuar nga ushtarët, kuptoi se dy fëmijët e mëdhenj të saj, vajza 21 vjeçe dhe djali 19 vjeç, që jetonin vetëm, ishin të sigurt.
Eriz, Sahar, Ofir mungonin, ashtu si edhe nëna e saj, 80 vjeçe, dhe mbesa me autizëm, 12 vjeçe.
Gjithçka u shndërrua në “ferr të gjallë”... “Si ta ruaj mendjen e shëndoshë”?
“Nuk kam pasur kohë ta vajtoj nënën”
Vajza e saj e madhe gjeti një video prej më pak se 20 sekondash në rrjetet sociale, në të cilën Erez, i kapur për krahësh nga militantët, dukej se po dërgohej në robëri në Gazë.
Hadas thotë se nuk ka mundur ta shikojë “beben e saj” në atë “situatë të pambrojtur”.
Oficerët ushtarakë, pas disa ditësh, e njoftuan se nëna dhe mbesa i ishin vrarë në Gazë.
“Nuk kam pasur kohë ta vajtoj nënën. Nuk kam pasur kohë ta vajtoj as mbesën time të dashur”.
E zhvendosur tani në Tel Aviv, Hadas dhe anëtarë të tjerë të familjes po përpiqen të mësojnë se ku gjenden të dashurit e tyre.
Ata kanë krijuar një rrjet komunikimi virtual, ku mbledhin çdo informacion dhe marrin vazhdimisht mesazhe mbështetjeje.
Sado të llahtarshme, videot e terrorit që kanë xhiruar militantët dhe i kanë shpërndarë në rrjetet sociale, u kanë dhënë ekspertëve disa prova për t’i studiuar.
Hadas e di se mbi 80 të afërm ose fqinj në komunitetin e saj Nir Oz, janë të vrarë ose të zhdukur. Për fëmijët e saj beson se janë gjallë.
“...edhe babai i tyre po ashtu. Jam e sigurt që ai po bën çmos për t’u kujdesur për ta si gjithmonë. Shpresoj të jenë bashkë. Shpresoj që t’i japin fuqi njëri-tjetrit.
Shpresoj dhe e di se do të kthehen shpejt... Shumë shpejt”.
Për Erezin thotë se i pëlqen të grahë biçikletën, ndërsa Sahar është e dhënë pas vizatimit, rrobave dhe makeup-it.
“M’i kthe fëmijët e mi...”.
“Dua t’i përqafoj, t’i puth, t’u marr erë”, është lutja e saj për Hamasin.
Hadas, e cila punon në mjekësinë alternative, shprehet e tmerruar edhe me planet e Qeverisë izraelite për të nisur pushtimin tokësor të Gazës, sepse të afërmit e saj pengje mund ta pësojnë.
“Lirimi i tyre nuk është qëllimi kryesor - duhet të bëhet qëllimi kryesor”.
“Ne jemi familje normale, njerëz të thjeshtë, që duam natyrën dhe kafshët”.
Vendbanimi i saj, Nir Oz, ishte një nga më shumë se 20 qytetet dhe fshatrat në jug të Izraelit që u sulmuan nga militantët e Hamasit, më 7 tetor.
Luftëtarët e grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, vranë më shumë se 1.400 njerëz atë ditë, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Sulmi u konsiderua si më vdekjeprurësi nga militantët në historinë 75-vjeçare të Izraelit.
Në përgjigje, ushtria izraelite nisi bombardimin e Gazës - territorit që kontrollohet nga Hamasi - duke vrarë më shumë se 5.700 njerëz, përfshirë mbi 2.000 të mitur, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.
Sulmet rrafshuan lagje të tëra dhe shkatërruan sistemin edhe ashtu të brishtë të kujdesit shëndetësor.
E kapluar nga dhimbja dhe pafuqia, Hadas do t’i festonte Erezit ditëlindjen e 12-të më 26 tetor.
Izraeli dhe Hamasi nuk duhet ta bëjnë luftën “në kurriz të fëmijëve”.
“Jam e sigurt se secila nënë në botë e ndien këtë”.