Ndërlidhjet

Himni në shkolla mund të kthejë ndasitë etnike


Shkollë në Shkup - Fotografi ilustruese .
Shkollë në Shkup - Fotografi ilustruese .

Nisma e disa komunave të Shkupit që drejtohen nga kryetarë të partisë opozitare VMRO DPMNE-së, që në shkolla të këndohet himni shtetëror çdo të hënë, nga njohësit e çështjeve ndëretnike cilësohet si veprim “provokues me tendencë nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike”.

Këshillat komunale të Gazi Babës dhe të Aerodromit, që janë pjesë e Shkupit, kanë vendosur që nxënësit e shkollave fillore në territoret e tyre, së shpejti orën e parë të mësimit çdo të hënë ta nisin me këndimin e himnit shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Kjo është nismë e një politikani të një shteti etnocentrik, ku çdo gjë rrotullohet rreth një etniteti dhe të gjithë të tjerët janë jo relevantë".

Vendimet janë marrë me propozim të kryetarit të kësaj partie, Hristijan Mickoski, i cili i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që kjo nismë të përfshijë shkollat në vend. Por, nga kjo ministri nuk e kanë komentuar nismën e Mickoskit.

“Çdo qytetar, sipas mendimit tim, duhet të nderojë një nga simbolet themelore të shtetit në të cilin ka lindur, ka krijuar familje dhe është shkolluar, e ky është himni shtetëror... Mendoj se në të gjithë territorin e shtetit duhet të tregohet respekt për shtetin ku jetojmë dhe punojmë të gjithë”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai ka thënë se praktika të tilla ka në shumë shtetet, përfshirë edhe SHBA-në, andaj duhet të zbatohet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i miratuar pas pavarësimit nga ish- Jugosllavia, i këndohet kombit maqedonas, territoreve dhe heronjve maqedonas, si dhe betejave të tyre për liri.

Patriotizmi nuk ndërtohet në dëm të arsimimit të fëmijëve. Kjo nuk guxon të ndodhë".

Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve ndëretnike dhe kryetar i shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nisma e liderit të opozitës maqedonase nuk është në frymën e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo është nismë e një politikani të një shteti etnocentrik, ku çdo gjë rrotullohet rreth një etniteti dhe të gjithë të tjerët janë jo relevantë. Nisma për këndimin e himnit në fillimit të orës së mësimit nëpër shkolla nuk është një nismë që mund të praktikohet në terren pasi do të shkaktojë probleme meqë në himn përmendet vetëm lufta, ekzistenca, dëshira për liri vetëm e një populli, kurse në Maqedoni të Veriut nuk është vetëm se një popull, por ka edhe popuj të tjerë”, thotë Pollozhan

Ai vlerëson se kjo nismë më tepër është për përdorim politik pasi që të zbatohet në praktikë, nevojitet konsensus i gjerë apo nisje e procedurës së ndryshimit të himnit.

“Në rast se himni përfaqëson të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë shtet, atëherë do të ishte i pranueshëm përdorimi i tij, por ky himn është shumë i njëanshëm, tepër etnocentrik dhe i papranueshëm për shqiptarët”, konsideron Pollozhani.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike nismën e vlerëson si “provokim për raportet ndëretnike”.

Ai thotë se kjo nismë mund të prodhojë nisma tjera që nuk i kontribuojnë avancimit të marrëdhënieve mes etniteteve në vend.

“Institucionet me vendime të tilla mësojnë nxënësit se si të ndahen dhe jo të bëjnë të kundërtën, pasi edhe komunat tjera mund të marrin nisma të tilla që nuk do të ishte mirë. Raportet ndëretnike në vendin tonë ende janë të brishta. Shumë organizata kanë bërë gjithçka që këto raporte mes etniteteve të përmirësohen, por janë politikanët ata që vendosin murin e ndarjes. Nisma të këtilla gjithmonë ka pasur në prag të zgjedhjeve e kjo po ndodhë edhe tani, pra ato bëhet për të fituar politikisht, por kjo nuk do t’ju sjellë rezultate”, thotë Dimovski.


“Patriotizmi nuk ndërtohet në dëm të arsimimit të fëmijëve. Kjo nuk guxon të ndodhë. Nuk duhet të lejojmë që fëmijët të keqpërdoren për ndonjë fushatë të partive”, shton ai.

Partitë politike shqiptare në programet e tyre dhe në fushatat elektorale shpeshherë kanë dalë me premtimet jo vetëm për ndryshimin e himnit, por edhe të simboleve tjera shtetërore, si të flamurit dhe stemës, të cilat, sipas tyre, gjithashtu nuk reflektojnë karakterin shumetnik të këtij shteti.

Simbolet shtetërore janë kategori kushtetuese, të cilat mbrohen me nenin 5 të Kushtetutës. Ndryshimi i Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit bëhen me dy të tretat e votave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG