Ndërlidhjet

Izraeli i armatos civilët nga frika e sulmeve të brendshme


Një polic izraelit bën roje derisa palestinezët kryejnë faljen e xhumasë në Jerusalem, 20 tetor 2023.
Një polic izraelit bën roje derisa palestinezët kryejnë faljen e xhumasë në Jerusalem, 20 tetor 2023.

Reuters

Izraeli i ka themeluar qindra ekipe vullnetare të sigurisë në dy javët qëkur shpërtheu lufta në Rripin e Gazës dhe po i armatos civilët në rast se do të ketë trazira mes hebrenjve dhe arabëve, thanë autoritetet të dielën.

Në luftën e fundit në Gazë më 2021 kishte protesta pro-palestineze nganjëherë të dhunshme në mesin e qytetarëve arabë të cilët e përbëjnë 21 për qind të popullsisë së Izraelit.

E nxitur nga një sulm shkatërrues më 7 tetor nga militantët e armatosur të Hamasit në jug të Izraelit, lufta e tanishme dhe përshkallëzimi i luftimeve në kufirin libanez dhe në Bregun e uzurpuar Perëndimor kanë rritur shqetësimet për marrëdhëniet e tensionuara etnike të brendshme të Izraelit.

Policia e Izraelit i ka arrestuar dhjetëra qytetarë arabë nën dyshimin për nxitje dhe përkrahje të Hamasit, bazuar në postimet e tyre në rrjetet sociale. Disa avokatë të të arrestuarve i kanë përshkruar arrestimet si të paligjshme.

Shefi i Policisë së Izraelit, Kobi Shabtai, tha se vëzhgimet e tilla ua mundësojnë oficerëve ta parandalojnë çdo shpërthim të dhunës.

“Këtu ka pasur sjellje shembullore”, tha ai para një paneli parlamentar, duke shtuar se “nuk ka pasur pothuajse asnjë incident” mes arabëve dhe izraelitëve në javët e fundit.

“Ka dialog me lidershipin [arab] dhe njëkohësisht, ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, shtoi ai.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka parashikuar se gjatë kësaj lufte mund të ketë përsëritje të trazirave të vitit 2021 dhe ka urdhëruar lehtësimin e rregullave për lëshimin e lejeve për armëmbajtje për qytetarët.

Në përgjithësi, rregullat kërkojnë që aplikantët duhet të kenë shërbyer në Ushtrinë e Izraelit, nga e cila janë të përjashtuar shumica e arabëve.

Masat shtesë janë edhe krijimi i skuadrave vullnetare të sigurisë për të patrulluar nëpër rrugë dhe për ta ndihmuar policinë.

Shabtai tha se që nga 7 tetori janë krijuar 527 skuadra të tilla.

Zëvendësministri i Ben-Gvir, Eliezer Rosenbaum, tha para deputetëve se 20.000 armë zjarri janë porositur për t’iu shpërndarë këtyre skuadrave, dhe se do të porositen edhe 20.000 sosh.

Ai shtoi se vullnetarët do të pajisen edhe me helmeta dhe jelekë anti-plumb.

Ai nuk shpjegoi se për çfarë armësh bëhet fjalë.

Por, Ben-Gvir ka shpërndarë video online ku shihet duke shpërndarë vetë pushkë M-16 dhe M-4.

Fshati izraelit, i rrënuar pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Naella Gelkopf-Belais, aktiviste sociale nga qyteti i përzier arabo-hebre, Haifa, tha se Policia duhet të punojë me autoritetet qytetare dhe të jetë e vetëdijshme për “krijimin e milicive private”.

“Ne në qytet ndodhemi në një situatë potencialisht të rrezikshme”, tha ajo.

Shabtai tha se skuadrat e sigurisë do të jenë njësi vartëse të Policisë.

“Është mirë që do të kemi shumë skuadra dhe forca të sigurisë, por me këtë duhet të kemi kujdes. Duhet të kuptohet patjetër se çfarë është e lejuar dhe çfarë e ndaluar, dhe duhet të kemi kujdes që armës të mos i tërhiqet këmbëza shumë lehtë”, tha ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG