Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim një projektrezolutë që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit.
Votimi për këtë projekrezolutë u shty për ndonjë seancë tjetër.
Në seancën e jashtëzakonshme të 19 tetorit nuk pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr nga partitë opozitare. Edhe një tjetër seancë për këtë çështje ishte thirrur më 12 tetor, por edhe ajo dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit, pasi deputetët e LVV-së e bojkotuan atë.
Gjatë seancës, deputeti nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, tha se Policia e Kosovës është duke punuar në kushte të rënda dhe kjo sipas tij nuk duhet lejuar.
“Nga hyrja në fuqi, më 5 shkurt 2023, e Ligjit për paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre dhe të familjeve, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave që kanë marrë policët e Kosovës ka qenë 16 milionë euro, ose 1.3 milion euro në muaj”, tha ai.
Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Në bazë të Ligjit, pagat për zyrtarë të policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje policia e ka quajtur minimale.
Anton Çuni nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e vlerësoi të papranueshme mungesën e partisë në pushtet në seancën ku diskutohet për të drejtat elementare të policëve.
“Disa policë për vite me radhë punojnë pranë aparaturave që rrezatojnë dhe seriozisht dëmtojnë shëndetin. Në vendet e Perëndimit nuk lejohet më shumë se gjashtë muaj. Me vite i bartin të njëjtat uniforma, e vet kujdesen për mirëmbajtjen e tyre, punojnë jashtë orarit me kompensim simbolik dhe të fundit shkojnë në shtëpi. Udhëtojnë me trafik urban, ushqehen lirë dhe aspak shëndetshëm. Dhe krejt në fund ata nuk paguhen për punën që po e bëjnë,” tha Çuni.
Pagesa për rrezikshmërinë në punë është obligim i shtetit dhe kjo duhet të ndodhë, tha deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.
“Mund të bëjmë një fond të posaçëm për policët që bien në detyrë, në mënyrë që të kujdesemi për familjet e tyre. Pastaj është kategoria e invalidëve të punës në polici, të plagosur, ka njerëz edhe karrocë invalidore, duhet të ketë një fond të veçantë edhe për ta”, tha ai.
Rreshteri Afrim Bunjaku është zyrtari i fundit që është vrarë gjatë kryerjes se detyrës.
Ai u vra më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit pasi policia u sulmua nga një grup i armatosur serbësh.
Gjatë përleshjeve mes grupit të armatosur dhe policisë u vranë edhe tre sulmues.
Policia e Kosovës numëron rreth 9.000 pjesëtarë.
*Video: Pse po largohen policët e Kosovës?
Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.
Zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, javën e kaluar kanë thënë se tendenca e PDK-së, nuk ka të bëjë më gjendjen e policisë, por synim i tyre, është “pushteti dhe jo interesi i shtetit”.