Ndërlidhjet

Kush është Xhihadi Islamik që Izraeli e akuzon për shpërthimin në Gazë?


Anëtarët e grupit militant të Xhihadit Islamik gjatë një parade ushtarake.
Anëtarët e grupit militant të Xhihadit Islamik gjatë një parade ushtarake.

Izraeli ka thënë se dëshmitë tregojnë se grupi i armatosur palestinez, Xhihadi Islamik, është përgjegjës për shpërthimin e 17 tetorit në një spital në Qytetin e Gazës. Por, ky grup, që është më i vogël sesa grupi militant Hamas – që udhëheq me Gazën – ka mohuar përgjegjësinë.

Shpërthimi në spitalin Al-Ahli besohet se ka lënë të vdekur qindra persona. Shpërthimi rriti zemërimin në mesin e shteteve arabe, dhe 22 prej tyre që përfaqësohen në Kombet e Bashkuara kërkuan një armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë vizitës në Izrael më 18 tetor, tha se “bazuar në atë që kemi parë, duket se [shpërthimi] u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, duke iu drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Biden në Izrael, fajëson “palën tjetër” për shpërthimin në spitalin e Gazës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Por, kush është grupi Xhihadi Islamik?

Xhihadi Islamik palestinez është themeluar më 1981 me qëllim që të krijojë një shtet islamik palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor, Gazë, dhe territore të tjera palestineze që tani i përkasin Izraelit.

Ky grup cilësohet si organizatë terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian dhe qeveri të tjera.
Sikurse edhe Hamasi – me të cilin ndan pikëpamje ideologjike – edhe Xhihadi Islamik zotohet për shkatërrimin e Izraelit.

Në gusht të vitit 2022, emri i Xhihadit Islamik u bë më i njohur për publikun, pas shpërthimit të dhunës në Rripin e Gazës. Atëbotë, Izraeli raportoi se vrau disa liderë të grupit. Por, edhe në vitet paraprake, Izraeli ka kryer sulme ndaj këtij grupi.

Po ashtu, Xhihadi Islamik mori pjesë edhe në sulmet e koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor të këtij viti, që nxitën një përgjigje të ashpër të autoriteteve izraelite.

Në Rripin e Gazës, Xhihadi Islamik është një nga dy grupet kryesore të militantëve palestinezë, krahas me Hamasin që qeveris me këtë territor të gjatë 40 kilometra e me 2.3 milionë banorë.

Pavarësisht se ndajnë pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe kanë bërë bashkë forcat në sulmet e fundit ndaj Izraelit, Xhihadi Islamik me veprimet e tij në të kaluarën, sikurse gjuajtja e raketave dhe mosmarrja e përgjegjësisë për sulmet, si dhe mosrespektimi i armëpushimeve, ka minuar autoritetin e Hamasit në Gazë.

Mbështetja nga Irani

Xhihadi Islamik gëzon mbështetje financiare dhe ushtarake nga Irani, armiku kryesor rajonal i Izraelit. Forca e grupit të armatosur është në rritje pasi në të kaluarën është përfshirë në sulme me raketa dhe konfrontime të tjera me Izraelin.

Teherani e mbështet Xhihadin Islamik me trajnime, para, ekspertiza.

Megjithatë, shumica e armëve që grupi përdor janë prodhime vendëse. Besohet se viteve të fundit, Xhihadi Islamik ka zhvilluar një arsenal të barasvlershëm me atë të Hamasit – që po ashtu mbështetet nga Irani – duke u pajisur me raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta të godasin caqe në qendrën urbane të Tel Avivit.

Një ditë pas sulmeve të koordinuara nga Izraeli më 7 tetor, media shtetërore raportoi se presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, bisedoi me liderët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Raisi lavdëroi sulmet e militantëve palestinezë dhe i cilësoi si një “fitore e madhe”, që sipas tij, ndihmon në shkatërrimin e “regjimit” të Izraelit.

Përfaqësuesit e këtyre dy grupeve militante ishin takuar me përfaqësuesit iranianë në qershor në Iran.

Xhihadi Islamik ka selinë në Rripin e Gazës, por ka edhe degë në Bejrut e Damask, dy kryeqendrat që kanë lidhje të ngushta me Iranin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG