“Ashtu siç na ke lënë, ashtu jemi. Asgjë nuk ka ndryshuar”, thotë Ramadush Gashi.
“Asnjë ndihmë nuk kam nga shteti. Gruaja shkon dhe merr ushqime në disa shoqata bamirësie”, rrëfen ai.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me Gashin edhe para katër vjetësh, kur ai ndau për herë të parë dhimbjen e skamjes.
Në atë kohë, bashkë me bashkëshorten Rozën, jetonte në ndërtesën e një baze të vjetër ushtarake në rajonin e Prishtinës.
Aty mbeten edhe sot, por çdo ditë me frikën se mund të dëbohen.
“Tash jemi edhe më keq, se çmimet janë rritur shumë”, thotë Gashi.
Të vetmin burim të të ardhurash, ai ka pensionin e pleqërisë në vlerë prej 100 eurosh, e që para katër vjetësh ishte 90 euro.
Kjo nënkupton që çiftit i duhet ta kalojë ditën me pak më shumë se tri euro.
“Po mundohemi të punojmë privat, po na ndihmojnë fqinjët me disa gjëra ushqimore, por rrallë”, thotë Gashi.
Rrëfimin e tij, REL-i e risjell në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, e cila shënohet çdo 17 tetor.
Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend.
Të fundit, të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017.
Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.
Në ASK i konfirmuan REL-it se këto janë të dhënat e fundit për varfërinë, por nuk treguan se përse nuk ka të dhëna të reja.
Një anketë e re e ASK-së është publikuar vitin e kaluar, sipas së cilës, një shpenzim i papritur prej 100 eurosh në muaj do të ishte i përballueshëm për 43% të familjeve në Kosovë. Ndërsa, shpenzimet për një javë pushim larg shtëpisë janë të papërballueshme për 42.7 për qind të familjeve.
Çfarë thonë ekspertët e çfarë të dhënat zyrtare?
Arian Lumezi, hulumtues në Institutin Musine Kokalari në Prishtinë, thotë se varfëria është thelluar viteve të fundit, për shkak të inflacionit të lartë.
Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me shkallë të inflacionit rreth 12%, nga 3.4% sa ka qenë në vitin 2021.
Në këtë gjendje, si gjetiu në botë, ka ndikuar pandemia COVID-19 e pastaj edhe pushtimi rus i Ukrainës.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se inflacioni tani është në rënie - në shtator çmimet e konsumit kanë qenë më të larta për 4.2%, krahasuar me shtatorin e vitit 2022.
Me qëllim që t’ua lehtësojë përballimin e inflacionit, Qeveria e Kosovës, gjatë vitit të kaluar, ka ndarë disa herë shtesa për kategori të ndryshme sociale.
Por, sipas Lumezit, ato kanë qenë minimale dhe pa ndikim në zbutjen e varfërisë.
“Në përgjithësi, institucionet duhet të kenë parasysh që mjet efikas në luftimin e varfërisë janë mjetet që çojnë drejt barazisë. Duhet të krijohen mekanizma që çojnë drejt një shoqërie të barabartë dhe një shpërndarjeje më të drejtë të të ardhurave që kalojnë përmes shtetit”, thotë Lumezi për Radion Evropa e Lirë.
Në programin e Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025 thuhet, mes tjerash, se mirëqenia qytetare do të synohet përmes mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale.
Hapat që ka marrë deri më tash Qeveria aktuale, përfshijnë: rritjen e pensioneve të pleqërisë, ndarjen e shtesave për fëmijë dhe pagesën e pushimit të lehonisë për nënat e papuna.
Nëse shikohen të dhënat e ASK-së për Bruto Produktin Vendor (BPV), ato tregojnë rritje të standardit.
Sipas tyre, BPV-ja për kokë banori në vitin 2014 ka qenë 2.950 euro, ndërsa në vitin 2022 ka qenë 5.037 euro.
Po ashtu, numri i familjeve me asistencë sociale ka shënuar rënie.
Sipas ASK-së, 20.810 familje kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës në gusht të vitit 2023, që do të thotë 3.817 familje më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Asistencë sociale - nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve - u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.
Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro në muaj. Ndërkaq, paga mesatare në vend është 520 euro.