Ndërlidhjet

Spitalet në Gaza paralajmërojnë se mijëra pacientë mund të vdesin në mungesë furnizimesh


Një fëmijë i plagosur nga sulmet raketore në Gaza.
Një fëmijë i plagosur nga sulmet raketore në Gaza.

Mjekët në Gaza kanë paralajmëruar se mijëra persona mund të vdesin në spitalet e mbushura me persona të plagosur, pasi ka nisur të vërehet mungesa e produkteve bazike.

Palestinezët nuk kanë qasje në ujë dhe ushqim, me një vendim të Qeverisë izraelite, pas sulmeve të grupit militant Hamas në tokën izraelite, më 7 tetor.

Spitalet në Gaza pritet të mbesin pa naftë për gjeneratorë brenda dy ditëve, dhe kështu do të rrezikohet jeta e mijëra pacientëve, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Në spitalin Nasser në qytezën jugore Khan Younis, dhomat për kujdes intensiv janë të mbushura me pacientë të plagosur, shumica prej tyre fëmijë nën moshën trevjeçare.

Qindra njerëz me plagë të rënda janë në spital, ku nafta do të mbarojë deri në fund të ditës së hënë, ka thënë mjeku Mohammed Qandeel, për agjencinë e lajmeve AP.

“Janë 35 pacientë në dhomat për kujdes intensiv që kërkojnë ventilatorë dhe 60 të tjerë në dializë. Nëse mbesim pa naftë, kjo nënkupton që i gjithë sistemi ndalet”, ka thënë ai, derisa fëmijët janë dëgjuar duke vajtuar në prapavijë.

“Të gjithë pacientët rrezikojnë të vdesin në mungesë të energjisë”.

Mjeku tjetër Hussam Abu Safiya, në sektorin e pediatrisë në spitalin Kamal Adwa, në veri të Gazës, ka thënë se nuk është evakuuar, pavarësisht urdhrit të Izrelit.

Ai ka thënë se në spital janë shtatë foshnja të sapolindura në dhomat për kujdes intensiv.

“Ne nuk mund të evakuohemi, kjo do të thotë vdekje për ato dhe pacientët tjerë”.

Numri i pacientëve sa shkon e rritet me plagë e djegie të thella.

“Është e frikshme”, ka thënë ai.

Gaza veçse ka qenë duke u përballur me krizë humanitare, për shkak të mungesës së ujit dhe ilaçeve, për shkak të rrethimit izraelit.

Izraeli u ka kërkuar mbi 1 milion palestinezëve – pothuajse gjysmës së popullsisë – që të shpërngulen në jug të Gazës.

Ushtria ka thënë se po tenton t’i largojë civilët nga zonat ku do ta luftojë Hamasin.

Hamasi, në anën tjetër, u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Ushtria izraelite ka publikuar fotografi që, sipas saj, tregojnë se Hamasi i ka bllokuar rrugët që çojnë në jug të Gazës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, është shprehur shumë e shqetësuar për palestinezët që nuk mund të largohen sikurse “gratë shtatzëna, fëmijët, personat me nevoja të veçanta dhe të moshuarit”.

Kjo agjenci i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mos sulmojë civilët, spitalet, shkollat, klinikat dhe lokacionet e OKB-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG