Ndërlidhjet

Biden i ofron mbështetje Izraelit pas sulmit të Hamasit


Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë adresimit nga Shtëpia e Bardhë pas shpërthimit të dhunës midis Izraelit dhe Gazës. Uashington, 7 tetor 2023.
Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë adresimit nga Shtëpia e Bardhë pas shpërthimit të dhunës midis Izraelit dhe Gazës. Uashington, 7 tetor 2023.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se mbështetja e shtetit të tij për Izraelin është e fortë dhe e palëkundur, përderisa paralajmëroi armiqtë e Izraelit që të mos shfrytëzojnë situatën e krijuar pas sulmit masiv të kryer nga militantët e Hamasit.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin. Ne kurrë nuk do të dështojmë së mbështeturi ju”, tha Bideni gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky nuk është moment për asnjë palë armiqësore të Izraelit që të shfrytëzojnë këto sulme”, shtoi lideri amerikan.

Në mëngjesin e 7 tetorit, militantët e Hamasit nisën sulme masive dhe të befasishme nga Gaza, duke lëshuar mijëra raketa në jug të Izraelit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se shteti i tij është “në luftë”, përderisa shtete të ndryshme nga e mbarë bota dënuan sulmet e Hamasit, që i cilësuan terroriste.

Autoritetet izraelite kanë thënë se të paktën 200 izraelitë janë vrarë gjatë dhunës së fundit dhe mbi 1.000 janë plagosur, ndërkaq autoritetet shëndetësore në Gaza kanë raportuar për 198 të vrarë dhe mbi 1.600 të plagosur.

Pas nisjes së sulmeve me raketa, Izraeli u kundërpërgjigj duke shënjestruar Gazën dhe duke paralajmëruar militantët e Hamasit se do të paguajnë “çmim të lartë” për sulmin e së shtunës.

Po ashtu ka pasur konfrontim brenda Izraelit, pasi autoritetet izraelite konfirmuan më herët gjatë ditës se disa militantë të Hamasit arritën të infiltroheshin brenda territorit të Izraelit.

Lideri i Hamasit ka paralajmëruar se dhuna do të zgjerohet edhe në Palestinë dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Të dielën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet për të diskutuar për dhunën në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe për luftimet mes Izraelit dhe Gazës.

Ushtria izraelite po ashtu ka konfirmuar se ushtarë dhe qytetarë izraelitë janë marrë pengje nga militantët e Hamasit.

Biden, që më herët gjatë ditës ka biseduar me kryeministrin Netanyahu, gjatë adresimit nga Shtëpia e Bardhë, tha se “personalisht do të mbaj kontakt të ngushtë me kryeministrin” izraelit.

Hamasi konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ky grup kontrollon Gazën që nga viti 2005, kur nga ky territor u tërhoqën ushtarët dhe kolonët izraelitë.

Në 15 vjetët e fundit, Izraeli dhe Gaza kanë zhvilluar katër luftëra, në të cilat kanë mbetur të vdekur mijëra persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG