Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur të enjten në qytetin spanjoll Granadë, për të marrë pjesë në një samit me liderë evropianë, teksa i rrit përpjekjet për të siguruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, që po përballet me pushtimin rus.
Lufta e Rusisë në Ukrainë hyn shpejt në muajin e 20-të, por mbështetja ndaj Kievit ka nisur të zbehet në disa shtete.
Zelensky dhe 46 udhëheqës tjerë shtetërorë pritet të takohen të enjten në Granadë, në kuadër të një takimi të thirrur nga Komuniteti Politik Evropian – një forum unik prej 27 vendeve anëtare dhe 20 shteteve tjera të Evropës dhe Kaukazit.
“Synimi ynë i përbashkët është që të garantojmë siguri dhe stabilitet për shtëpinë tonë evropiane”, ka shkruar Zelensky në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Ne jemi duke punuar së bashku me partnerët për ta përmirësuar arkitekturën evropiane, sidomos sigurinë rajonale. Ukraina ka propozime substanciale në këtë drejtim”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se prioriteti kyç i Ukrainës është përmirësimi i mbrojtjes së saj ajrore, para nisjes së motit të ftohtë.
Infrastruktura e energjisë së Ukrainës është goditur rëndë nga Rusia dimrin e vitit të kaluar, duke i përballur miliona ukrainas me situata shumë të vështira.
Zelensky ka arritur në Spanjë, teksa raportohet se tre civilë janë vrarë në Ukrainë si pasojë e bombardimeve ruse në 24 orët e fundit – një në rajonin Donjeck dhe dy në qytetin Herson.
Përgjatë natës, forcat ruse dhe ukrainase e kanë sulmuar njëra-tjetrën me dronë, të cilët kanë shkaktuar dëme infrastrukturore në qendër të Ukrainës dhe probleme me energjinë në një rajon kufitar rus.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.