Ndërlidhjet

Britania dërgon trupa shtesë në Kosovë, pas sulmit në veri


NJë automjet i KFOR-it në veri të Kosovës.
NJë automjet i KFOR-it në veri të Kosovës.

Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.

“Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Evropën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli”, thuhet në njoftim.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit.

Të dielën pasdite, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Ai tha gjatë një konference për media të dielën në jug të Mitrovicës se mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

Të premten, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Pak ditë pas sulmit, Serbia e mohoi se po zhvendos ushtrinë pranë kufirit me Kosovën, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe autoritetet kosovare i bënë thirrje ta tërheqë ushtrinë përgjatë kufirit me shtetin fqinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG