Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut për herë të parë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Bullgaria të paraqesë kërkesa të reja në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se “politika bullgare është aq e pasigurt sa që nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja”.
“Fatkeqësisht, shpesh kemi qenë të zhgënjyer pasi dinamika në politikën bullgare është aq e pasigurt sa që nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja. Jam shumë i sigurt se Bullgaria do të vazhdojë të formulojë kërkesa të reja. Por, për mua e rëndësishme është ajo që është në agjendën e BE-së, asgjë tjetër”, ka thënë Osmani, në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” më 28 shtator.
Në Maqedoninë e Veriut është në proces ndryshimi i Kushtetutës, që synon përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues. Një gjë e tillë parashihet me marrëveshjen me Sofjen bazuar në propozimin francez për zhbllokimin e procesit integrues që ishte miratuar nga Parlamenti maqedonas në korrik të vitit 2022.
- Ndërkombëtarët i bëjnë thirrje Shkupit ta ndryshojë Kushtetutën
- Debati për ndryshimet kushtetuese rrit euro-skepticizimin
- Shqiptarët kërkojnë të hiqet përkufizimi në Kushtetutë si popull “20%”
Zyrtarët bullgarë në vazhdimësi kanë paraqitur pikëpamje të ndryshme në raportet me Maqedoninë e Veriut varësisht pozicionit të tyre në skenën politike bullgare.
Mes dy vendeve ende nuk ka marrëveshje për çështjet historike pasi tani një kohë të gjatë një komision ndërqeveritar i ekspertëve po diskuton për identitetin dhe aktivitetet nga e kaluara e shumë personaliteteve, identitetin e të cilëve e pretendojnë dy vendet.
“Ne duam t'i tregojmë shumë qartë Maqedonisë së Veriut se vetëm kur ajo të përmbushë detyrimet e saj që ka pranuar t'i përmbushë, atëherë integrimi evropian nuk do të jetë më ëndërr”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, në një seancë të Parlamentit bullgar, më 1 shtator.
Sofja zyrtare procesin e integrimit të Shkupit në disa raste e ka kërcënuar edhe me klubet bullgare në Maqedoninë e Veriut, të cilat me një ligj të Parlamentit maqedonas janë ndaluar për shkak të, siç thuhet, “veprimtarisë së tyre anti-maqedonase”.
Më të zëshëm në politikat e kushtëzimit kanë qenë eurodeputetët bullgarë, Angell Xhambaski dhe Andrej Kovaçev, të cilëve iu ndalua hyrja në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në manifestimet për një përvjetor të Goce Dellçevit që ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në vitet 1900.
Por, deklarata e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, se Sofja “mund të formulojë kërkesa të reja” ka nxitur reagimin e partisë opozitare VMRO DPMNE, e cila ka bllokuar votimin e ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se “me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nuk do të marrin fund kushtëzimet bullgare”.
“Bujar Osmani konfirmoi qëndrimet e VMRO-DPMNE-së se Bullgaria vazhdimisht do të formulojë kërkesa të reja në raport me Maqedoninë. [kryeministri] Kovaçevski vetëm një muaj më parë, kur votuan për iniciativën për ndryshime kushtetuese tha se nuk do të ketë kërkesa të reja. Më 18 gusht, Kovaçevski me vetëdije mashtroi deputetët e tij, me gënjeshtra dhe konstruksione”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci nga BE-ja se nuk do të ketë kushte të reja.
Ai beson se pala bullgare gjatë gjithë procesit të bisedimeve me BE-në do të dalë me kërkesa që kanë të bëjnë edhe me mohimin e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ndërkohë mbetet në qëndrimin se “ndryshimet kushtetuese janë zgjidhja e vetme për vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Ideologjia e vetme e VMRO DPMNE-së është bllokimi dhe izolimi i vendit. Këtë qytetarët e këtij vendi as nuk do ta falin e as nuk do ta harrojnë. Kjo parti as nuk ka argumente për pretendimet e saj e as nuk pranon të hyjë në debat. Ata kanë dëshmuar se për t’i mbrojtur pozicionet dhe interesat e tyre me lehtësinë më të madhe janë të gatshëm të bllokojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë, por kjo nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Kovaçevski.
Debati për ndryshimet kushtetuese ka përfunduar më 18 gusht, por votimi nuk është bërë pasi shumica parlamentare nuk i ka siguruar dy të tretat e nevojshme apo 80 nga 120 votat e deputetëve.
Sipas dispozitave kushtetuese, nëse ndryshimet vihen në votim dhe nuk miratohen, atëherë ndryshimet e reja nuk mund të iniciohen më herët se nëntë muaj, prandaj edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk cakton seancën e votimit pa u siguruar mbështetja e nevojshme.