Ndërlidhjet

Serbia shpall ditë zie për ngjarjet në Kosovë


Policia e Kosovës në Banjskë, veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i saj nga një përleshje me persona të maskuar më 24 shtator 2023.
Policia e Kosovës në Banjskë, veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i saj nga një përleshje me persona të maskuar më 24 shtator 2023.

Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç kanë thënë, “ngjarjet tragjike” në Kosovë.

Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – "shpalli" tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas ligjit të Kosovës, në nivel shteti ditë zie mund të shpallë vetëm presidentja e vendit, ndërsa në nivel komune edhe vetë komunat përkatëse.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.

Bilanci i 24 shtatorit - Çfarë ndodhi në Banjskë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t'i respektojnë viktimat në Kosovë”, njoftoi Qeveria e Serbisë pas një seance të jashtëzakonshme më 26 shtator.

Lista Serbe shkroi në Facebook se datat 26, 27 dhe 28 shtator janë "shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në një ngjarje tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit”.

Ata deklaruan që në komunitetet serbe në Kosovë të anulohen të gjitha manifestimet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe se “flamujt e Republikës së Serbisë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet”.

Lista Serbe udhëheq gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të Kosovës. Në katër komunat në veri, pushtetin e morën kryetarët shqiptarë pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas përleshjes së armatosur.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG