Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimin prej një muaji ndaj V.T, të dyshuar për sulmin në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës.
Kjo gjykatë tha se seanca dëgjimore ndaj të pandehurit u mbajt në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ai po merr trajtim mjekësor.
V.T dyshohet për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për kryerjen e veprave terroriste. Ai mund ta apelojë këtë vendim para Gjykatës së Apelit.
Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Gjashtë persona në lidhje me rastin janë arrestuar dhe sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, një ka qenë i plagosur.
Sveçla tha se nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, organizoi dhe mori pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve policorë.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë amerikane dhe kërkohet nga autoritetet e Kosovës për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si Brezovica.
Sipas autoriteteve të Kosovës, grupi ka qenë “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se personat e armatosur ishin serbë lokalë “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.