Ndërlidhjet

Kupchan: Sulmi në Kosovë nuk ishte spontan


Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clinton dhe Barack Obama.
Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clinton dhe Barack Obama.

Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.

Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

“Duket se ky është një aksion i organizuar mirë, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshme të organizohen dhe të gjejnë armë që u mundësojnë ta bëjnë këtë”, thotë Kupchan.

Radio Evropa e Lirë: Autoritetet në Kosovë njoftuan se policia ka rimarrë kontrollin e territorit në veri - zonë e banuar me shumicë serbe - pas një sulmi nga një “grup i armatosur rëndë”, që rezultoi me vrasjen e një polici dhe të tre sulmuesve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajësoi Beogradin për incidentin, duke thënë se “krimi i organizuar me mbështetjen politike, financiare dhe logjistike të zyrtarëve në Beograd, po sulmon vendin tonë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e dënoi vrasjen e policit kosovar dhe tha se nuk ka asnjë justifikim për të. Ai, megjithatë, tha se incidenti ishte shkaktuar nga rebelimi i serbëve të Kosovës, sepse ata “nuk donin të vuanin më nën terrorin e Kurtit” dhe se ishte çështje kohe se kur do të ndodhte diçka e tillë.

Pse ndodhi ky incident pikërisht tani, apo është pasojë logjike e tensioneve që janë rritur prej vitesh, sepse të dyja palët nuk janë gati të bëjnë kompromise, pavarësisht shumë rundeve të negociatave që kanë zhvilluar?

Charles Kupchan: Ky shpërthim i ri i dhunës është dëshpërues, por jo shumë befasues. Kohëve të fundit, tensionet janë duke u rritur. Mendoj se ka zhgënjim të të gjithë aktorëve. Në njërën anë, ka një udhërrëfyes serioz - me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian - që do të duhej ta çonte Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit [të marrëdhënieve]. Në të njëjtën kohë, asnjëra palë nuk tregon gatishmëri, guxim të mjaftueshëm për të ecur përpara dhe për ta zbatuar atë udhërrëfyes.

Mendoj se kryeministri Kurti, muajve të fundit, ka ndërmarrë hapa që kanë qenë provokues dhe kanë rritur temperaturën - duke filluar me përpjekjet për t’i detyruar serbët e Kosovës që të marrin karta të reja identiteti dhe targa. Pastaj, vendimi për instalimin e kryetarëve të komunave në veri, të zgjedhur në zgjedhje që u bojkotuan nga komuniteti serb.

Këta mund të jenë hapa legjitimë për një Kosovë sovrane, por, megjithatë, kanë rezultuar provokues dhe mendoj se e kanë penguar përparimin. Nuk e dimë se kush janë autorët e dhunës që solli këtë vrasje.

Vuçiq e mohoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë të Serbisë, por ne e dimë nga historia se, në kohën e rritjes së tensioneve etnike, formohen grupe paraushtarake të një lloji apo të një lloji tjetër. Qytetarët i marrin gjërat në duart e tyre dhe kryejnë akte dhune, pas të cilave ndoshta nuk qëndron asnjëra palë. Ndoshta kjo situatë e paralajmëron Qeverinë në Prishtinë dhe atë në Beograd se nuk përjashtohet shpërthimi më i gjerë i dhunës, se të dyja palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe se situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe e rrezikshme.

Radio Evropa e Lirë: Kush mund të qëndrojë pas këtij sulmi? A mund të jetë Lista Serbe, partia kryesore serbe në Kosovë, apo Beogradi, pavarësisht distancimit të Vuçiqit, apo shërbimi rus i sigurisë, siç përmendet në rastin e pazgjidhur të komplotit për rrëzimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, më 2016? Gjithashtu, çfarë donin të arrinin sulmuesit me këtë sulm?

Charles Kupchan: Nuk do të doja të rrezikoja me supozime për sulmuesit. Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdoshmërisht nga qeveria. Qëllimi i tyre? Nxitja e telasheve, dhunës më të madhe, ngritja e tensioneve për ta bërë të paarritshëm bashkëpunimin mes palëve të përfshira në arritjen e paqes së qëndrueshme.

Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se Beogradi i mbështet këto lloje strukturash dhe grupesh paralele. Vuçiq thotë se vetëm Kurti është fajtor për gjithçka që po ndodh në Kosovë. “Albin Kurti është i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë”, thotë Vuçiq. Si është e mundur që serbët lokalë të kenë armë të tilla tipike për njësitë e rregullta apo paraushtarake? Si është e mundur që popullata vendase të ketë armë aq moderne?

Charles Kupchan: Nuk është për t’u habitur që secila palë e fajëson tjetrën. Mendoj se të dyja palët mbajnë përgjegjësi. A veproi Serbia me mirëbesim për ta ndihmuar Kosovën që të jetë koherente si shtet unitar? Absolutisht jo. A i inkurajoi Qeveria në Beograd strukturat paralele dhe pakicën serbe që të jenë më besnike ndaj Serbisë sesa ndaj Kosovës? Absolutisht.

Pra - nëse shikojmë një pamje më të gjerë - a mban Serbia përgjegjësi të konsiderueshme për stagnimin dhe për shpërthimin e dhunës? Po, mban. Në të njëjtën kohë, e dimë se Kurti ka ndërmarrë hapa që kanë rritur temperaturën, kanë polarizuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve etnikë dhe serbëve etnikë.

Nga vijnë armët e tilla? Epo, në botën e sotme, është shumë e lehtë të arrihet në tregun e zi. Mund të kenë ardhur edhe nga Beogradi, përmes tregut të zi.

Ne nuk e dimë këtë, por e dimë se shpërthimi i konflikteve dhe dhunës së tillë është i rrezikshëm, sepse ato kanë potencial për t’u përhapur. Shpresoj që ky incident të përjetohet si një alarm zgjimi dhe të jetë arsye për të dyja palët që të ecin përpara në frontin diplomatik.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndodhur ky incident spontanisht, brenda natës, apo është përgatitur me ditë, nëse jo me javë, siç sugjeron Policia e Kosovës?

Charles Kupchan: Me sa duket, nuk ka qenë një veprim spontan. Nga sa mund të kuptojmë nga raportimet e mediave, kamionët po bllokonin urën. Është tentuar të shkaktohej një lloj bllokimi. Me sa duket, një grup prej disa dhjetëra personash ka kërkuar strehim në një manastir serb.

Pra, ky duket të jetë një veprim i organizuar mirë - gjë që e bën atë më të rrezikshëm, sepse sugjeron se ka grupe në terren që kanë interes të shkaktojnë dhunë dhe janë të gatshme të organizohen dhe të kërkojnë armë, që do t’u mundësonin ta bënin atë.

Radio Evropa e Lirë: Sulmuesit kërkuan strehim në manastirin e Banjskës, por kleri u distancua prej tyre...

Charles Kupchan: Mendoj se është një shenjë pozitive që manastiri serb, kleri i tij është distancuar nga dhuna. E konsideroj si shenjë pozitive që presidenti Vuçiq e ka dënuar vrasjen e një polici të Kosovës dhe dhunën. Ky lloj i përmbajtjes është i rëndësishëm.

Tani është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë përmbajtje të mëtejshme, afatgjate, të heqin dorë nga akuzat e ndërsjella dhe të ecin përpara me zbatimin e udhërrëfyesit të përgatitur nga Bashkimi Evropian.

A ka vendime të vështira për t’u marrë? Po. A do të jetë e vështirë për Kosovën që ta themelojë Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe që do ta kënaqte popullatën [serbe] dhe do të çonte në një marrëveshje? Po, do të jetë.

Por, ky udhërrëfyes mendoj se paraqet mundësinë më të mirë që kanë pasur palët për të zgjidhur konfliktin dhe për të ecur përpara. Për fat të keq, tani për tani, ato nuk duket se po e shfrytëzojnë këtë mundësi.

Radio Evropa e Lirë: Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dënoi atë që ai e cilësoi si “sulm të tmerrshëm”, duke shtuar se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë.

Mirëpo, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e kritikoi deklaratën e Borrellit, duke thënë se nuk shpreh mbështetje për policinë dhe nuk e përdor fjalën “terroristë” për sulmuesit.

Ky përshkallëzim i dhunës ndodhi pasi bisedimet e fundit Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga BE-ja, dështuan më 14 shtator. Borrell fajësoi Kurtin që nuk arriti ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do t’u jepte atyre autonomi më të madhe.

Charles Kupchan: Mendoj se ka pasur mungesë të vrullit pas takimit të organizuar nga Borrelli. Me sa kemi kuptuar, Kurti ka thënë se Marrëveshja [bazë për normalizimin e marrëdhënieve] duhet të sekuencohet - më saktësisht, serbët duhet ta njohin Kosovën, para se Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se deklaratat e tilla janë të padobishme.

Kjo është një nga arsyet përse bashkësia ndërkombëtare i ka intensifikuar kritikat ndaj kryeministrit të Kosovës së voni, saqë disa e kanë akuzuar pastaj Perëndimin si të njëanshëm. Por, mendoj se detyrimet e të dyja palëve janë evidentuar dhe ato duhet t’i përmbushin paralelisht.

Radio Evropa e Lirë: Si i komentoni kritikat e shefes së diplomacisë kosovare se Borrell ishte tepër i përmbajtur në deklaratën e tij dhe se sulmuesit nuk i quajti “terroristë”?

Charles Kupchan: Mendoj se deklarata e Borrellit ishte mjaft e qartë. Kur vlerësojmë deklaratat e palës kosovare dhe asaj serbe, duhet të kemi parasysh intensitetin e emocioneve të tyre në momentin kur ka sërish dhunë dhe vdekje të njerëzve.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se pas konflikteve të fundit do të zvogëlohet presioni i BE-së dhe SHBA-së ndaj Kurtit dhe do të rritet ndaj Serbisë, duke pasur parasysh kritikat e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kurtit, që i përmendet edhe ju?

Charles Kupchan: Mendoj se është e përshtatshme që komuniteti ndërkombëtar ta ushtrojë presionin e nevojshëm te të dyja palët. Unë nuk mendoj se ka një djalë të mirë apo një djalë të keq këtu. Ky është një nga ato konflikte të pazgjidhshme që vazhdon me vite. Dhe ne e dimë nga historia se konfliktet e pazgjidhshme, përfundojnë kur të dyja palët janë gati për lëshime dhe kompromise të vështira, të guximshme dhe të dhimbshme në negociata.

Roli i BE-së dhe SHBA-së është të ushtrojnë presion mbi të dyja palët, për ta sjellë atë lloj reciprociteti, përmbajtjeje që ka munguar muajt e fundit. Mbetet vetëm të shpresojmë se ngjarje të tilla tragjike do t’i inkurajojnë të dyja palët që të ecin përpara me më shumë përkushtim dhe vendosmëri drejt një zgjidhjeje përfundimtare, përmes diplomacisë.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët se konfliktet e pazgjidhshme mund të përfundojnë vetëm me kompromise në tryezën e bisedimeve. Por, shohim se në rastin e Nagorno-Karabakut, pas dekadash mungesë kompromisi, konflikti është zgjidhur kur njëra palë - Azerbajxhani - është forcuar ushtarakisht dhe ka fituar. Tani, ne shohim një situatë shumë të pasigurt rreth Nagorno-Karabakut, në atë kuptim që ai do të riintegrohet politikisht në Azerbajxhan, ndërsa e ardhmja e armenëve aty mbetet mjaft e pasigurt...

Charles Kupchan: Nuk duam që një situatë e tillë të ndodhë në Ballkan, sepse çështja e Nagorno-Karabakut në shumë mënyra çon kah përdorimi i forcës, sepse Azerbajxhani - pjesërisht për shkak të të ardhurave nga energjia - ka arritur të fitojë epërsi ushtarake, që i ka mundësuar ta rivendosë kontrollin mbi Nagorno-Karabak.

Nuk duam të shohim përdorim të forcës ushtarake kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Kosovës.

Por, një mësim që mendoj se është i dobishëm nga rasti i Nagorno-Karabakut, është se Rusia nuk ka mundur dhe nuk i ka dalë në ndihmë Armenisë, edhe pse është aleate në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Mendoj se preokupimi i Rusisë me Ukrainën, dëmi që i ka bërë reputacionit të saj, u jep një mundësi jo vetëm Kosovës dhe Serbisë, por Ballkanit në përgjithësi, që të përpiqet të distancohet nga lidhjet e tij me Rusinë, për të kapërcyer disa nga mosmarrëveshjet e mbetura, nga të cilat Rusia gjithmonë ka tentuar të përfitojë. Pra, mendoj se ky është një moment i favorshëm që Kosova dhe Serbia të ecin përpara.

Radio Evropa e Lirë: A po përpiqet Rusia - e ndoshta edhe Kina - që ta shfrytëzojë disi situatën e paqëndrueshme në lidhje me Kosovën për qëllimet e saj?

Charles Kupchan: Mendoj se Kina po shfrytëzon deri diku rënien e ndikimit rus në rajone të caktuara, për të rritur ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore, në Afganistan. Megjithatë, besoj se nuk do të ketë sukses të madh në Ballkan. Tashmë kemi parë aktorë të ndryshëm evropianë që largohen nga Kina. Italia duket se po i jep fund pjesëmarrjes së saj në iniciativën e Kinës “Brezi dhe Rruga”. Vendet e Evropës Qendrore po heqin dorë nga forumi i tyre i dialogut me Kinën [Iniciativa 16+1].

Në fund të fundit, rajoni i Ballkanit është i destinuar që të integrohet në institucionet atlantike, në Bashkimin Evropian. Është vetëm çështje kohe se kur do të ndodhë. Fatkeqësisht, unë mendoj se ky lloj dhune po e kthen rajonin prapa - larg nga kursi perëndimor. Por, mendoj se e dimë se ku do të përfundojë rrëfimi. Ne, thjesht, nuk e dimë se sa do të zgjasë.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për rolin e Rusisë në Ballkan, a do të përpiqet të përfitojë ajo disi nga kjo situatë, marrë parasysh marrëdhëniet e saj shumë të ngushta me Serbinë dhe serbët në Ballkan?

Charles Kupchan: Mendoj se rusët nuk e humbasin mundësinë për të provuar që ta forcojnë rolin e tyre patronues dhe ndikimin në rajon - qoftë në mosmarrëveshjen e emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, hyrjen e Malit të Zi në NATO, problemet në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të lëvizjeve secesioniste të Republikës Sërpska, vështirësitë midis Kosovës dhe Serbisë...

Rusët janë gjithmonë në prapavijë, të gatshëm për të shfrytëzuar ndarje të tilla. Por, mendoj se ata tani kanë ndikim më të dobët se më parë, për shkak të preokupimit me pushtimin e Ukrainës dhe varfërimin e burimeve.

Prandaj, besoj se, edhe pse Serbia nuk ka hequr dorë nga marrëdhëniet me Rusinë, nuk e ka dënuar qartë pushtimin rus, imazhi i Rusisë në mbarë botën - veçanërisht në Evropë - është dëmtuar. Kështu që do të jetë shumë e vështirë të rikuperohet. Mendoj se me kalimin e kohës do të shohim se Serbia distancohet nga Rusia dhe se ajo, përfundimisht, do t’i humbasë bastionet e saj të mbetura në rajon.

Radio Evropa e Lirë: A do të jetë tani edhe më e vështirë për Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve], apo BE-ja dhe SHBA-ja do të ushtrojnë presion dhe do ta përshpejtojnë procesin, duke u frikësuar se, siç sugjerojnë këto konflikte, situata mund të dalë jashtë kontrollit?

Charles Kupchan: Mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Beogradit, sidomos pas këtij sulmi të ri të dhunshëm, do të kërkojnë ndërmjetësim dhe presion të huaj.

Unë do t’i inkurajoja Shtetet e Bashkuara dhe BE-në që të vazhdojnë të punojnë së bashku, siç kanë bërë prej se presidenti [amerikan, Joe] Biden ka marrë detyrën, por t’i dyfishojnë përpjekjet për t’u angazhuar si me Prishtinën, ashtu edhe me Beogradin, për ta çuar përpara procesin diplomatik. Gjëja e fundit që duan aleatët e NATO-s tani, është një tjetër epidemi dhune në rajon.

Për rrjedhojë, mendoj se do të ketë përpjekje për ta dyfishuar angazhimin diplomatik. Mund të shohim gjithashtu një rritje të numrit të pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë, për ta parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Radio Evropa e Lirë: Por, për momentin, nuk ka rezultate të prekshme. Të krijohet përshtypja se të gjitha ato diskutime të deritanishme, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk kanë çuar në shumë përparim që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013.

Charles Kupchan: Po, ka arsye për pakënaqësi dhe zhgënjim, por nuk ka arsye për t’u dorëzuar, sepse është bërë përparim. Ekziston një plan i BE-së që është pranuar në parim nga të dyja palët. Ne kemi parë që mosmarrëveshjet e tjera në rajon janë zgjidhur në mënyrë paqësore, duke përfshirë emrin e Maqedonisë së Veriut dhe integrimin e saj në NATO, si dhe integrimin e Malit të Zi në NATO. Pra, ka histori pozitive në rajon dhe tabloja më e madhe tregon se ai po shkon në drejtimin e duhur.

Unë besoj se ajo që po ndodh në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, është një dalje e përkohshme nga rruga. Por, ky është shansi më i mirë që ekziston për t’i ndjekur rrugët diplomatike, që do të çojnë në normalizimin [e marrëdhënieve] dhe në njohjen e Kosovës nga Serbia. Ka shumë punë për të bërë gjatë rrugës, por mendoj se ka dritë në fund të tunelit, pavarësisht errësirës që është shfaqur me aktin e fundit të dhunës.

Radio Evropa e Lirë: Por, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë nuk kanë lëshuar pe deri më tani. Kurti, së fundmi, ka akuzuar Mirosllav Lajçakun, përfaqësuesin special të BE-së në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, se ka mbajtur qëndrim kundër Kosovës. Ndërkohë, gjatë fjalimit të javës së kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi. A do të thotë kjo se të dy ata kanë kërkesa maksimaliste për ta siguruar rezultatin më të favorshëm për vendet e tyre?

Charles Kupchan: Mendoj se bëhet fjalë për manovrime për nevojat e politikës së brendshme. Fatkeqësisht, nacionalizmi, politika e konfrontimit kanë rezultuar të jenë efektive. Kjo është arsyeja përse politikanët shpesh e luajnë këtë kartë. Megjithatë, fokusi në forcimin e pozitës politike në vend dhe në tërheqjen e publikut të brendshëm shpesh rezulton me dështime në marrëdhëniet me vendet që i kanë kundërshtare, ose kanë marrëdhënie të tensionuara me to.

Ana pozitive e kësaj historie është se një politikan që përfaqëson një politikë më të vështirë, një qasje konfrontuese, shpesh ka mbështetje të mjaftueshme të brendshme për të marrë vendime të vështira dhe për të bërë kompromise të dhimbshme. Nuk parashikoj që Kurti dhe Vuçiq të jenë ata që do ta arrijnë një zgjidhje të përhershme diplomatike. Megjithatë, retorika e ashpër që po shkëmbejnë aktualisht, nuk duhet t’i errësojë mundësitë që janë përpara.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se zgjidhja do të arrihet nga pasardhësit e tyre, jo nga Kurti dhe Vuçiq?

Charles Kupchan: Jo domosdoshmërisht pasardhësit e tyre. Është e mundur që dikush si Kurti, i cili është në gjendje të mbledhë një elektorat më të gjerë nacionalist në Kosovë, ta ketë legjitimitetin dhe besueshmërinë e nevojshme për të marrë vendime të vështira dhe për ta bindur publikun vendas për to.

Radio Evropa e Lirë: Tingëlloni optimist. A do të thotë kjo se së shpejti mund të pritet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo, siç sugjeron përvoja e gjithë këtyre viteve, do të ketë më shumë dhunë përpara një marrëveshjeje eventuale?

Charles Kupchan: Nuk mendoj se rajoni i Ballkanit i ka zgjidhur të gjitha problemet e tij dhe se rreziku i dhunës është zhdukur përgjithmonë. Një vlerësim i tillë do të ishte naiv.

Megjithatë, jam optimist se do të arrihet një zgjidhje dhe se Kosova dhe Serbia do të integrohen në institucionet atlantike dhe evropiane. Nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por e di që do të kërkojë guxim politik dhe vendime të vështira. Fatkeqësisht, kjo u mungon të dyja palëve për momentin.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG