Ndërlidhjet

KFOR-i i gatshëm të reagojë në veri, nëse kërkohet


Automjeti i KFOR-it
Automjeti i KFOR-it

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni në mëngjesin e së dielës.

Për pasojë, një zyrtar policor është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet.

Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, është thënë në deklaratë.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

"Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

  • Informacionet e fundit për zhvillimet në veri, pas vrasjes së zyrtarit policor, i gjeni këtu.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG