Ndërlidhjet

Azerbajxhani dhe udhëheqja e Karabakut bisedojnë për “integrimin”


Protesta në Jerevan pasi Azerbajxhani nisi ofensivën në Nagorno-Karabak.
Protesta në Jerevan pasi Azerbajxhani nisi ofensivën në Nagorno-Karabak.

Përfaqësuesit e Azerbajxhanit dhe të udhëheqjes së armenëve etnikë në Nagorno-Karabak u takuan në qytetin Jevlaks më 21 shtator. Por, bisedimet përfunduan pa ndonjë deklaratë të përbashkët në fund dhe pa sinjale për ndonjë rezultat, pasi dy palët këmbyen akuza për raportimet se ka pasur shkelje të armëpushimit në rajonin e shkëputur.

Azerbajxhani po shpreson të konsolidojë përfitimet e arritura gjatë ofensivës ushtarake 24 orëshe – që nisi më 19 shtator, por në bisedime udhëheqja e armenëve etnikë thuhet se ka kërkuar garanci para se forcat e saj të dorëzojnë armët.

Ka pasur raportime për të shtëna rreth 100 kilometra larg kryeqytetit de facto të Nagorno-Karabakut, Stepanakert, në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet.

Zyra e presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, tha se të dyja palët do të takohen sërish së shpejti.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ishte thelbësor në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit një ditë më herët. Një mision paqeruajtës i Rusisë që tre vjet mbikëqyrë një marrëveshje të arritur që i dha fund luftës së vitit 2020.

Putin raportohet se ka biseduar përmes telefonit me Aliyevin. Kremlini tha se Putin theksoi “rëndësinë që të sigurohen të drejtat dhe siguria për popullatën armene në Karabak”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, – administrata e të cilit ka mbështetur Bakunë në aspektin diplomatik, por edhe me dronë dhe pajisje të tjera ushtarake – po ashtu ka biseduar me Aliyevin dhe i ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për Azerbajxhanin.

Ndërkaq, i dërguari i Armenisë në Kombet e Bashkuara, Andranik Hovhannisian, paralajmëroi se Azerbajxhani ka kryer “spastrim etnik” dhe “krime kundër njerëzimit” teksa tentoi të rimarrë territorin e rajonit, pas nëntë muajsh bllokadë në Nagorno-Karabak.

Autoritetet e armenëve etnikë thanë se lideri de facto i rajonit të shkëputur, Samvel Shahramanian, ka thënë se ende nuk ka një marrëveshje finale me palën azerbajxhanase.

Një marrëveshje, sipas armenëve etnikë do të arrihet pasi të ofrohen garancitë e sigurisë për ta.

Më herët, presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, tha se marrëveshja e armëpushimit që u ndërmjetësua nga Rusia më 20 shtator duke i dhënë fund luftimeve, kishte “rivendosur sovranitetin” e shtetit të tij.

Ai lavdëroi operacionin e forcave të shtetit të tij për të larguar udhëheqjen de facto në këtë territor. Ky operacion u zhvillua pothuajse tre vjet pasi gjatë një ofensive, Azerbajxhani mori shumë territore që për dekada kishin qenë nën kontrollin e armenëve etnikë – të cilët kishin mbështetjen e Jerevanit – dhe Aliyev tha se “vetëm në një ditë, Azerbajxhani përmbushi të gjitha detyrimet që ishin vendosur si pjesë e masave kundër terrorizmit”.

Udhëheqja e Nagorno-Karabakut – territor që ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit dhe që armenët e quajnë Artsak – u detyrua që të pranonte kushtet e Bakusë për armëpushim. Operacioni ushtarak i Azerbajxhanit nisi më 19 shtator dhe paqeruajtësit rusë u dukën se nuk ishin të përgatitur ose nuk kishin vullnet që të reagonin.

Avokati i Popullit në Nagorno-Karabak, Gegham Stepanian, tha se të paktën 200 persona janë vrarë gjatë operacionit dhe mbi 400 janë plagosur gjatë luftimeve, përfshirë edhe fëmijë.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, duket se u zu në befasi nga ofensiva azerbajxhanase dhe ka theksuar se Qeveria e tij nuk është përfshirë në përpilimin e armëpushimit. Megjithatë, ai mirëpriti ndaljen e luftimeve.

Ofensiva azerbajxhanase në Nagorno-Karabak u zhvillua një ditë pasi u lejuan të hynin në këtë rajon autokolonat e para me ndihmë humanitare. Kjo pasi në këtë rajon për nëntë muaj ka pasur bllokim të rrugës, që ka pamundësuar që të dërgohen ndihma humanitare, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bakuja që të lejohen dërgesat e ushqimit dhe të ndihmës tjetër.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun, një rajon malor i banuar me shumicë armene, që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.

Marrëveshja e armëpushimit që u nënshkrua në fund të konflikt të vitit 2020, u cilësua si fitore në Azerbajxhan, por humbjet armene nxitën protesta disamujore në Jerevan, ku u kërkua dorëheqja e Pashinianit.

Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet e afërta kanë qenë nën kontrollin e armenëve etnikë që kur nisi lufta në fund të viteve ’80 – kur Bashkimi Sovjetik nisi të kolapsojë – dhe i hapi rrugë “konfliktit të ngrirë” prej tri dekadash.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG