Ndërlidhjet

Çfarë pritet nga takimi i udhëheqësve botërorë në OKB?


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

AP

Dy vjet dominoi pandemia COVID-19. Pastaj ishte lufta e Rusisë në Ukrainë. Gjatë kësaj kohe, rreziqet nga ndryshimet klimatike, varfëria dhe pabarazia shfaqeshin gjithnjë e më shumë në çdo mbledhjeje të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në hapjen e sesionit të 78-të, nuk ka asnjë krizë të vetme që pritet të mbizotërojë qartazi në Debatin e Përgjithshëm, pasi asnjë nga krizat e sipërpërmendura nuk është zgjidhur. Takimi i nivelit të lartë do të zhvillohet në sfondin e një lufte që po vazhdon, krizave të reja politike në Afrikën perëndimore dhe Amerikën Latine, pandemisë së zgjatur të COVID-19, paqëndrueshmërisë ekonomike, pabarazisë në rritje dhe fatkeqësive të reja natyrore, si tërmete, përmbytje dhe zjarre shkatërruese.

Përballë këtyre trazirave, tema e Debatit të Përgjithshëm të këtij viti do të jetë “Rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit mbi Agjendën 2030 dhe Objektivat e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm drejt paqes, prosperitetit, progresit dhe qëndrueshmërisë për të gjithë”.

Më poshtë kemi përmbledhur gjërat që duhet t’i dini për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, të kryesuar nga presidenti i Asamblesë, Dennis Francis, nga Trinidad dhe Tobago.

Çfarë rëndësie ka Asambleja e Përgjithshme e OKB-së?

Përderisa efektiviteti i Kombeve të Bashkuara është vënë në pikëpyetje gjatë gjithë kohës sa ky institucion ka ekzistuar, përfitimet nga pjesëmarrja në të janë të pamohueshme. Nga foltorja, vendet transmetojnë agjendat e tyre, ankesat dhe thirrjet për veprim për të gjithë botën.

Kjo përpjekje për multilateralizëm lindi në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore dhe u bazua në shpresën për paqe të qëndrueshme. Kjo javë është një mundësi kyçe për të tërhequr vëmendjen e një audiencë më të madhe për vendet që shpesh mbyten nga ajo që ata e kritikojnë si një rend botëror hegjemonik. Kjo është gjithashtu një mundësi për liderët që të angazhohen në takime të tjera në margjinat e kësaj Asambleje, që do të zhvilloheshin në një territor neutral.

Kush vjen këtë vit në Nju Jork?

Krerët e shteteve dhe qeverive nga të paktën 145 vende priten të udhëtojnë drejt Nju Jorkut. Midis tyre do të jetë presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Të gjithë këta priten të marrin pjesë qysh në ditën e parë.

Kjo do të jetë paraqitja e parë personale e Zelenskyt në Kombet e Bashkuara që nga pushtimi i vendit të tij nga Rusia. Në vitin 2022, kur filloi lufta në Ukrainë, Asambleja e Përgjithshme votoi për t'i dhënë atij një mundësinë të veçantë për ta shfaqur një fjalim të incizuar paraprakisht.

Por, radha e folësve do të shënohet me disa mungesa kyçe. Përderisa ata kanë dërguar përfaqësues, udhëheqësit e pjesës tjetër të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Rusia – nuk do të udhëtojnë drejt Nju Jorkut. Prania e Vladimir Putinit sigurisht që do të kishte qenë befasuese, por Emmanuel Macron zakonisht merr pjesë, ndërsa kryeministri britanik, Rishi Sunak, do ta kishte mundësinë e parë për t'iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme. Macron arsyetoi mungesën me vizitën e afërt të mbretit britanik Charles, ndërsa Sunak tha se kishte një agjendë të ngjeshur.

Udhëheqës nga vende të tjera të mëdha, përfshirë Indinë – e cila këtë muaj ishte mikpritëse e samitit të G20-tës në Nju Delhi – dhe Meksikën, gjithashtu pritet të dërgojnë ministra në vend të tyre.

Osmani në Nju Jork për të diskutuar për zhvillimet e fundit

Drejt Nju Jorkut të SHBA-së, ku do të zhvillohet takimi i kësaj asambleje, ka udhëtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Edhe pse Kosova akoma nuk është anëtare e OKB-së, tradicionalisht liderët e Kosovës kanë udhëtuar gjatë kësaj jave për në Nju Jork për të takuar miq të dëshmuar të Republikës sonë dhe për të krijuar miqësi e aleanca të reja”, tha Osmani një një postim në Facebook.

Osmani tha se në takimet që do të zhvillojë do të flasë edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë – një javë pasi rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Drejt Nju Jorkut kanë udhëtuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Si duket Debati i Përgjithshëm?

Tani jemi në mes të sezonit të debateve fillestare të fushatës presidenciale në SHBA, por struktura e Debatit të Përgjithshëm në Kombet e Bashkuara nuk u ngjason atyre. Në Debatin e Përgjithshem nuk lejohen vërshëllimat, ndërprerjet apo kundërshtimet e menjëhershme. Por, kjo nuk do të thotë se mungojnë intrigat dhe drama.

Çdo fjalim ofron një tekst të pasur dhe interpretimi i tij në foltore shton nëntekst. Fjalimet mund të kenë gjuhë ndjellëse, me gjemba apo edhe mesazhe të fshehura. Fjalimi duhet të përmbyllet për 15 minuta, por shumë liderë nuk e përmbyllin brenda këtij afati. Vitin e kaluar, fjalimet ishin mesatarisht rreth 19 minuta, gjë që kishte tërhequr qortim të ashpër nga presidentja sllovake, Zuzana Caputova.

Në më pak se 12 minuta, fjalimi i saj përfundoi me: “Dhe meqenëse respektimi edhe i rregullave më të vogla ka rëndësi, më lejoni ta përfundoj këtu për ta respektuar afatin kohor, për të cilin kemi rënë dakord”. Fjalimi më i gjatë në histori kishte zgjatur 269 minuta dhe u mbajt nga Fidel Castro i Kubës në vitin 1960.

Shteteve anëtare u lejohet gjithashtu të ushtrojnë të drejtën e përgjigjes, në të cilën ata mund të kundërshtojnë kritikat e shprehura gjatë Debatit të Përgjithshëm. Këto janë shpesh shkëmbime të zjarrta në fund të ditës, por zakonisht nuk bëhen nga krerët e shteteve ose krerët e qeverive, por më tepër nga anëtarë të nivelit më të ulët të delegacionit të një vendi. Vitin e kaluar u realizuan 21 ushtrime të së drejtës së përgjigjes.

Sa do të zgjasë Debati i Përgjithshëm i këtij viti?

Kanë mbetur ende disa ditë nga debati, por Debati i Përgjithshëm i këtij viti përfundon një ditë më vonë - të martën, më 26 shtator. Ndërsa Debatet e Përgjithshme të kaluara zakonisht zhvilloheshin nga e marta deri të hënën, me pushim vetëm të dielën, këtë vit ka një pushim dy-ditor . Një zëdhënës i OKB-së konfirmoi se nuk do të ketë fjalime të hënën, për ta respektuar festën hebraike Yom Kippur.

Pse flet Brazili i pari në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?

Kështu është tradita. Në fillim, Brazili bëri një hap përpara kur asnjë vend tjetër nuk donte të dilte vullnetarisht për të folur i pari. Dekada më vonë, vendi i Amerikës së Jugut ruan pozicionin parësor. Si vendi pritës, Shtetet e Bashkuara zakonisht flasin të dytat (megjithëse vitin e kaluar, presidentit Joe Biden iu desh ta vononte fjalimin e tij me një ditë sepse po merrte pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II).

Për fjalimet e tjera që pasojnë, rendi përcaktohet nga faktorë të shumta, përfshirë kë e ka dërguar një vend për të mbajtur fjalimin (kryetarët e shteteve u paraprijnë krerëve të qeverive, të cilët paraprijnë ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë), preferencat e vetë vendeve dhe mbajtjen e baraspeshës gjeografike

A lejohet paraqitja e vendeve jo-anëtare të OKB-së?

Disa lejohen. Përderisa të gjitha shtetet anëtare janë të ftuara të flasin, jo të gjitha domosdoshmërisht e shfrytëzojnë këtë mundësi. Por, Kombet e Bashkuara kanë, gjithashtu, vëzhgues të përhershëm, të cilët kanë qasje në shumicën e takimeve dhe dokumentacionit përkatës”, sipas faqes së internetit të OKB-së.

Bashkimi Evropian, Palestina dhe Selia e Shenjtë (Vatikan) janë vëzhgues të përhershëm, të cilët do të marrin pjesë edhe këtë vit. Vitin e kaluar, Palestina pati fjalimin më të gjatë, me presidentin Mahmoud Abbas që foli për më shumë se 47 minuta.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG