Ndërlidhjet

Kimi i premton Putinit mbështetje të plotë për “luftën e shenjtë” të Rusisë


Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un (në mes), dhe presidenti rus, Vladimir Putin (i pari majtas), u takuan në kozmodromin rus më 13 shtator 2023.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un (në mes), dhe presidenti rus, Vladimir Putin (i pari majtas), u takuan në kozmodromin rus më 13 shtator 2023.

AP

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha të mërkurën presidentit rus, Vladimir Putin, se vendi i tij “e mbështet plotësisht dhe pa kushte luftën e shenjtë” të Rusisë, për mbrojtjen e interesave të sigurisë së vet, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

“Peniani do të qëndrojë gjithmonë pranë Moskës në fronin anti-imperialist”, tha Kim në Rusi më 13 shtator.

Kimi, po ashtu, i quajtur marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë “prioritet i parë”.

Dy liderët u takuan në objektin e largët raketahedhës në Siberi, për të biseduar sesi interesat e tyre janë të përbashkëta përballë konfrontimeve të rritura dhe të ndara të vendeve të tyre me Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij hapës, Putini i uroi mirëseardhje në Rusi Kimit dhe shprehu gëzimin që e takoi. Në mesin e çështjeve të diskutuara, Putini i përmendi bashkëpunimin ekonomik, çështjet humanitare dhe “situatën në rajon”.

Takimi mes dy liderëve nisi në kozmodromin Vostochny, me një shëtitje rreth objektit raketahedhës të hapësirës, Soyuz-2, ku Kimi i bëri shumë pyetje rreth raketave një zyrtari rus të hapësirës.

Takimi ndodhi pak orë pasi Koreja e Veriut i lëshoi dy raketa balistike drejt detit, duke e vazhduar testimin provokator të armëve që nga fillimi i vitit 2022, pasi Kimi e përdori shpërqendrimin nga lufta e Putinit në Ukrainë për ta përshpejtuar zhvillimin e armëve.

Takimi mes dy liderëve nisi në kozmodromin Vostochny, me një shëtitje rreth objektit raketahedhës të hapësirës, Soyuz-2, ku Kimi i bëri shumë pyetje rreth raketave një zyrtari rus të hapësirës.
Takimi mes dy liderëve nisi në kozmodromin Vostochny, me një shëtitje rreth objektit raketahedhës të hapësirës, Soyuz-2, ku Kimi i bëri shumë pyetje rreth raketave një zyrtari rus të hapësirës.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut nuk tregoi menjëherë se sa larg fluturuan raketat e Koresë së Veriut. Roja Bregdetare e Japonisë tha se raketat më gjasë kanë zbarkuar tashmë, por u bëri thirrje anijeve vëzhguese të shikojnë me kujdes për rënien e ndonjë objekti.

Vendimi për t’u takuar në kozmodrom, objektin më të rëndësishëm të Rusisë për lëshimin e satelitëve, lë të kuptohet se Kimi është duke kërkuar nga Rusia ndihmë teknike për të zhvilluar satelitë ushtarakë të zbulimit, të cilët i ka përshkruar si vendimtarë në rritjen e kërcënimit të tij me raketa bërthamore. Në muajt e fundit, Koreja e Veriut ka dështuar vazhdimisht ta dërgojë në orbitë satelitin e vet të parë spiun.

I pyetur nëse Rusia do ta ndihmojë Korenë e Veriut të ndërtojë satelitë, Putini tha, sipas mediave ruse, se “prandaj ne kemi ardhur këtu. Lideri i DPRK-së (Koresë së Veriut) ka shfaqur interesim të madh në teknologjinë e raketave. Edhe ata po përpiqen ta zhvillojnë hapësirën”.

“Ne do të bisedojmë për këto çështje pa nxitim. Kemi kohë”, theksoi Putini.

Putini e mirëpriti limuzinën e Kimit, e cila u soll nga Peniani në trenin e veçantë të blinduar të liderit verikorean, në hyrje të kozmodromit.

Ai tha se ndihej “shumë i gëzuar” që e takoi Kimin. Përkthyesi i Kimit e falënderoi Putinin për mikpritjen e ngrohtë, “edhe pse i zënë”.

Për Putinin, takimi ishte një mundësi t’i rimbushur depot e municionit ta cilat i ka shterur lufta 18-mujore. Koreja e Veriut mund t’i ketë dhjetëra miliona raketa dhe predha të vjetruara bazuar në dizajnin sovjetik, të cilat mund ta forcojnë dukshëm ushtrinë ruse në Ukrainë, thonë analistët.

Kimi e mori me vete në Rusi Jo Chung Ryong, një zyrtar të partisë në pushtet i cili është përgjegjës për politikat e municionit.

Kimi tha se vendimi i tij për ta vizituar Rusinë katër vjet pas vizitës së fundit, tregoi se Peniani po e bën “prioritet rëndësinë strategjike” të marrëdhënieve me Moskën, tha të mërkurën agjencia e lajmeve shtetërore e Koresë së Veriut.

Kimi pritet të kërkojë ndihmë ekonomike dhe të teknologjisë ushtarake.

Marrëveshja për armë do të ishte në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare që Rusia i ka përkrahur në të kaluarën.

Lim Soo-suk, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, tha se Seuli po mban komunikim me Moskën, derisa po e vëzhgon nga afër vizitën e Kimit.

“Asnjë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk duhet t’i shkelë sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj Koresë së Veriut, duke u përfshirë në një shkëmbim të jashtëligjshëm të armëve, dhe natyrisht nuk duhet të angazhohet në bashkëpunim ushtarak me Korenë e Veriut, e cila minon paqen dhe stabilitetin e komunitetit ndërkombëtar”, tha Lim.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë e Veriut se po i jep armë Rusisë, përfshirë shitjen e predhave të artilerisë grupit mercenar rus, Wagner.

Zyrtarët rusë dhe verikoreanë i kanë mohuar këto akuza.

Thashethemet për bashkëpunim ushtarak u rritën pasi Sergei Shoigu, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, e vizitoi Korenë e Veriut në korrik.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG