Ndërlidhjet

Spiunë, hakerë, informatorë: Si përgjohet Perëndimi nga Kina?


Kode deshifrimi në një ekran - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kode deshifrimi në një ekran - Fotografi ilustruese nga arkivi.

AFP

Autoritetet britanike e kanë arrestuar një burrë ditë më parë, i cili është raportuar të ketë spiunuar për Kinën prej zemrës së Qeverisë në Londër, duke nxitur shqetësime të reja për mënyrën se si mbledh inteligjencë Pekini.

Për incidentin raportohet pas dyshimeve të muajve më parë se Kina e ka nisur një balonë vëzhguese mbi Shtetet e Bashkuara, duke nxitur tensione diplomatike.

Më poshtë i kemi përmendur disa mënyra se si Kina ka punuar për ta spiunuar Perëndimin.

Luftë kibernetike

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar më 2022 se gjiganti aziatik përbën “kërcënimin më të madh, më aktiv të spiunazhit kibernetik” për qeverinë e saj dhe sektorin privat.

Sipas hulumtuesve dhe zyrtarëve perëndimorë të inteligjencës, Kina është bërë vend me përvojë në hakimin e sistemeve digjitale të vendeve rivale, për të mbledhur sekrete.

Më 2021, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe aleatë tjerë, kanë thënë se Kina u ka krijuar “kontrata hakerëve” për të depërtuar në sistemet e emaileve të Microsoft-it, ashtu që agjentët shtetërorë të sigurisë të kenë qasje në informacion të ndjeshëm.

Spiunët kinezë e kanë shënjestruar edhe Departamentin amerikan të Energjisë, kompani të mirëmbajtjes, kompani të telekomunikacionit dhe universitete, sipas deklaratave zyrtare të Qeverisë amerikane dhe raportimeve në media.

Shtetet e Bashkuara i kanë, po ashtu, mënyrat e veta të spiunimit të Kinës, kryesisht përmes vëzhgimit, por kanë edhe rrjet të informatorëve.

Shqetësime për teknologjinë

Në sektorin e teknologjisë, ka shqetësime se kompanitë e lidhura me shtetin e Kinës janë të obliguara që t’i ndajnë informacionet që i kanë me autoritetet.

Më 2019, Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar gjigantin teknologjik Huawei për komplot me qëllim të vjedhjes së sekreteve shtetërore amerikane.

Uashingtoni ia ka ndaluar kompanisë që t’i furnizojë sistemet e Qeverisë amerikane me pajisje dhe e ka dekurajuar sektorin privat për t'i përdorur këto pajisje, me shqetësimin se mund të keqpërdoren të dhënat.

Huawei, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë akuzat.

Shqetësime të ngjashme ekzistojnë edhe për TikTok-un, të zhvilluar nga kompania kineze ByteDance.

Disa ligjvënës perëndimorë kanë bërë thirrje disa herë për bllokim të aplikacionit, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Spiunim industrial dhe ushtarak

Sipas ekspertëve, ligjvënësve amerikanë dhe raportimeve në media, Pekini ka siguruar inteligjencë edhe prej shtetasve kinezë pa pozita qeveritare.

Një prej rasteve të profilit më të lartë ka qenë ai i Ji Chaoqun, i cili është dënuar në janar me tetë vjet burgim në SHBA për shpërndarje të informacionit me inteligjencën kineze.

Ji është akuzuar se ka mbledhur informacion për tetë persona dhe ka raportuar te Ministria e Sigurisë së provincës Jiangsu, një njësit i inteligjencës, i akuzuar për përfshirje në vjedhje të sekreteve të Administratës amerikane të Tregtisë.

Vitin e kaluar, një gjykatë amerikane e ka dënuar një zyrtar kinez të inteligjencës me 20 vjet burgim për vjedhje të teknologjisë nga kompanitë e hapësirës ajrore të SHBA-së dhe Francës.

Burri, me emrin Xu Yanjun, është shpallur fajtor për rolin që e ka pasur në skemën pesëvjeçare të shtetit kinez për të vjedhur sekrete komerciale nga aviacioni amerikan dhe ai francez.

Më 2020, një gjykatë amerikane e ka burgosur inxhinierin Wei Sun – kinez i natyralizuar me shtetësi amerikane – për sigurimin e informacionit të ndjeshëm për një sistem raketor amerikan dhe e ka transmetuar te Kina përmes një laptopi.

Spiunimi i politikanëve

Operatorët kinezë dyshohet se i kanë përndjekur elitat politike, sociale dhe biznesore në Britani dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas Sunday Times, një spiun britanik i arrestuar të shtunën ka pasur kontakte me ligjvënës nga Partia Konservarore e Britanisë së Madhe, derisa ka qenë duke punuar si hulumtues parlamentar dhe ka punuar për politika ndërkombëtare, përfshirë lidhjet me Pekinin.

Faqja amerikane e lajmeve Axios e ka udhëhequr hulumtimin më 2020, duke pretenduar se një student kinez është regjistruar në një universitet në Kaliforni dhe ka krijuar lidhje me një mori politikanësh amerikanë me qëllim të spiunimit për agjencinë kryesore të spiunimit në Pekin.

Studenti, me emrin Fang Fang, ka krijuar fushata financimi, ka zhvilluar shoqëri dhe ka iniciuar lidhje intime seksuale për t’i shënjestruar politikanët me famë në rritje, në periudhën 2011-2015, sipas raportit.

Stacionet policore

Një tjetër teknikë e përdorur nga operativët kinezë është që të mësojnë më shumë për Partinë Komuniste dhe që zyrtarëve perëndimorë të mos ua tregojnë anët e errëta të realitetit, kanë thënë hulumtuesit.

Qëllimi përfundimtar është që të krijohet një realitet i gabuar për ambiciet e Pekinit dhe që Perëndimi të besojë se “Kina do të rritet në mënyrë paqësore – ndoshta edhe demokratike”, ka thënë autori Alex Joske në librin e tij “Spiunë dhe Gënjeshtarë: Si e kanë mashtruar botën operacionet e fshehta kineze”.

Pekini u ka bërë presion edhe komuniteteve jashtë shtetit dhe organizatave mediale që t’i përkrahin politikat e tij në Tajvan, dhe që t’i shmangin kritikat për situatën në Hong Kong dhe shtypjen në Ksinjiang.

Në shtator të vitit 2022, organizata joqeveritare me bazë në Spanjë, Gardianët e Mbrojtjes, ka thënë se Kina i ka krijuar 54 “stacione policore” në gjithë botën, dhe dyshohet se qëllim i tyre është shënjestrimi i kritikëve të Partisë Komuniste.

Pekini, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë akuzat.

Holanda e ka urdhëruar Kinën që t’i mbyllë dy “stacione policore” në këtë shtet, në nëntor.

Një muaj më vonë, Republika Çeke ka thënë se Kina i ka mbyllur dy qendra të tilla në Pragë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG