Ndërlidhjet

Mes sulmeve ruse, Blinken viziton Kievin


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpritet nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Kiev, 6 shtator 2023.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpritet nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Kiev, 6 shtator 2023.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Kiev u takua me zyrtarë të lartë ukrainas. Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kievin në kundërofensivën e tij që po vazhdon dhe “për çfarëdo që ka nevojë në terma afatgjatë”.

Vizita e paparalajmëruar e Blinkenit më 6 shtator nisi disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua sërish nga raketat ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Zyrtarët thanë se Blinkeni po ashtu do të njoftojë për një pako të re të ndihmës, në vlerë prej 175 deri në 200 milionë dollarësh. Kjo ndihmë vjen një javë pasi Uashingtoni kishte njoftuar për një pako të ndihmës për Ukrainën.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh.

Blinken, që udhëtoi për në Kiev me tren, gjatë udhëtimit drejt Ukrainës u takua me kryeministrin danez, Mette Frederiksen, tha DASH-i. Zyrtari amerikan falënderoi Danimarkën për ofrimin e trajnimit të pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16, duke premtuar se do t’i dhurojë Kievit këso lloj fluturakesh.

Pasi arriti në Kiev, Blinken vendosi kurora lulesh në një varrezë, duke nderuar ushtarët ukrainas të vrarë duke mbrojtur shtetin e tyre.

“Ne duam të sigurohemi se Ukraina ka atë që i duhet, jo vetëm për kundërofensivën, por edhe terma afatgjatë, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri”, citohet të ketë thënë Blinken për gazetarët.

Ukraina në qershor ka nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse në jug dhe lindje të vendit. Pavarësisht se kundërofensiva po zhvillohet më ngadalë seç pritej, SHBA-ja tha javën e kaluar se forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në rajonin lindor të Zaporizhjës.

Kjo është vizita e katërt që Blinken realizon në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij shteti shkurtin e vitit të kaluar. Herën e fundit, ai kishte vizituar Ukrainën në shtatorin e vitit 2022.

Para vizitës, Rusia sërish shënjestroi kryeqytetin ukrainas me raketa lundruese. Përmes një postimi në Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar raketat. Autoritetet lokale nuk raportuan për viktima apo dëme nga sulmet në kryeqytetin ukrainas.

Në Izmail, në jugperëndim të Odesës, të paktën një person është vrarë pas sulmeve me dronë.

Porti që gjendet në Izmail – prej ku po eksportohen produktet bujqësore – po ashtu ka pësuar dëme, thanë autoritetet.

Izmaili gjendet në kufi me Rumaninë – shtet anëtar të NATO-s – dhe është shndërruar në rrugë kryesore për eksportin e drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore të Ukrainës, pasi Rusia në korrik u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.

Marrëveshja – që u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara – mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Që nga tërheqja nga marrëveshja, Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet e Odeëss dhe Milkolajivit, teksa po vazhdojnë përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes.

Gjatë vizitës në Ukrainë, Blinken pritet të diskutojë me zyrtarë për rrugët alternative për eksportimin e drithërave ukrainase.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG