Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kriza politike në Niger dhe sanksionet e vendosura ndaj regjimit puçist rrezikojnë të shkaktojnë efekte “katastrofike” humanitare.
Agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR, tha se ka rishikuar planin e emergjencës për Nigerin, që kur grusht shteti ushtarak më 26 korrik rrëzoi nga pushteti presidentin, Mohamed Bazoum.
“Kriza e vazhdueshme politike, pa zgjidhje në horizont, po gjeneron paqartësi dhe shqetësime pasi shteti vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme nga grupet e armatosura, veçmas afër kufijve me Malin dhe Burkina Fason”, tha Emmanuel Gignac, përfaqësues i UNHCR-së në Niger.
Me dhunën dhe sulmet që kanë detyruar të zhvendosen mbi 20.000 persona vetëm muajin e kaluar, ai paralajmëroi se “situata ka rritur rreziqet për mbrojtjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve”.
Gignac tha se mbyllja e kufijve dhe sanksionet e vendosura nga Komiteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) ndaj udhëheqësve të rinj ushtarakë veçse ka nxitur rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Veçanërisht shqetësuese, sipas tij, janë edhe sanksionet që aktualisht nuk kanë përjashtime për çështje humanitare. Kjo, sipas Gignac, mund të çojë në mungesë të madhe të ushqimeve dhe ndihmës tjetër të nevojshme.
Edhe pse ndikimi i plotë i sanksioneve ende nuk po ndihet, Gignac paralajmëroi se pas një kohe “nëse ato nuk hiqen... ne nuk do të jemi në gjendje të dërgojmë ndihmën e duhur humanitare, gjë që mund të ketë ndikime katastrofike”.
UNHCR tha se afër 350.000 banorë të Nigerit veçse janë zhvendosur brenda vendit. Kjo agjenci e OKB-së tha se deri më tani nuk ka raportime për lëvizje të mëdha të popullatës nga Nigeri në shtetet fqinje.