Ndërlidhjet

Iran: Shkarkohen 10 profesorë, pasi përkrahën protestat e studentëve


Universitetet dhe studentët për kohë shumë të gjatë i kanë udhëhequr përpjekjet për liri më të madhe politike dhe shoqërore në Iran.
Universitetet dhe studentët për kohë shumë të gjatë i kanë udhëhequr përpjekjet për liri më të madhe politike dhe shoqërore në Iran.

Autoritetet iraniane i kanë shkarkuar të paktën 10 profesorë universitarë të cilët i kishin mbështetur protestat gjithëkombëtare që nisën shtatorin e kaluar, pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgimin policor.

Pak javë para përvjetorit të vdekjes së saj, Hamideh Khademi dhe Ameneh Aali, dy profesoresha nga Universiteti Allameh në Teheran, u shkarkuan përmes telefonit, derisa Këshilli i Studentëve i Iranit njoftoi se u shkarkuan edhe shtatë profesorë të tjerë nga Fakulteti i Letërsisë në Universitetin e Teheranit.

Universitetet dhe studentët për kohë shumë të gjatë i kanë udhëhequr përpjekjet për liri më të madhe politike dhe shoqërore në Iran. Më 1999, studentët protestuan kundër mbylljes së gazetës së përditshme Reformisti, duke e nxitur një bastisje brutale në konviktet e Universitetit të Teheranit ku mbeti i vdekur një student.

Vdekja e Aminit derisa po mbahej në paraburgim për shkak se e kishte shkelur ligjin për shaminë e kokës në shtator të vitit të kaluar, i ka bërë përsëri kampuset vatër të kundërshtimeve.

Përgjatë viteve, autoritetet i kanë arrestuar aktivistët studentët dhe liderët, duke i dënuar me burg dhe duke ua ndaluar studimet.

Më 26 gusht, Ali Sharifi Zarchi, anëtar i fakultetit në Departamentin për Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Sharif të Teheranit, shkroi në X, dikur i njohu si Twitter, se e kishte marrë një letër ku njoftohej se ishte shkarkuar nga universiteti.

Gjatë protestave gjithëkombëtare, Zarchi vazhdimisht i përkrahu studentët dhe në një moment deklaroi se do t’i pezullonte të gjitha orët mësimore derisa të gjithë studentët e arrestuar në Universitetin Sharif të liroheshin.

Agjencia e lajmeve HARNA thotë se të paktën 700 studentë universitarë janë arrestuar gjatë trazirave të fundit.

Shumica e tyre përballen me dënime si: burgim dhe rrahje me kamxhik, ndërsa dhjetëra të tjerë janë përjashtuar nga universitetet, apo pezulluar nga studimet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG