Ndërlidhjet

Denkov: Sofja nuk ndryshon qëndrim ndaj Shkupit


Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov. Fotografi nga arkivi.

Bullgaria mbetet në pozicionin e njëjtë sa i përket Maqedonisë së Veriut, se duhet të përmbushë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian lidhur me domosdoshmërinë për ndryshimet kushtetuese, ka deklaruar kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, në një intervistë për gazetën e Sofjes “24 orë”.

Ndryshimet kushtetuese, që janë në procedurë parlamentare në Maqedoninë e Veriut, parashikojnë përfshirjen në preambulën e Kushtetutës të pakicës bullgare, si popull shtetformues.

Ky është kushti kryesor të cilin duhet të përmbushë Shkupi, në të kundërtën Sofja mban të drejtën e vetos të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020 duke bllokuar bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, tha se pas miratimit të “propozimit francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, bisedimet duhet të vazhdojnë mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë. Me zbatimin e të ashtuquajturit ‘propozim francez’, si rezultat i të cilit u hoq vetoja, bisedimet në fakt tani nuk janë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Ajo që pritet është që ata të përmbushin detyrimet e tyre ndaj BE-së. Nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë”, theksoi Denkov.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas takimit që zhvilloi më 27 gusht me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, takim që u mbajt para fillimit të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, tha se është i bindur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE.

Pas takimit me Kovaçevskin, Michel në rrjetin social X, i dha mbështetje të plotë iniciativës për miratimin e amendamenteve kushtetuese, “pavarësisht sfidave të shumta politike”.

Për rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e procesit integrues u fol edhe në takimet e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Shkup më 24 dhe 25 gusht.

Ndryshimet kushtetuese kundërshtohen nga opozita maqedonase e cila pretendon se “përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë nuk nënkupton fundin e kërkesave e diktatit bullgar”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, në një intervistë për gazetën e Beogradit "Politika", ka akuzuar diplomacinë maqedonase se “nuk lufton për pozita më të mira dhe garanci se nuk do të ketë pengesa të reja për rrugën e integrimit evropian.

“Cila është garancia se ky ndryshim i Kushtetutës, i cili tani po i kërkohet Maqedonisë [së Veriut], do të jetë i fundit? Cila është garancia se nesër nuk do të ketë kërkesë për ndryshim të Kushtetutës në të cilën do të ripërcaktohen çështjet identitare ose nuk do të ketë minimizim dhe fshirje të re të historisë maqedonase”, deklaroi Mickoski.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë për agjencinë maqedonase të lajmeve, MIA se është i bindur se procesi për ndryshimet kushtetuese në vend do të përfundojë me sukses në javët apo muajt e ardhshëm.

“Procesi ka filluar, siç e shihni, e gjithë bota, si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja, e mirëpritën vendimin për fillimin e procesit. Jam bindur se ky proces do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG