Komiteti disiplinor i FIFA-s ka suspenduar presidentin e Federatës spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, pasi kjo federatë kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj futbollistes së kombëtares spanjollore, Jenni Hermoso lidhur me incidentin e puthjes në Kupën e Botës për gratë.
Rubiales do të suspendohet nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futboll në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në një periudhë fillestare prej 90 ditësh, tha FIFA.
FIFA po ashtu lëshoi edhe dy urdhëresa, duke urdhëruar Rubialesin dhe Federatën spanjolle të Futbollit që të mos e kontaktojnë ose të mos tentojnë ta kontaktojnë futbollisten Jennifer Hermoso apo rrethin e saj të ngushtë.
Më herët gjatë të shtunës, Federata spanjolle e Futbollit tha se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Hermoso pasi ajo tha se puthja në buzë nga Rubiales në ceremoninë e Kupës së Botës nuk ishte konsensuale.
Spanja mposhti në finale Anglinë dhe fitoi të dielën e kaluar Kupën e Botës që u mbajt në Sidnej.
Më herët, Rubiales ka thënë se nuk do të japë dorëheqje. Kombëtarja e grave në futboll e Spanjës ka thënë se nuk do të luajë nëse Rubiales nuk largohet nga drejtimi i federatës.