Qindra zjarrfikës në Greqi u përpoqën qysh në orët e para të 24 gushtit ta fitojnë epërsinë në luftën kundër zjarreve masive që po digjen në mënyrë të pakontrolluar për të gjashtën ditë radhazi. Deri më tani, këto zjarre kanë lënë 20 persona të vdekur.
Një zjarr i rrezikshëm vazhdoi të digjet në malin Parnitha pranë Athinës, në pyllin më të madh pranë kryeqytetit, duke kërcënuar një park kombëtar për të dytën ditë radhazi.
Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve, Yiannis Artopios, i tha televizionit shtetëror ERT se ka pasur një “shpërthim zjarri” në një luginë pyjore në orët e hershme të 24 gushtit, që riktheu rrezikun për zonat e banuara të atij rajoni.
Rreziku më i madh gjendet në pjesën veriore të vendit, ku një zjarr i madh që shpërtheu më 19 gusht pranë qytetit Alexandroupoli është kthyer tani në zjarre masive që janë përhapur në një hapësirë prej mbi 15 kilometrash.
Trupat e 19 personave që besohet se ishin emigrantë, dy prej tyre fëmijë, u gjetën në këtë pjesë të vendit gjatë kësaj jave.
Zyrtarët në Greqi kanë paralajmëruar se meqenëse kjo zonë është një pikë hyrëse e njohur për kontrabandistët e emigrantëve nga Turqia fqinje, ka të ngjarë të ketë edhe më shumë viktima në mesin e azilkërkuesve që mund të mos kenë arritur t’u shpëtojnë flakëve.
Një zjarr tjetër i madh u raportua edhe në rajonin Boeotia, në veri të Athinës, ku një manastir bizantin 1.000-vjeçar, Hosios Loukas, mezi i shpëtoi mezi shkatërrimit më 23 gusht.
Kushtet e nxehta dhe të thata që rrisin rrezikun e zjarrit do të vazhdojnë deri më 25 gusht, sipas meteorologëve.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, tha një ditë më parë se vendi po e kalonte verën më të keqe sa u përket zjarreve që nga prezantimi i hartave të rrezikut nga zjarri në vitin 2009.
“Është një situatë e paprecedentë, kjo nuk është një lojë fjalësh”, tha ai.
Zjarret kanë djegur mbi 60.000 hektarë në Greqinë veriore dhe 5.000 hektarë të tjerë në perëndim të Athinës, sipas vlerësimeve nga observatori kombëtar i zjarreve në pyje që operohet nga Universiteti Aristotele në Selanik.