Ndërlidhjet

Zelensky falënderues për avionët F-16, Rusia paralajmëron për “përshkallëzim”


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, të ulur në një avion luftarak F-16 në bazën ajrore Skrydstrup, 20 gusht 2023.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, të ulur në një avion luftarak F-16 në bazën ajrore Skrydstrup, 20 gusht 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka falënderuar ligjbërësit danezë për mbështetjen e tyre ndaj Kievit në luftën kundër pushtimit rus, ndërsa Moska tha se vendimi i Danimarkës dhe Holandës për të dërguar avionë luftarakë F-16 në Ukrainë do ta përshkallëzonte luftën.

Komentet e Zelenskyt në Kopenhagë të Danimarkës më 21 gusht erdhën një ditë pasi ai njoftoi se Danimarka e kishte miratuar dërgimin e 19 avionëve luftarakë të avancuar në Ukrainë.

Zelensky tha gjithashtu se edhe Holanda kishte rënë dakord të dërgonte 42 avionë të llojit F-16, megjithëse kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se megjithëse vendi i tij i ka 42 avionë në dispozicion, ende nuk është vendosur nëse të gjithë do t’i dhurohen Ukrainës.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht avionë luftarakë F-16 nga partnerët e saj perëndimorë. Danimarka dhe Holanda janë të parat që iu përgjigjën thirrjes. Kievi thotë se i duhen avionët për ta forcuar flotën e dëmtuar të avionëve të epokës sovjetike, teksa vazhdon kundërofensivën.

Më 20 gusht, Zelensky falënderoi Holandën dhe Danimarkën për premtimet e tyre për të dhuruar F-16, duke thënë: “Ne po punojmë, duke e bërë Ukrainën më të fortë dhe mbrojtjen ajrore ukrainase më të sigurt!”

Duke iu drejtuar ligjvënësve danezë, Zelensky tha më 21 gusht se “të gjithë fqinjët e Rusisë janë nën kërcënim nëse Ukraina nuk mbizotëron” në luftën tashmë 18-mujore të nisur nga Moska.

Anëtaret e NATO-s, Danimarka dhe Holanda, njoftuan për vendimet e tyre për t’i dhuruar F-16 Ukrainës në një deklaratë të përbashkët më 20 gusht, por nuk e specifikuan numrin e avionëve.

Danimarka ka sugjeruar që avionët F-16 të saj mund të dorëzohen deri në fund të vitit, pas katër deri në gjashtë muaj trajnim.

Çka do të bëjnë F16-shit për Ukrainën?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:25 0:00

Gjatë vizitës së Zelenskyt në një bazë ajrore holandeze më 10 gusht, Rutte nuk dha një numër ose afat kohor për dërgesat, duke treguar se disa nga 42 avionët që Holanda ka në dispozicion do të nevojiteshin për qëllime stërvitore dhe se koha varej nga gatishmëria e ekuipazheve ukrainase dhe infrastrukturës.

“[Avionët] F-16 nuk do të ndihmojnë menjëherë në përpjekjet e luftës. Gjithsesi, ky është një angazhim afatgjatë nga Holanda”, tha Rutte. “Ne duam që ata të jenë aktivë dhe funksionalë sa më shpejt të jetë e mundur.[Nuk do të jenë gati] muajin e ardhshëm, kjo është e pamundur, por shpresojmë që së shpejti”.

Si Holanda ashtu edhe Danimarka janë anëtarë të një koalicioni perëndimor që po trajnon pilotët ukrainas – fillimisht në Danimarkë dhe më pas në Rumani – për t’i drejtuar avionët e sofistikuar F-16. Ndërsa Zelensky refuzoi të thoshte gjatë qëndrimit në Holandë se sa pilotë ukrainas do të trajnoheshin, Danimarka tha javën e kaluar se trajnimi do të fillonte këtë muaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës autorizuan javën e kaluar Danimarkën dhe Holandën për të dorëzuar avionët F-16 të prodhimit amerikan në Ukrainë.

Më 21 gusht, ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen, i tha agjencisë së lajmeve Ritzau se Kievi mund t’i përdorë avionët F-16 të dhuruar nga Danimarka dhe Holanda vetëm brenda territorit ukrainas.

“Ne dhurojmë armë me kusht që ato të përdoren për të përzënë armikun nga territori i Ukrainës. Dhe jo më larg se kaq”, citohet të ketë thënë Ellemann-Jensen. “Këto janë kushtet, qofshin tanke, avionë luftarakë apo diçka tjetër”.

Por, Rusia më 21 gusht i dënoi vendimet e Danimarkës dhe Holandës për t’i dhuruar këta avionë.

“Fakti që Danimarka tani ka vendosur të dhurojë 19 avionë F-16 në Ukrainë çon në një përshkallëzim të konfliktit”, tha ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Ritzau më 21 gusht.

“Duke u fshehur pas një premise se vetë Ukraina duhet t’i përcaktojë kushtet për paqen, Danimarka kërkon me veprimet dhe fjalët e saj që të mos i lërë Ukrainës zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë konfrontimin ushtarak me Rusinë”, tha Barbin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG