Ndërlidhjet

Tre të arrestuar nën dyshime për keqpërdorime me rezervat shtetërore


Policia e Kosovës duke arrestuar një person. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Policia e Kosovës duke arrestuar një person. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale - e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime - tha se të arrestuarit janë personat me inicialet, R.M. H.G dhe I.L.

Të arrestuarve u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

Në njoftim është përmendur edhe bastisja e disa ambienteve dhe sekuestrimi i provave materiale.

MINT, ndërkaq tha se gjatë 18 gushtit janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”, u tha në reagimin e MINT-it.

Sipas raportimeve të mediave lokale në Kosovë, i arrestuari i tretë është Ridvan Muharremi, dhe në këtë rast ka dyshime për keqpërdorime në rezervat shtetërore.

Hajdari akuzon policinë për mosprezantimin e certifikatës për dokumentet sekrete

Në një konferencë për media pasditen e së premtes, ministria e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës "nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete", duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Hajdari shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, ndërkaq u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje:

"Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë", tha ajo.

Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin. Por, ajo refuzoi që të japë detaje për rezervat shtetërore pasi informacione të tilla, sipas legjislacionit, janë sekret shtetëror.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet të pritet epilogu i rastit.

“Për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Në këtë moment, nga informatat që i kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre".

Arrestimet nxisin reagime nga opozita

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për siç thanë “skandalet dhe aferat korruptive”.

Memli Krasaniqi, udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Ramush Haradinaj, kërkoi që Kuvendi i Kosovës të ftojë një seancë të jashtëzakonshme që ekzekutivi të përballet me mocion mosbesimi.

Ndryshe, sipas Ligjit për rezervat shtetërore, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Rezervat shetërore konsiderohen sekret shtetëror.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG