Ndërlidhjet

Osmani: Dorëheqjet e policëve serbë, rezultat i kërcënimeve nga Serbia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se si rezultat i “kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme” nga Beogradi, kanë dhënë dorëheqje zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës.

“Dorëheqja e zyrtarëve policorë nga komuniteti serb është rezultat direkt i kërcënimeve të vazhdueshme dhe frikësimeve nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e [ish-udhëheqësit serb Sllobodan] Millosheviq. Ne do të vazhdojnë të ofrojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë të sigurt për të gjithë”, shkroi Osmani në X, që më herët njihej si Twitter.

Më herët gjatë 17 gushtit, diplomatët ndërkombëtarë, të akredituar në Kosovë, shprehën shqetësimin e tyre për dorëheqjen e tre policëve serbë të Kosovës.

Në reagimin e shefit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe të Ambasadës amerikane, megjithatë nuk u përmendën arsyet që çuan në dorëheqjen e tre policëve.

Nëntorin e kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore - Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.

Në korrik, Radio Evropa e Lirë raportoi se 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës. Nga ky numër, 46 i përkisnin komunitetit serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG