Ndërlidhjet

Dyshimet për sigurinë lënë të mbyllura spitalet modulare


Mjekoligjorët dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes pas djegies së spitalit modular në Tetovë, 9 shtator 2021.
Mjekoligjorët dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes pas djegies së spitalit modular në Tetovë, 9 shtator 2021.

Nga gjithsej 18 spitalet modulare, të cilat u ndërtuan gjatë pandemisë në Maqedoninë e Veriut, vetëm objektet e tri prej tyre përdoren si ambulanca në shërbim të qytetarëve. Ndërsa nga tri ambulancat e ndërtuara modulare, dy janë në përdorim, kurse e treta është në proces të dhënies me koncesion për mjekët amë.

Spitalet dhe ambulancat modulare u ndërtuan gjatë pandemisë për të plotësuar kapacitetet e sistemit shëndetësor, të cilat u mbingarkuan nga numri i madh i pacientëve me COVID-19.

Një nga këto është edhe spitali modular në Tetovë, i cili në shtator të vitit 2021 u kaplua nga flakët dhe për pasojë humbën jetën 14 persona – pacientë dhe familjarë që po kujdeseshin për të afërmit e tyre.

Nga Ministria maqedonase e Shëndetësisë thonë se ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrin për sa i përket funksionit të spitaleve modulare pasi nuk kanë informacion të plotë nga institucionet përkatëse nëse ato objekte janë të sigurta.

Me mjete të Bankës Botërore u ndërtuan 19 spitale modulare , ndërsa ishte paraparë të ndërtoheshin edhe 10 ambulanca modulare, por u ndërtuan vetëm tri.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se vetëm pas kryerjes së analizimit të objekteve, do të vendoset se për çka do të përdoren ato.

“Deri më tani janë kontrolluar ambulancat që janë nën kompetencë të Shtëpisë së Shëndetit në Shkup dhe ato përdoren si ambulanca. Pas kryerjes së analizave çdo klinikë në veçanti apo shtëpi shëndeti, do të marrë rekomandime se për çka mund t’i përdorin spitalet modulare”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për ndërtimin e spitaleve nga buxheti i shtetit janë shpenzuar më shumë se tre milionë e gjysmë euro.

Tenderin për ndërtimin e spitaleve modulare e ka fitoi kompania “BRAKO” që menaxhohet nga familja e ish-zëvendëskryeministrit për çështje financiare, Koço Angjushev. Lidhur me këtë, një hulumtim i Laboratorit për Gazetari Hulumtuese, IRL, ka gjetur se spitalet modulare për COVID-19, përfshirë atë të djegur në Tetovë, u ndërtuan në mënyrë të papërshtatshme duke anashkaluar shumë procedura ligjore.

Aty theksohet se “spitalet modulare janë ndërtuar pa elaborate për instalimin elektrik dhe mbrojtje kundër zjarrit dhe për ndërtimin e të njëjtave është përdorur material i cili ndizet lehtësisht”.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka theksuar se në bazë të revizionit që ai kishte urdhëruar në vitin 2022, të gjitha objektet e spitaleve modulare janë të ndërtuara me materialin e njëjtë sikurse ai në Tetovë që u kaplua nga zjarri, dhe me këtë seriozisht vihet në pikëpyetje siguria e tyre nëse vendosen në përdorim.

Platforma e organizatave joqeveritare për luftë kundër korrupsionit ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Lubomir Jovevski për shkak të zjarrit në spitalin modular të Tetovës.

Nga Platforma e organizatave joqeveritare për luftë kundër korrupsionit kanë theksuar se “hetimi për shkakun e zjarrit në spitalin modular në Tetovë nuk ka qenë i plotë dhe nuk ka përfillur mjaftueshëm ekspertizën gjermane, gjë që ka ngjallur dyshime në opinion për veprim joprofesional të Prokurorisë”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski i pyetur nga gazetarët lidhur me përgjegjësinë që kërkohet nga kryeprokurori Ljubomir Jovevski, ka deklaruar se ai, duhet të jetë i qasshëm në çdo kohë për organet e drejtësisë.

“Vlerësoj se kryeprokurori Lubomir Jovevski duhet të jetë në dispozicion për çdo rast, veçanërisht për këtë rast ku kemi viktima, pra është rasti më tragjik... Të vërtetën duhet ta dinë të gjithë”, ka theksuar Kovaçevski.

Në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë vendosi për ngritjen e qendrave të COVID-19 në 16 qytete të Maqedonisë së Veriut për të përforcuar sistemin shëndetësor për t’i bërë ballë valës së pacientëve të infektuar me koronavirus.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG