Valuta ruse rubla është zhvlerësuar në nivele që janë parë vetëm në javët e para pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë.
Të hënën, 101 rubla ruse janë treguar me 1 dollarë amerikan, çka nënkupton zhvlerësim të valutës për 25 për qind këtë vit dhe më të madhin në 17 muajt e fundit.
Maksim Oreshkin, këshilltar ekonomik i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se faji i zhvlerësimit të rublës qëndron te “politikat e lirshme tregtare”.
Sipas tij, forcimi i rublës është në interes të ekonomisë ruse dhe një rënie e vlerës së saj e “komplikon ristrukturimin ekonomik dhe ndikon negativisht në financat e popullsisë”.
Oreshkin ka thënë mes tjerash se Banka Qendrore e Rusisë “i ka të gjitha mjetet e nevojshme” për ta stabilizuar situatën dhe ka thënë se pret normalizim së shpejti.
Analistët besojnë se dobësimi i rublës është duke u nxitur nga rritja e shpenzimeve për mbrojtje – që ndikojnë në rritje të importit – dhe rënie të eksportit, sidomos në sektorin e naftës dhe gazit natyror.
Në mesin e masave që ka marrë Banka Qendrore e Rusisë, për ta luftuar këtë gjendje, është rritja e normës së interesit për 1 për qind muajin e kaluar.
Ajo ka thënë se normat mund të rriten sërish nëse rubla rrezikohet.
Të hënën, disa rusë në Moskë janë shfaqur të shqetësuar për dobësimin e valutës së tyre.
“Çmimet do të rriten, që nënkupton se standardi i jetesës do të bjerë. Veçse ka rënë, e do të bjerë edhe më shumë – ne definitivisht jemi njerëz të varfër”, ka thënë Vladimir Bessosedny, 63-vjeçar, mësues i pensionuar.
Të tjerë shpresojnë se kjo rënie është e përkohshme dhe që situata do të stabilizohet.
Në janar 66 rubla janë treguar me një dollarë amerikan, mirëpo valuta e ka humbur rreth një të tretën e vlerës në muajt pasues.