Ndërlidhjet

Kurti, Rama dhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, (djathtas) dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas), shkurt 2020.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, (djathtas) dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas), shkurt 2020.

Partitë politike shqiptare mund të faktorizojnë votën e elektoratit shqiptar vetëm nëse arrijnë të grupohen duke garuar si dy blloqe, theksojnë njohësit e çështjeve politike.

Këtyre komenteve u kanë paraprirë takimet e intensifikuara ndërmjet drejtuesve të partive shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, e cila së fundmi është shkëputur nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, e cila aktualisht në Parlament është e përfaqësuar me tre deputetë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se bashkimi i partive shqiptare në një kauzë mund të arrihet përmes një figure të fuqishme rajonale në mesin e shqiptarëve.
Nga ky prizëm e shohin dhe vizitën e paralajmëruar joformale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, më 11 gusht.

Nga kabineti i kryeministrit të Kosovës për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Kurti është i ftuar i kryetarit të Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, për të promovuar një rrugë me emrin e ri, atë të Adem Demaçit, dhe në Tetovë me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Bilall Kasami, për të diskutuar për aksin rrugor Tetovë - Prizren.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, pa u përgjigjur konkretisht se pse kësaj radhe nuk takohet edhe me liderin e BDI-së që është pjesë e pushtetit.

“Në kuadër të Forumit të Prespës, në Strugë, kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë Kryeziu.

*Video nga arkivi e takimit të Kurtit me Ahmetin në Ohër

Kurti takon Ali Ahmetin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:26 0:00

Komuna e Çairit dhe Tetova drejtohen nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Visar Ganiu tashmë është rreshtuar në fraksionin e dalë nga BDI-ja, Lëvizja Demokratike - parti kjo e re e cila është duke u formuar - kurse Tetova udhëhiqet nga Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Ballkani i Hapur afron opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin Kurti

Izet Mexhiti, i cili ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje, është dhe vizita e paraljmëruar joformale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten (më 11 gusht).

Mexhiti thekson se me kryeministrin Kurti do të diskutohen edhe tema politike si Procesi i Berlinit.

“Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, shton Mexhiti.

Nisma Ballkani i Hapur është kritikuar disa herë edhe nga Bilall Kasami.

Rivaliteti Rama-Kurti demonstrohet edhe në Maqedoninë e Veriut

Për njohësit e zhvillimeve politike, ardhja e Kurtit në Shkup shihet si shtytje për pozitën shqiptare nga ana e kryeministrit Kurti për të bashkëvepruar si një front i përbashkët, por njëkohësisht edhe demonstrim i rivalitetit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte një nga promotorët e nismës Ballkani i Hapur.

“Zoti Rama dhe zoti Kurti, rivalitetin e tyre për ndikim apo dominim politik në hapësirën gjuhësore shqiptare e shtrijnë edhe në Maqedoninë e Veriut, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, duke rikujtuar se ishte Rama që ftoi në takim liderët e partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, para se Aleanca për Shqiptarët të bindej të merrte pjesë në qeveri".

“Ndërkohë e dimë se nga viti 2015 e këndej kemi një bashkëpunim shumë të ngjeshur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes Besa. Ky rivalitet (mes Ramës dhe Kurtit) është fakt se është i dukshëm edhe në Maqedoninë e Veriut.
Por, pozitive në tërë këtë rivalitet është se, mbase, më në fund në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një garë mes dy blloqeve ose koalicioneve të partive politike shqiptare - njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë - dhe me siguri se do të kemi dhe oferta më përmbajtjesore”, vlerëson Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Maqedonia e Veriut ndodhet para një procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Në të kundërtën rrezikon që të bllokohet procesi i integrimit të vendit.

Opozita maqedonase thotë se mungesa e votave për të çuar para ndryshimet kushtetuese tregon se pushteti nuk ka legjitimet.

Edhe opozita shqiptare gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi siç thekson, Maqedonia e Veriut dhe ardhmja evropiane mbeten ‘peng i strukturave të caktuara të pushtetit që janë të kapura nga korrupsioni’.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG