Ndërlidhjet

Bërnabiq e vlerëson si mbështetje për Kurtin letrën e ligjvënësve evropianë e amerikanë


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërbabiq. Fotografi nga arkivi.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërbabiq. Fotografi nga arkivi.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, më 8 gusht shkroi në X se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, përmes së cilës ata kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë është “e mirëpritur”, pasi sipas saj, kjo është “provë e gjallë” që homologu i saj kosovar, Albin Kurti, në të vërtetë gëzon “mbështetje dhe inkurajim të plotë për cenimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i dërguan një letër shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly. Përmes kësaj letre, ata kërkuan ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, që publikoi letrën, tha se atë e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Në mesin e nënshkruesve të kësaj letre janë edhe senatori amerikan, Bob Menendez, dhe kongresisti Ritchie Torres.

Kjo letër u mirëprit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që tha se ekspozon “agjendën shkatërruese dhe destabilizuese të Serbisë”.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letër.

Në kohën e tensioneve në rritje, tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Kosova tha se ata u “rrëmbyen” brenda terrorit të saj, por Serbia tha se i arrestoi “thellë brenda” territorit serb. Policët u liruan më 26 qershor.

Bërnabiq shkroi në rrjetin X se shembulli më mbresëlënës i mungesës së besueshmërisë dhe objektivitetit të iniciuesve të letrës është se Alicia Kearns, “arriti të bëhej një prej njerëzve të paktë, deklaratat publike të së cilës u mohuan nga KFOR-i”.

Bërnabiq iu referua një deklarate që Kearns bëri më 4 korrik, kur tha se armët nga Serbia në Kosovë po kontrabandoheshin përmes autoambulancave dhe se ato po “ruhen” në ndërtesat e Kishës Ortodokse Serbe.

Më 5 korrik, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se rasti të cilit i është referuar deputetja britanike daton në vitin 2022, kur një batalion i këmbësorisë së Britanisë u përfshi në veri të Kosovës për të mbështetur KFOR-in.

“Prania e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejme nuk janë gjetur prova” për kontrabandë, deklaroi KFOR-i.

Po atë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se po punohej për verifikimin e informacioneve të paraqitura nga deputetja britanike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG