Ndërlidhjet

Ndryshimet klimatike ulin përgjysmë rendimentet e grurit


Korrje-shirjet e grurit në Maqedoninë e Veriut, korrik 2022.
Korrje-shirjet e grurit në Maqedoninë e Veriut, korrik 2022.

Reshjet e shumta të shiut gjatë pranverës dhe temperaturat ekstreme të larta gjatë verës, kanë dëmtuar arat e mbjella me drithëra, thonë bujqit në Maqedoninë e Veriut.

Stevçe Jordanovski, bujk nga Prilepi, thotë se shirat e dendura pas vete shkaktuan dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore, veçanërisht arat e mbjella me grurë.

Jordanovski thotë se bima e grurit është rrëzuar në tokë nga shirat e dendura, kurse kokrrat i janë nxirë, duke e bërë kështu të papërpunueshëm për miell.

“Kur flasim për grurin dhe kulturat e tjera, drithërat, do theksuar se si rrjedhojë e shirave të shumta në pranverë arat e mbjella me këto kultura bujqësore u prekën nga shumë sëmundje, me këtë dhe rendimet u ulën në masë të theksuar. Gjatë muajit qershor kur gruri duhej të mbushte kokrrën, nuk ka pasur diell të mjaftueshëm dhe të reshurat e shtuara të shiut e dëmtuan dukshëm cilësinë e grurit. Varësisht nga rajoni rendimentet e drithërave janë ulur nga 30 deri në 50 për qind”, thekson Jordanovski.

Memet Sinani nga Konfederata e Fermerëve në Maqedoninë e Veriut, thotë se ka të mbjellë disa hektarë me grurë në rajonin e Tetovës. Sipas tij, nëse institucionet e shtetit nuk veprojnë brenda një kohe të shkurtër, ka rrezik që bujqit të falimentojnë për shkak të dëmeve të mëdha që pësojnë nga ndryshimet klimatike.

“Në 100 mijë euro investime që kemi bërë gjatë të mbjellave, shteti duhet të na kthejë 15 për qind. Për përparimin e bujqësisë, gjegjësisht përshtatjen me ndryshimet klimatike, asnjëherë nuk na është dhënë as edhe një denar. Vetëm përralla dëgjojmë nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë”, edhe pse këto mjete janë siguruar nga grantet e Suedisë”, thotë Sinani për REL-in.

“Kashtë kemi plot, por jo edhe kokrra gruri. Duhet të djegim kashtën pasi nuk ka kafshë, s`kemi ku ta shesim për ta hequr nga ara... dhe kjo është kosto shtesë”, shprehet ai.

Sinani thotë se viteve të kaluara që ishin më të frytshme, mblidheshin 5 deri 7 mijë kilogramë grurë për hektar, kurse sivjet rendimentet e grurit janë rreth 3 mijë 500 kilogramë grurë për hektar.

Nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se në Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë më pak gruri se zakonisht pasi gjatë këtij viti, si rrjedhojë e subvencioneve që kanë marrë bujqit, janë mbjellë 8 për qind më shumë sipërfaqe e arave me grurë.

Zëvendësministrja e Bujqësisë, Vjollcë Berisha, thotë për REL-in se ndryshimet e befta të motit, shirat e vrullshëm e breshri kanë qenë sfidë e vërtetë për bujqit.

“Ne, si Ministri, kemi filluar procesin e vlerësimit të dëmeve në vendet që i kanë paraqitur ata. Përmes këtij vlerësimi mundësohet të përfitohet nga dëmshpërblimi që e jep Qeveria në raste të këtilla të dëmtimit nga dukuritë natyrore e të ngjashme. Përveç kësaj, krahas subvencionimit për mbjelljen e grurit, miratuam edhe masat për mbështetjen e fermerëve për grurë e elb, të cilat i krijuam në konsultim me grupin nënsektorial për drithëra. E tërë përgatitja u bë në kohën e duhur, mu në fillim të të korrave”, thotë Berisha.

Bujqit maqedonas kërkojnë rregullimin e çmimit të grurit

Bujqit të pakënaqur me subvencionet

Bujqit kërkojnë miratimin e planit për ndryshimet klimatike


Ajo sqaron se me këtë masë mbështetëse, kultivuesit i ndahen 12.000 denarë për hektar subvencionim shtesë për sasinë e arritur të elbit dhe grurit, për prodhuesit që kanë arritur rendiment minimal prej 3.000 kilogramësh për hektar. Kjo masë vlen për prodhuesit me rendiment minimal që ua kanë shitur prodhimin blerësve të regjistruar, apo e kanë deponuar në hambarë të regjistruar, që e kanë shitur në fermat vendase ose e kanë përdorur në fermat e veta në periudhën deri më 31 gusht 2023.

Masa e re për grurë mundëson pagesë shtesë prej 3 denarësh nga ana e ministrisë për çdo kilogram që dorëzohet te blerësit e regjistruar, sqaron Berisha, duke shtuar se nga ky vit dikasteri që përfaqëson ka rritur mbështetjen dhe afatin për dorëzimin e prodhimit në hambarët e grurit dhe elbit nga data 15 qershor deri më 1 shtator 2023, me mbështetje prej 1 milion e gjysmë denarësh (rreth 24 mijë euro) për shfrytëzues.

Por, bujqit thonë se tani vetëm 60 për qind e tokës bujqësore kultivohet në vend, pjesa tjetër mbetet djerrë. Sipas tyre, nëse nuk vijnë me kohë subvencionet nga institucionet përkatëse për bujqit, më shumë se 50 për qind e tokave bujqësore rrezikon të mbetet e djerrinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG